1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia përpara zgjedhjeve interesante

14 Mars 2012

Serbia gjendet para zgjedhjeve më interesante parlamentare, krahinore dhe lokale. Deri tani partitë nuk kanë definuar temat më të rëndësishme për fushatë. Por pritet që në zgjedhje të paraqiten fytyra të reja.

https://p.dw.com/p/14KSK
Boris Tadiq
Boris TadiqFotografi: dapd

Serbia po futet në një cikël të ri zgjedhjesh parlamentare dhe lokale, me një ligj të ndryshuar zgjedhor, ku është hequr obligimi i dorëheqjeve automatike (e cila parashikon që mandati i takon partisë dhe jo personit). Ligji parashikon po ashtu që të paktën një e treta e kandidatëve të jenë femra. Ndërkohë që ka dhe ndryshime përsa i përket financimit të partive politike gjatë fushatës.

Lista e deputetëve, të cilët do të futen në parlament përcaktohet në bazë të renditjes së kandidatëve në listat zgjedhore, që do të thotë se partitë politike kanë influencë në përzgjedhjet e deputetëve vetëm me rastin e përpilimit të listave.

Pse janë zgjedhje interesante?

Gjorgje Vukadinoviq, drejtor programor i organizatës CESID nuk pret ndonjë fushatë tepër të ndytë, sepse “Serbia ngadalë po përmirëson kulturën demokratike”. Megjithatë ai mendon se edhe këto zgjedhje do të jenë shumë interesante për disa shkaqe: nuk dihet se kush do të fitojë, si do të duket koalicioni i ri qeveritar, ka katër vjet që njerëzit nuk kanë votuar.

Opozita serbe në demonstratë
Opozita serbe në demonstratëFotografi: picture alliance / dpa

Sidoqoftë, Partia Përparimtare Serbe e Tomisllav Nikoliqit është konkurrenti më i madh i Partisë Demokratike të presidentit Boris Tadiq. Analisti Sllavisha Orloviq thotë se nuk mund të përjashtohet as koalicioni i këtyre dy partive, ndonëse kohët e fundit ka pasur ofendime të hapura mes tyre.
Analistët thonë se deri tani dihet se cilat parti nuk mund të bëjnë koalicion mes tyre, që mund të bllokojë edhe krijimin e institucioneve, në qoftë se nuk ka ndonjë shumicë stabile.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale mbahen në kohën e duhur, ndërkohë që në Serbi po spekulohet me mundësinë që njëkohësisht të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale (mandati i Tadiqit skadon në shkurt të vitit të ardhshëm). Shpallja e këtyre zgjedhjeve nënkupton që Tadiq duhet të japë dorëheqje, por kjo mbart me vete rrezikun e kalimit në ushtrues detyre, në qoftë se krijohen komplikime në zgjedhje. Analistët në Beograd thonë se qeveria e tanishme, ndonëse e ka çuar deri në fund mandatin e saj, nuk i ka realizuar shumë premtime.

Nuk dihen temat kryesore të fushatës

Partitë politike ende nuk kanë bërë të ditur, se cilat do të jenë temat kryesore që do të trajtojnë gjatë fushatës elektorale. Pritet që në zgjedhje të ketë shumë kuadro të reja, por është shumë e sigurt se disa prej tyre më së shumti vëmendje do t'i kushtojnë gjendjes ekonomike, afrimit me Bashkimin Evropian dhe Kosovës.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi