1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqëria civile e Ballkanit Perëndimor

Ani Ruci7 Shtator 2015

Shoqëria civile në vendet e Ballkanit Perëndimor po shndërrohet dita-ditës në një zë që nuk mund të anashkalohet më nga politika dhe vendimmarrja.

https://p.dw.com/p/1GRyA
Fotografi: DW/A. Ruci

Shoqëria civile në në vendet e Ballkanit Perëndimor ia ka lënë të shkuarës fragmentarizmin e saj dhe injorimin nga elitat drejtuese. Ajo po i jep aktivitetit të saj përmasa dhe cilësi të re. Ky është realitet që bazohet në fakte: në Shqipëri nga protestat e shoqërisë civile për të kundërshtuar importin e plehrave nga vendet e BE dhe shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj; në Maqedoni nga protestat antiqeveritare në maj të këtij viti, në Bosnjë-Hercegovinë në pranverën e vitit të kaluar apo nga lëvizjet qytetare kundër politikanve autoritarianë dhe të korruptuar në vende të tjera të rajonit.

Këto fakte flasin për një legjitimitet të fituar tanimë të shoqërive civile në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të luajtur rolin e tyre edhe në politikat e zgjerimit të BE drejt këtij rajoni dhe mbështetjen e reformave që kërkon zgjerimi. Është ndofta ky legjitimitet, i fituar kryesisht vitet e fundit nga protestat që solli për herë të parë, që nga fillimi i Procesit të Berlinit, zhvillimin javen e kaluar, të Forumit të Shoqërisë Civile, si një segment i Samitit të Vienës, në vijim të Procesit të Berlinit. Është përsëri kancelarja Merkel e ndjekur nga kancelari austriak Werner Faymann, që inicuan nismën e përfshirjes së shoqërisë civile në Procesin e Berlinit.

Balkankonferenz in Wien
Fotografi: DW/E. Numanovic

Shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor një aktore e re në Procesin e Berlinit

Procesi i Berlinit synon t'i japë impulse të reja politikës së zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perendimor në një kontekst të ri gjeo-politik. Impulse që përkthehen në mbështetje politike dhe financiare për të nxjerrë rajonin nga varfëria, papunësia, kriza e tanishme emigracionit për motive ekonomike. Kjo mbështetje që të jape rezultate kërkon me domosdo vullnetin e elitave politike në Ballkanin Perendimor për të vazhduar reformat, në sistemin politik, ekonominë e tregut, demokratizimin e shoqërisë. Këtu pikërisht hyn në lojë shoqeria civile.Organizatat e saj, aktivistët kanë kapacitetin të krijojnë dhe të ruajnë mbështetjen e gjerë qytetare për reformat që kërkon BE, pa te cilën këto reforma realizohen me vështirësi. A kanë qenë qytetarët e Ballkanit Perendimor të përshirë efektivisht deri më tani në proces?

Shumë diskutime burokratike

“Diskutimi për anëtarësimin e ardhshëm në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor shpesh është i zotëruar më shumë nga diskutime burokratike për standardet sesa nga vëmendja për përfshirjen e qytetarëve, organizatat e të cilëve mund të bëhen partnerët ose kundërshtarët më të mëdhenj të qeverive në përpjekjet e tyre për të ndërtuar një Europë që i mban ata të bashkuar dhe njeherazi rezistentë përballë krizës në rritje. Është në interes të të gjithëve që politikanët dhe shoqëria civile të dialogojnë” theksoi Franz Karl Prüller, kryetar i Bordit të Fondacionit Gjerman ERSTE, një nga organizatorët drejtues të Forumit të Shoqërisë Civile në Samitin e Vienës.

Shoqërisë civile i duhet shumë më tepër ndikim

Në këtë Forum përfaqësuesit e shoqërive civile në Ballkanin Perendimor iu kërkuan drejtuesve politikë të rajonit dhe përfaqësuesve politikë, të pranishëm, tri çështje: garantimin e lirisë së shprehjes, krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe i ofroi Samitit të Vjenës, e dha rekomandime për progress për këto çështje. Frank Hantke, Drejtor i Zyrës në Tiranë, të Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” palë organizatore e Forumit thotë për DW: “Forumi është një hap shumë pozitiv. Por mendoj që ende politikanët drejtues të Ballkanit Perëndimor nuk e njohin shoqërinë civile si një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Duhet bërë më shumë për të bindur politikanët e Ballkanit se atyre u duhet shoqëria civile nëse duan vërtet të zhvillojnë vendet e tyre.

Angela Merkel, Heinz Fischer dhe Edi Rama
Angela Merkel, Heinz Fischer dhe Edi RamaFotografi: picture-alliance/dpa/G. Hochmuth

Përfshirja e shoqërisë civile në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e kam fjalën për zhvillimin politik, tregohet në nivel kombëtar, në secilin vend, ku shoqërisë civile i duhet shumë më tepër ndikim dhe influencë. Qëllimi i shoqërisë civile është të jetë e pranishme çdo ditë në politikën e vendit të vet, në politikën në nivel kombëtar dhe nisur nga ky nivel të ketë një kuptim të përbashkët për politikat në nivel rajonal. Në këtë rrugë shoqëria civile fiton peshë dhe është e kërkuar të marrë pjesë në process” thotë Frank Hantke, organizator dhe pjesëmarrës në Forumin e Shoqërisë Civile, në Vienë.

Shoqëria civile, besimi në procesin e Berlinit dhe kriza e azilkërkueve

Kriza e azilkërkuesve, largimi i rinisë drejt vendeve të BE, kryesisht Gjermanisë për t'i ikur varfërisë, papunësisë nuk është në një linjë me Procesin e Berlinit. “Njerëzit duan rezultate, duan t'i prekin ato që të besojnë. Të rinjtë nuk presin dot me dekada. Ne nuk jemi magjistarë. Duhet t'i japim procesit të Berlinit substancë. Ballkani Perëndimor ka nevojë që BE të ketë përqasje strategjike jo vetëm taktike ndaj tij” tha kryeministri Rama në Forumin e Shoqërisë Civile, në Vjenë.

Në situatën aktuale, edhe shoqëria civile në vendet e Ballkanit Perendimor ka çfarë të ofrojë. “ Ato mund të kontribojë për të përmirësuar situatën që shtyn njerëzit të ikin. Arësyet janë pak a shumë të njëjta në këto vende: stanjacion i ekonomisë, mungesë e perspektivës për familjet e tyre, dëshpërim. Njerëzit nuk shohin dritë në fund të tunelit . Jam krejtësisht i bindur që nuk mund të ketë zhvilim ekonomik social , kulturor etj pa njerëz dhe madje kundër njerëzve. Nuk mund të ketë qeveri qe harton ligje të mira, realizon plane të mira strategjike pa përfshirë në to njerëzit, njohuritë e tyre, pa bashkëpunimin mes tyre. Reformat pa njerëzit, madje kundër tyre, nuk funksionojnë. Prandaj mendoj që këtu shoqëria civile ka shumë për të ofruar. Nuk do të ishte një veprim i mençur të mos përdorej kjo pasuri , ky “ar” në mendjet e njerëzve. Jam krejt i sigurtë se shoqëria civile do të jetë e aftë të sjellë ndryshim, natyrisht jo brenda natës, por nëse qeveritë e BP do të fillojnë të hapen ndaj ndikimit të shoqërisë“ thotë Frank Hantke.