1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seri terrori në Bombej - Mbi 100 të vdekur dhe shumë të plagosur

Kai Küstner 27 Nëntor 2008

Gjendja në metropolin indian pas sulmeve gjatë natës mbetet e paqartë. Sipas policisë, janë vrarë rreth 101 vetë dhe janë plagosur 287. Gjithashtu janë marrë pengje në dy hotele luksoze.

https://p.dw.com/p/G37H
Njësitë speciale të ushtrisë së Indisë në aksion për lirimin e pengjeve në hotelin "Taj Mahal"Fotografi: AP

Mbetet ende e paqartë se kush fshihet pas atentateve. Njësitë speciale të ushtrisë ia dolën të çlirojnë pengjet nga hoteli "Taj Mahal".

"Terroristët kanë marrë Bombejin", kështu i përmblodhi ngjarjet moderatori i stacionit televiziv indian CNN-IBN.


"Ajo që shohim këtu me gjasa nuk ka ndodhur asnjëherë. Jo vetëm në Bombej, por as në ndonjë qytet tjetër të Indisë, ndoshta as të botës."


Ishte një natë terrori për metropolin milionësh Bombej: por edhe kur u bë ditë ëndrra e keqe vazhdonte. Me sa duket terroristët vunë në shënjestër edhe disa hotele luksoze. Në dy hotele forcat e sigurisë nuk e kishin gjendjen nën kontroll as pas më shumë se 12 orëve që prej serisë së atentateve. Terroristët u barrikaduan në hotele, shumë klientë u zunë në kurth. Sipas të dhënave të stacioneve televizive indiane, policia u kishte bërë thirrje të mbylleshin në dhomat e tyre, të fiknin televizorët dhe të silleshin me qetësi.


Aktualisht po thuhet se pas sulmeve fshihet një grupim deri tani i panjohur islamist me emrin “Deccan Mudschaheddin”, i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë. Por këto informacione nuk janë konfirmuar ende.