1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130509 Bundespräsident Herausforderer

22 Maj 2009

Dy sfiduesit e presidentit aktual gjerman Horst Këler, i cili rikandidon në zgjedhjet më 23 maj 2009, janë Gesine Schvan për Partinë Socialdemokrate dhe Peter Sodan për "Të Majtën".

https://p.dw.com/p/HvHP
Kush do të jetë në pesë vitet e ardhshme zot shtëpie në këtë kështjellë? Pamje e rezidencës presidenciale - Kështjellës Belvy (Bellevue)
Kush do të jetë në pesë vitet e ardhshme zot shtëpie në këtë kështjellë? Pamje e rezidencës presidenciale - Kështjellës Belvy (Bellevue)Fotografi: dpa

Një kokë bjonde me kaçurrela të pabindur dhe një gojë që buzëqesh cep më cep - këto janë tiparet karakteristike të Gesine Shvanit (Schwan), kandidates së socialdemokratëve për postin e presidentit. Ajo kërkon të bëhet gruaja e parë në postin më të lartë shtetëror të Republikës Federale Gjermane.

"Unë e mora këtë vendim pasi angazhimi im gjatë gjithë jetës ka qenë për demokracinë. Unë besoj se posti i presidentit apo presidentes ofron një mundësi shumë të mirë për të forcuar sërish demokracinë e cila aktualisht ndodhet në një krizë kulturore."

Shvani kandidon për herë të dytë. Në vitin 2004 ajo humbi në zgjedhjet presidenciale, të cilat i fitoi kandidati i përbashkët i Unionit Kristiandemokrat-Kristiansocial dhe Partisë Liberale (FDP), Horst Këler (Köhler). Deri atëherë Këleri kish qenë drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Edhe në këto zgjedhje Shvani do të sfidojë Presidentin Këler.

Në faqen e saj të internetit, Gesine Shvan thotë se ajo është e përshtatshme për postin e presidentes në sajë të kurrikulumit të jetës dhe angazhimi të saj politik.

"Rritur në Berlinin e ndarë nga një mur, me përvojën e konfliktit Lindje-Perëndim, e mbrujtur qysh herët nga kultura e fqinjëve evropianë Francë dhe Poloni, me atdhe shpirtëror Kishën Katolike, humanizmin kristian dhe demokracinë sociale, pata mundësi të praktikoj në shkencë kureshtjen time dhe të zgjeroj më tej kozmopolizmin."

Gesine Shvan lindi më 22 maj 1943 në Berlin. Ajo studjoi në Berlin dhe Freiburg romanistikë, histori, filozofi dhe shkenca politike. Veç kësaj ajo mësoi polonisht dhe ka qendruar shpesh për studime në Poloni. Në vitin 1999 profesoresha e lëndëve politike u bë presidente e Universitetit Evropian të Viadrinës në Frankfut-mbi-Oder.

Gesine Shvan është anëtare e Partisë Socialdemokrate Gjermane që prej vitit 1972. Si antikomuniste e angazhuar ajo ka patur qëndrim kritik ndaj politikës së çtensionimit të ndjekur nga partia e saj.

E ve që prej vitit 1989, Shvani martohet në vitin 2004 me themeluesin e organizatës antikorrupsion Transparency International, Peter Eigen.

Në ditën e zgjedhjes së presidentit Shvan shpreson të marrë edhe votat e Të Majtëve. Por këto vota, të paktën në raundin e parë të zgjedhjeve, do të shkojnë me siguri për kandidatin e tretë për postin e presidentit, Peter Sodan (Sodann). Ai u emërua në tetor të vitit të kaluar nga grupi parlamentar i Së Majtës si kandidati i tyre për president. Në përgjigje të pyetjes përse kandidon, ai atëherë do të përgjigjej:

"Nuk e di, zemra ime ka rrahur gjithnjë majtas. Dhe nëse një njeri si Gregor Gysi vjen dhe më pyet, i pasuar nga Oskar Lafontaine, Lothar Bisky dhe të tjerët atëherë përse duhet të them jo?"

Sodani ka lindur më 1 qershor 1936 në Meißen. Ai ka qenë mekanik, ka studiuar jurisprudencë përpara se të bënte një kurs formimi për artist. Në vitin 1964 u angazhua nga ansambli i Berlinit "Bert Breht" ku qëndroi dy vjet.

"Edukimi im profesional filloi në të vërtetë në Ansamblin e Berlinit. Për mua Brehti është sot më aktual nga sa mendohet. Për shkak të forcimit të kapitalizmit do të kemi sërish nevojë për të."

Në vitin 1981 Sodani themeloi në Halle teatrin e tij, i cili në vitet që pasuan u kthye në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në Lindje të Gjermanisë dhe mbijetoi edhe pas ndryshimeve politike. Në vitin 1984 Sodan doli dhe në ekranin e televizionit. Ai u bë i njohur për publikun me rolin e komisarit Ehrlicher në serinë popullore në Gjermani "Vendi i krimit" (Tatort). Në korrik të vitit 2005 Sodani njoftoi se do të kandidonte për partinë e re "Të Majtët" për postin e presidentit, por kjo nuk ndodhi pasi do të ishte dashur të hiqte dorë nga karriera e aktorit në rast fitoreje në zgjedhje.

Autor: Betina Marks/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi