1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur

Eliana Xhani8 Mars 2012

Vendimi i BE-së për dhënjen e statusit të kandidatit për Serbinë, ka të bëjë me një gjeopolitikë të re, thotë në intervistë për DW ministri kosovar Enver Hoxhaj.

https://p.dw.com/p/14H0B
Ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj
Ministri i Jashtëm kosovar Enver HoxhajFotografi: DW

DW: Minister Hoxhaj, pati këto dhjetë ditë shumë debate, pro dhe kundër arritjes së marrrëveshjes për fusnotën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çfarë humbi dhe çfarë përfitoi Kosova nga kjo marrëveshje e cila u arrit në një fazë favorizuese për Serbinë?

Hoxhaj: Marrëveshja e arritur në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje e cila për herë të parë në historinë e Kosovës dhe në periudhën e shtetësisë së saj i mundëson Kosovës që të marrë pjesë në forume rajonale, evropiane dhe globale, që të flasë në emrin e saj, që të ketë autoritet të nënshkruajë marrëveshje multilaterale dhe të njejtën kohë të ketë mundësi përfaqësimi si shtet sovran dhe demokratik. Marrëveshja si e tillë është e përkohshme, është një zgjidhje e cila ofron kornizë të përfaqësimit të vendit tonë. Unë si ministër i jashtëm e kam kuptuar marrëveshjen si një mundësi e mirë që ne jo vetëm të jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe ta ruajmë sovranitetin, por ta ushtrojmë këtë sovranitet në të gjitha këto forume rajonale, evropiane dhe më gjerë. Pjesa tjetër ku Kosova ka pasur përfitime është vëndimi i Këshillit Evropian për fillimin e studimit të fizibilitetit. Vitin e shkuar gjatë disa takimeve të mia me disa ministra të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, ku kam kërkuar që të fillojë një studim i tillë, më kanë thënë se mund të pritet me vite që të bëhet një studim i tillë. Prandaj, bërja e një studimi të fizibilitetit dhe pakoja e një axhende evropiane për Kosovën, mendojë se kjo marrëveshje i ka sjellë dobi Kosovës megjithë përceptimet e ndryshme. Pos marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, është një marrëveshje tjetër thelbësore për Republikën e Kosovës dhe që për mendimin tim është një marrëveshje dypalëshe shtetërore, ajo për menaxhimin e integruar të kufirit, ku Republika e Serbisë e pranon në mënyrë legale kufirin me Republikën e Kosovës. Nëse ne e kemi parasysh edhe këtë marrëveshje, mendoj se dy marrëveshjet kanë vendosur një bazë solide edhe për vendosjen e sovranitetit të brendshëm në territorin e Kosovës si dhe sovranitetin e jashtëm në nisma rajonale dhe më gjerë.

DW: Zoti ministër, shumë analistë thonë se Serbia me marrjen e statusit të kandidatit për në BE, po bën hapa më të shpejtë se Kosova drejt BE-së dhe politika serbe mund të pengojë apo ngadalësojë në të ardhmën rrugëtimin e Kosovës drejt tij. Sa janë të qëndrueshme këto konstatime?

Hoxhaj: Mendoj që secili vend lëviz në axhendën evropiane në përputhje me dinamikën e vet të brendshme. Në rastin e Kosovës ne duhet ta kemi parasysh që Kosova është shpallur shtet para katër vjetësh dhe ne kemi një agjendë tjetër kohore në rrugën tonë evropiane karshi të gjitha vendeve të ballkanit. Axhenda evropiane duhet parë në përgjithësi. Me shpërbërjen e Jugosllavisë janë krijuar shtatë shtete të reja, tashmë mund të thuhet se dy shtete nga to janë anëtare të BE-së, të tjerat marrin pozita favorizuese në agjenden evropiane dhe të gjitha këto flasin që Ballkani po lëviz drejt paqes dhe stabilitetit dhe kërkesa jonë e vazhdueshme ka qenë që një Serbi evropiane duhet të sillet si evropiane jo vetëm karshi Brukselit, por duhet të sillet si evropiane edhe karshi Kosovës dhe ta trajtojë Kosovën si shtet partner të barabartë dhe në përputhje me standardet evropiane ta hartojë edhe qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Unë nuk besoj se Serbia mund të lëvizë shpejt drejt integrimeve evropiane pa e pranuar pavarësinë e Kosovës. Të dy marrëveshjet që janë arritur është një dëshmi konkrete që Serbia e ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur si fazë e parë dhe jam shumë i bindur se në një periudhë kohore pas disa vitesh do të pasojë edhe njohja e Kosovës nga vetë shteti serb.

DW: Zoti minister, si e vlerësoni rolin e politikës gjermane në raport me Kosovën dhe Serbinë. Ka një kërkesë të vazhdueshme të qeverisë gjermane për shuarjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, por kjo nuk po ndodh akoma.

Hoxhaj: Mendoj se qëndrimi gjerman duhet të kuptohet si një qëndrim parimor. Ekonomia gjermane sot është ekonomia më e fuqishme brenda BE-së, shteti gjerman është vendi që kufizohet më fqinjë më shumë se cdo shtet tjeter dhe krahas krizës së re financiare dhe të borgjeve, roli i Gjermanisë është shumë më i madh brenda BE-së sesa ka qenë në të kaluarën. Në të njëjtën kohë ekziston një ndjeshmëri shumë e veçantë në Berlin për ta kuptuar Ballkanin. Ballkani për Gjermaninë shihet edhe në kuptimin historik, kulturor e gjeografik, si pjesë e Evropës dhe qëndrimi që shfaqi zonja Merkel në gushtin e vitit të kaluar është një qëndrim parimor, por në të njëjtën kohë është edhe një standard evropian. Nuk mundet një vend si Serbia e cila aspiron anëtarësimin në BE, të bëjë edhe më tutje përpjekje përmes strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë ta kontrollojë një pjesë të territorit të Kosovës. Nuk mundet një vend si Serbia të mos lejojë që në veri të mos ketë sundim të ligjit, të mos ketë pjesëmarrje demokratike në institucione demokratike përmes zgjedhjeve. Unë jam i sigurt që këto kushte evropiane, këto standarde evropiane të cilat i bëri të qarta zonja Merkel, edhe më tutje vlejnë për Serbinë. Mirëpo vendimi që u mor në mars të këtij viti për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë ka të bëjë edhe me një gjeopolitikë të re. Përshtypja ime është që pjesa perëndimore e botës, do të thotë SHBA dhe Bashkimi Evropian, kanë qenë të interesuara që pas 20 vjetësh njëherë e përgjithmonë ta shkëputin Serbinë nga ndikimi i Rusisë. Mënyra më e mirë e shkëputjes së influencës së Rusisë në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të Serbisë ka qenë edhe dhënia e statusit të kandidatit dhe agjenda evropiane. Prandaj të gjitha këto vendime që janë marr duhet t'i shohim edhe nga një përspektivë afatgjate sesi do të duhej të duket ballkani pas 10 apo 20 vjetësh.

DW: Zoti minister, është Kosova e përgatitur të hyjë në bisedime për veriun e Kosovës? Kam parasysh këtu një deklaratë të Filip Gordon, zëvëndës-sekretar amerikan i shtetit, i cili thotë se Prishtina dhe Beogradi duhet të bisedojnë për gjendjen në veriun e Kosovës.

Hoxhaj: Qeveria e Kosovës është e gatshme dhe në çdo kohë, që të ketë një proces bisedash ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve serb në veri të Kosovës. Ne mendojmë se ky dialog duhet të ndodhë brenda shtetit të Kosovës dhe në asnjë mënyrë në një dialog të till nuk do të duhej të involvohet Serbia, ndersa, SHBA-së dhe Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesve të tyre në Prishtinë, apo përmes formave tjera mund ta japin kontributin e tyre që tri komuna e gjysmë të veriut të integrohen me pjesën tjetër të Republikës së Kosovës.

DW: Zoti Ministër, cilat janë refleksionet që do të ketë në diplomacinë kosovare, përfaqësimi i Kosovës më fusnotë, flasim me konkretisht për njohjet e Kosovës?

Hoxhaj: Dua ta kem një formulim shumë të qartë për këtë. Çështja e lirisë së Kosovës dhe pavarësisë së saj ka lëvizur deri tash në faza, nga një pozitë më e ulët në një pozitë më të lartë. Në 20 vjetët e fundit në një partneritet strategjik që kemi me SHBA-në dhe vendet kyçe të BE-së, kemi arritur që nga vitet 90-ta deri në vitin 2008, ta ndërtojmë shtetësinë tonë hap pas hapi në etapa. Kuptohet pas shpalljes së pavarësisë dhe pamundësisë që plani i Ahtisarit të miratohet në KS-is edhe pse Marti Ahtisari në atë kohë ka qenë i dërguar i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, shtetësia jonë, pavarësia jonë, është gjendur në një situatë mjaft koplekse. Ne kemi qenë të detyruar të kërkojmë njohje bilaterale. Sot Republika e Kosovës ka shumë më shumë sesa shtetet tjera në rajon njohje bilaterale. Shtetet e tjera kanë njohje përmes anëtarësimit të tyre në OKB. Edhe gjatë procesit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe kur filloi dialogu teknik edhe pas marrëveshjes për fusnotën, jam shumë i sigurt që procesi i njohjes së Kosovës nuk do të ndalet. Pavarësia e Kosovës dhe njohjet e Kosovës nuk bien ndesh me rezolutën 1244 dhe jam i sigurt që disa shtete në javët që do të vijnë do të bëjnë publike vendimet e tyre që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Autor:Bekim Shehu

Redaktoi: E. Xhani