1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia fiton statusin e kandidatit

29 Shkurt 2012

Serbia nga ministrat e Jashtëm të BE mori vetëm rekomandimin për statusin e kandidatit. Vendimin do ta marrin liderët e shteteve të BE. Westerwelle shpreson që problemet mund të kapërcehen deri të enjten.

https://p.dw.com/p/14BkF
Tadiq dhe Barroso në Bruksel
Tadiq dhe Barroso në BrukselFotografi: Reuters

Edhe pse pritej që ministrat e BE-së do të merrnin vendimin për dhënin e statusit të kandidatit, të cilin Këshilli i BE duhej vetëm ta miratonte formalisht, duket se Serbia deri në fund të javës do të vazhdojë të jetë temë diskutimi. Pas rezistencës së madhe të Rumanisë ministrat e Jashtëm të BE ranë dakord që vetëm ta rekomandojnë Serbinë si vend kandidat, ndërsa vendimin do ta marrin të entjen kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE.
„Do të ketë ende diskutime. Fakt është që kemi arritur një konsens dhe së bashku rekomandojmë statusin e kandidatit për Serbinë dhe jemi të një mendjeje se Serbia i ka përmbushur kriteret e vendosura. Personalisht mendoj se Serbia është tani në rrugën e saj të kthimit në bashkësinë evropiane“, deklaroi kryesuesi i këshillit, ministri danez për çështjet evropiane Nikolai Wammen.

Mihai Razvan Ungureanu
Rumania heziton: Kryeministri Mihai Razvan UngureanuFotografi: dapd

Qëndrimet e Gjermanisë dhe bllokimi i Rumanisë


Nga perspektiva gjermane do të kishte qenë me vend dhe e drejtë që të merrej që sot një vendim përfundimtar dhe i formës së prerë“, tha ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westgerwelle. Por është arritur vetëm një rekomandim. Westerwelle shprehu keqardhjen për mungesën e votimit të Rumanisë dhe tha se pret që rekomandimi i së martës të konfirmohet edhe zyrtarisht në samitin e së enjtes:„Kosova dhe Serbia i kanë përmbushur kriteret e parashtruara, ndaj është edhe e drejtë dhe logjike, që ne si evropianë ta mbajmë fjalën. Unë mendoj, se kjo do të arrihet në kuadër të Këshillit Evropian të enjten.“

Diplomatët ishin të befasuar nga kërkesa e Rumanisë, kjo çështje nuk kishte luajtur deri tani ndonjë rol. Ministri i Jashtëm rumun Kristian Diakonesku kërkoi fare papritur që Serbia të njohë 30.000 vllehët, që jetojnë aty si rumunë etnikë dhe t'i mbrojë në mënyrën përkatëse. Pala serbe tha se është gjithnjë e gatshme për dialog me fqinjin miqësor, por për shkak të kërkesës rumune që pakica vllehe në Serbi, të përfshihet në pakicën kombëtare rumune, nuk do të shkelë të drejtën themelore demokratike të përcaktimit personal të secilit.
„Nuk jam i sigurtë, në se ka mjaft vende në Evropë, që kanë këto standarde në lidhje me mbrojtjen e pakicave. Unë punoj personalisht për këtë. Në Serbi ekzistojnë bashkësi minoritare dhe të gjitha kanë standardet më të larta të mundshme në mbrojtjen e të drejtave, të cilat nuk ekzistojnë në shumë shtete anëtare të BE“, tha presidenti i Serbisë Boris Tadiq në Bruksel.
Jozyrtarisht u dëgjua edhe pyetja se cili është motivi i vertetë për një lëvizje të tillë të Rumanisë, kur kujtohet fakti se ky vend është penguar nga disa vende të BE në përpjekjet për të hyrë në zonën Shengen. Njohësit e „çështjeve të Brukselit“ paralajmërojnë se nëse është synimi i Rumanisë që në këtë mënyrë të arrijnë më shpejt në marrëveshjen për të hyrë në Shengen, atëherë kjo është „rrugë shumë e gabuar“. „Kjo nuk është fryma e duhur evropiane“, tha ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.

Westerwelle dhe Tadiq
Gjermania lëshon pe: Westerwelle dhe TadiqFotografi: picture-alliance/dpa

Studimi i fizibilitetit për Kosovën

Të 27 ministrat e Jashtëm të BE morën „në konsideratë“ që Komisioni Evropian do të nisë një studim fizibiliteti, për të sjellë edhe Kosovën më pranë BE. Në të shqyrtohet çështja, në se me Kosovën mund të arrihet një marrëveshje asociim-stabilizimi. Kjo mund ta bënte Kosovën një kandidat potencial.
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle thotë se në samitin krerëve të BE, që mbahet të enjten dhe të premten (1 dhe 2 mars) në Bruksel, pret konfirmimin e statusit të Serbisë si vend kandidat: "Statusi i kandidatit do të hapë një epokë të re në marrëdhëniet midis BE dhe Serbisë . Unë pres që Serbia, si një vend kandidat, të jetë e gatshme për progres të mëtejshëm në procesin e reformave për t'u përgatitur për hapjen e negociatave për anëtarësim", tha ai.

Parullë në Prishtinë: Republika e Kosovës
Kosovës studimi i fizibilitetitFotografi: picture-alliance/dpa

Fyle në një nga "rekomandimet kyçe", për hapin pas kandidaturës e fillimin e negociatave për hyrjen e Serbisë në BE, theksoi përparimin e mëtejshëm në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, që do të thotë respektin i plotë i bashkëpunimit rajonal, marrëveshje energjitike, zgjidhjen e çështjeve të telekomunikacionit, bashkëpunimit me EULEX-in dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritur deri tani në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Autor: DPA/Marina Maksimoviq/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani