1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Shërbimet e fshehta më pak të fshehta"

Stephanie Höppner / Eliana Xhani8 Korrik 2013

Ata dinë shumë për ne, por ne s'dimë asgjë për ta. Shërbimet e fshehta në Gjermani kanë imazh negativ. Kjo tani duhet të ndryshojë. Ata duhet të bëhen më transparentë.

https://p.dw.com/p/193hC
Fotografi: Fotolia/Gina Sanders

"Sekrete, jotransparente dhe të pakontrolluara" - kështu i shohin gjermanët shërbimet e fshehta në vendin e tyre, mendon zëdhënësi i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Bodo W. Becker. "Ka disa imazhe të shtrembëruara", thotë ai dhe ato fillojnë nga burrat me republikë dhe pardesy me jakë të ngritur deri te spiunët e vegjël, që lëvizin në mjedise të errëta. Imazhi që mbizotëron tek shumica e njerëzve është "i turbullt", thotë Becker dhe pjesërisht pra i gabuar. Tre shërbimet sekrete gjermane, Mbrojtja e Kushtetutës, Shërbimi Federal Informativ (BND) dhe Shërbimi Ushtarak i Mbrojtjes (MAD), kanë urdhëruar për këtë arsye më shumë transparencë.

Presidenti i MAD-së, Ulrich Birkenheier, njoftoi në shkurt të këtij viti se në të ardhmen do të ngrihet një zyrë shtypi. Kështu ky shërbim hyn në një rrugë të cilën e kanë nisur disa vjet më parë edhe Mbrojtja e Kushtetutës dhe BND-ja. Por edhe këta të fundit synojnë më shumë transparencë.

Pasoja nga dështimet në rastin e NSU-së

Shërbimet informative janë vënë në qendër të kritikave edhe pas dështimeve në vrasjet e kryera nga celula neonaziste NSU. Për vite me radhë anëtarë të kësaj organizate ekstremiste të djathtë kanë vrarë, vënë zjarre dhe kryer vjedhje. Mbrojtja e Kushtetutës dhe policia nuk arritën të viheshin në gjurmë të tyre dhe një nga arsyet ishte se nuk ishin përcjellë informacione, ishin asgjesuar dosje apo ishin keqinterpretuar rezultatet. Edhe pas zbulimit të NSU-së dosje të rëndësishme përfunduan në aparatin e asgjesimit të dokumenteve.

Beate Zschäpe në sallën e gjyqit
Dështimet në hetimin e NSU-së rëndojnë veçanërisht fort tek Zyra Federale për Mbrojtjen e KushtetutësFotografi: picture-alliance/dpa

Tani janë nxjerrë mësime. Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich prezantoi javën e kaluar (3.7.2013) rezultatet e para të një reforme. Sipas tyre do të ketë rregulla të reja të njësuara në trajtimin e dosjeve: vetëm pas shqyrtimeve të shumëfishta ato mund të asgjesohen. Veç kësaj duhet të përmirësohet këmbimi i informacioneve mes Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe 16 zyrave të landeve të këtij autoriteti.

Ndryshimet duhet të pasqyrohen edhe në punën me publikun. "Një nga idetë ishte që një Zyrë e reformuar e Mbrojtjes së Kushtetutës duhet të ofrojë edhe një mënyrë tjetër më aktive komunikimi të punës së saj: çfarë bëjmë, si e bëjmë, cilat janë rezultatet dhe sukseset e punës sonë dhe si kontrollohet Mbrojtja e Kushtetutës?", shpjegon strategjinë zëdhënësi për shtypin, Becker. Autoritetet ofrojnë tani biseda të gjera me gazetarët, broshura, ekspozita lëvizëse dhe vizita për klasat e shkollave.

"Komunikim më aktiv" - Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Köln
"Komunikim më aktiv" - Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në KölnFotografi: picture-alliance/dpa

Trashëgimia nga Lufta e Ftohtë

Për historianin Wolfgang Krieger alergjia që kanë gjermanët për shërbimet sekrete është e bazuar në histori. "Kjo ka të bëjë nga njëra anë me dështimet që kanë ndodhur dhe nga ana tjetër kryesisht me kohën e Luftës së Ftohtë, kur shërbimet sekrete gjermanoperëndimore ishin vendosur shumë fort në shënjestër të sigurisë së shtetit të Gjermanisë Lindore", shpjegon profesori i historisë në Universitetin e Marburgut. Shërbimi i fshehtë i ish RDGJ-së, Stasi, pati kryer një luftë të vazhdueshme të padukshme kundër shërbimeve gjermanoperëndimore sekrete dhe informative. "Kjo do të thotë që kritikat, pikat e dobëta apo problemet, i servireshin shtypit gjermanoperëndimor në një mënyrë që nuk linte të kuptohej se bëhej fjalë për sigurimin e shtetit. Dhe ky imazh në një farë mënyrë ka mbetur i fiksuar edhe më shumë se 20 vjet pas rënies së murit", thotë Krieger në bisedë me Deutsche Welle-n.

Që mund të bëhet edhe ndryshe e tregon një vështrim në vendet fqinje. Në Britani të Madhe p.sh. shërbimi i fshehtë pranohet shumë më fort nga opinioni, politika dhe mediet, dhe kjo ka rrjedhoja politike: kontrolli parlamentar është shumë më i dobët se në Gjermani. "Por kjo duket se nuk e shqetëson opinionin publik. Thuhet: mirë, këta njerëz mbrojnë Mbretërinë e Bashkuar dhe duhet të bëjnë punën e tyre", thotë Krieger. Edhe SHBA dhe Franca kanë qendrim relativisht miqësor ndaj shërbimeve të tyre informative, të paktën sa i përket punës me jashtë. "Për këtë arsye diskutimi i shpërthyer me rastin Snwoden nuk ka ngritur dallgë të mëdha në SHBA", komenton historiani Krieger zbulimet e ish punonjësit të shërbimit sekret amerikan Edward Snowden rreth aktivitetit të shërbimit sekret amerikan NSA.

Prof. Dr. Wolfgang Krieger nga Universiteti i Marburgut
Prof. Dr. Wolfgang Krieger nga Universiteti i MarburgutFotografi: privat

Transparencë? Po, por….

Rregulli i ri për transparencë i autoriteteve të shërbimit të fshehtë ka megjithatë kufij. Kështu një gazetar i Bild paditi BND-në në muajin shkurt të këtij viti në Gjykatën Federale Administrative dhe humbi. Ai kërkonte informacione për të kaluarën naziste të autoritetit, e cila aktualisht po përpunohet nga një komision historianësh. Por informacione për këtë një herë për një herë nuk do të ketë. Të dhënat nuk janë ende të disponueshme, deklaroi shërbimi informativ me jashtë.