1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia liron dy policët kosovarë

2 Prill 2012

Autoritetet në Serbi liruan sot dy pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët u arrestuan dy ditë më parë në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga xhandarmaria serbe.

https://p.dw.com/p/14WV8
Fotografi: DW

Autoritetet në Serbi liruan sot dy pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët u arrestuan dy ditë më parë në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga xhandarmaria serbe. Lajmin për lirimin e policëve kosovare e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi. Policët e arrestuar tashmë i janë dorëzuar misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Ministri i punëve të brendshme i Serbisë, Ivica Dacic, pas arrestimit të dy policëve kosovarë të shtunën, tha se ata janë arrestuar brenda territorit të Serbisë. Sipas tyre policët kosovare kishin armë dhe pajisje, që paraqesin shkelje të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar ndërmjet ushtrisë serbe dhe NATO-os në Kumanovë, në 1999. Mirëpo Prishtina zyrtare akuzoi autoritet e Beogradit për rrëmbimin e dy policëve të Kosovës, të cilët po patrullonin në vijën kufitare. Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë akoma nuk është e shënuar.

Ky incident nga autoritetet e Prishtinës u cilësua si një sulm mbi integritetin institucional të Kosovës dhe në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë.

Forcat paqeruajtëse kanë ngritur një komision të posaçëm, për të hetuar vendin e arrestimit të policëve kosovarë, nëse ata ishin duke patrulluar në vijën e gjelber, apo kanë kaluar në territorin e Serbisë. Edhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit EULEX po i hulumton rrethanat dhe lokacionin, ku u arrestuan policët kosovarë. Sipas tyre në ditët në vijim do të ketë një raport zyrtar.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Angjelina Verbica