1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280211 China Proteste

2 Mars 2011

Se në ç'masë i irrituan revolucionet në Afrikën e Veriut edhe pushtetmbajtësit në shtete të tjera të qeverisura në mënyrë autoritare, kjo mund të konstatohej të dielën (27.2.) në Kinë.

https://p.dw.com/p/10Rsd
Policia kineze i kërkon kameramanit të Associated Press të largohet, 27 shkurt 2011, PekinFotografi: dapd

Meqenëse në internet qe bërë thirrje për "shëtitje demonstrative të së dielës", pamjen e rrugëve të Pekinit, Shangait dhe rrugëve të tjera e mbizotëronte një numër i madh policësh. Meqenëse demonstrantët nuk u dukën, forcat e sigurisë u morën me gazetarët e huaj - gjë që siç pritej bëri që ata të shkruajnë keq.

China Proteste Polizei
Shanghai, KinaFotografi: dapd

Libia e bën nervoze udhëheqjen kineze

Jo vetëm sepse ajo qe e detyruar të evakuuonte 30 mijë kinezë. Jo vetëm sepse Libia dërgoi në janar çdo ditë rreth 150.000 fuçi naftë në Kinë. Para së gjithash, Pekini druhet se virusi i revolucionit mund të kapërcejë te popullata e vet.

Politilogia amerikane, Victoria Hui merret me krahasimin e lëvizjeve të rezistencës në Kinë dhe në Evropë. Dhe mendimi i saj është i qartë: "Unë mendoj se mesazhi nga Egjipti për disidentët tashmë ka qenë shumë frymëzues dhe i ka futur frikën regjimit. Po të bjerë tani edhe Gadafi, megjithë përdorimin brutal të dhunës dhe armëve të rënda, atëherë kjo do t'u dërgonte të dyja palëve një mesazh shumë më të fortë."

Censura u forcua

Prandaj në javët e fundit, qeveria kineze u përpoq ta manipulonte rrymën e lajmeve nga dhe për Afrikën e Veriut. Censura në internet u forcua. Në faqet e blogjeve kineze, kërkimi i koncepteve si Egjipt ose Jasmin nuk jepte më rezultate. Përfundimi i Victoria Hui: jo vetëm disidentët dhe aktivistët nxjerrin mësimet e tyre nga historia, edhe qeveritë si ajo e Pekinit: "Pekini ka rol drejtues në zhvillimin e teknologjive më të reja për të kontrolluar internetin. Përmbajtje, që populli nuk duhet t'i shikojë, bllokohen. Por hyrja e përgjithshme në faqe komerciale ose në ato të zbavitjes lejohet. Dhe ky është edhe shkaku, se pse njerëzit nuk rebelojnë kaq shumë. Ata thonë: unë edhe më tej mund të marr atë që dua, unë thjesht mbyll gojën. Për shumë kjo është një tregti e pranueshme."

China Proteste Polizei
Policia largon njerëzit e mbledhur rreth teatrit në ShangaiFotografi: AP

Probleme sociale dhe korrupsion

Veç kësaj, ekonomia e Kinës ka dy dekada që rritet me rritje dyshifrore dhe pjesë të gjera të popullit përfitojnë nga kjo - edhe nëse në masë të ndryshme. Megjithatë, edhe popullin në Kinë e rëndojnë halle për shkak të çmimeve në rritje të ushqimeve, të apartamenteve, çmimet e të cilave janë të papagueshme, shpenzimeve të larta për shëndetin dhe arsimin. Kësaj i shtohet tema e shpërdorimit të pushtetit dhe e korrupsionit. Kryeministri kinez, Wen Jiabao tregoi mirëkuptim të dielën në një diskutim në internet: "Nëse ngritjet e çmimeve ecin paralelisht me korrupsionin, kjo i bën të pakënaqur njerëzit dhe mund të çojë në probleme të rënda sociale."

Prandaj udhëheqja kineze përpiqet të tregohet e afërt me popullin: Wen Jiabao ishte kryeministri i parë kinez që u takua në shkurt në Pekin me paraqitës peticionesh. Dhe mediet e vendit informuan me hollësi për veprat bamirëse sociale të planit të ardhshëm pesëvjeçar. Ai do të miratohet në seancën e ardhshme të Kongresit Popullor Kombëtar.

Gërshëra midis të pasurve dhe të varfërve do të ngushtohet. Ndihmat për të papunët dhe për pensionistët do të përshtaten me inflacionin. Dhe do të bëhen investime më të mëdha për hapësira banimi, të cilat të mund të blihen nga shumica e njerëzve.

China Jahrestag 19 Jahre nach Tiananmen Massaker Parade
Policia paramilitare në Sheshin Tiananmen, PekinFotografi: AP

Mobilizimi forcave të sigurisë

Por Pekini duket se edhe vetë nuk është i bindur tamam për masat e tij: një thirrje anonime për demonstratë në faqen e emigrantëve kinezë në internet "Boxun" vërtet që nuk mobilizoi demonstrues, por ama një numër të madh forcash të sigurisë. E tillë ishte gjendja në 20 shkurt e edhe njëherë një javë më vonë.

Kjo në një kohë kur shumica e njerëzve as nuk e kishin marrë vesh thirrjen, thotë Victoria Hui:"Shumë pak njerëz kishin dijeni për këtë thirrje. Dhe prej atyre që e dinin, askush nuk besonte se do të ndodhte gjë."

Qeveria kineze me sa duket e mori shumë seriozisht thirrjen: mbi 100 kritikë të njohur të regjimit dhe avokatë të të drejtave të njeriut u vendosën nën arrest shtëpie ose u arrestuan. Serveri i Boxunit u bllokua përmes një sulmi piratësh interneti. Ndërkohë, thirrja e ardhshme për demonstratë është publikuar për të dielën pasuese në Facebook dhe në Twitter. Por këto adresa interneti janë në Kinë po kaq pak të shfrytëzueshme sa Boxuni.

Autor: Mathias von Hein/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama