1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Shansi gjerman dhe shqiptarët”

Arben Muka20 Qershor 2014

Gazetarja Mimoza Cika Kelmendi prezanton në Tiranë përmbledhjen me mbi 40 intervista me protagonistë të politikës në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Prishtinë në raportet me Bonin, e me protagonistë të diplomacisë europiane.

https://p.dw.com/p/1CN82
Mimoza Cika Kelmendi
Mimoza Cika KelmendiFotografi: Mimoza Cika Kelmendi

Prej 23 viteve jeton në Gjermani, ndërkohë që 21 prej tyre i ka kaluar duke kontribuar për Deutsche Wellen. Mimoza Cika Kelemendi e emocionuar duke prezantuar librin e saj në Tiranë, në shoqërinë e kolegëve gazetarë, politikanëve, studiuesve, shkrimtarëve, botuesve dhe studentëve thotë se ““ndjehem mirë që kam shlyer një borxh për Shqipërinë”, por edhe nuk e fsheh mirënjohjen për qëndrimin në Gjermani, “ku mësova standardet e profesionit dhe u kultivova si një qytetare europiane”. Libri i saj më i fundit “Shansi gjerman dhe shqiptarët” është një përmbledhje e intervistave më të mira që ajo ka zhvilluar për mikrofonin e DW-së, ku të ftuar të saj kanë qenë personalite prominente nga Shqipëria dhe rajoni, por dhe nga kancelaritë europiane.

Buch von Mimoza Cika Kelmendi
Fotografi: DW/A. Muka

Libër me vlerë referenciale për komunitetin e gazetarëve

Ky botim ka një vlerë të dyfishtë për lexuesin shqipfolës, thotë për DW, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, bashkëorganizator i ceremonisë së prezantimit të librit. “Një vlerë e shtuar e bibliografisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dinamikës politike. Por nga ana tjetër duke pasur përmbajtje vetëm në një zhanër, në intervistë, mendoj se ky botim ka vlerë referenciale për komunitetin tonë, veçanërisht për gazetarët më të rinj.”

Zëvendësdrejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi përmendi fluksin e temave dhe këndvështrimeve që trajtohen në libër, një larmi që e bën interesant dhe të dobishëm për lexuesin e gjerë. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, Bashkim Zeneli kujtoi bashkëpunimin me autoren e librit që nga koha kur kanë punuar në Televizionin Shqiptar, si dhe vijimin e këtij bashkëpunimi në kohën kur Mimoza Cika Kelmendi ka punuar për redaksinë shqipe rë Deutsche Welle-s.

Buch von Mimoza Cika Kelmendi
Gazetarja Mimoza Cika Kelmendi prezanton librin e saj në TiranëFotografi: DW/A. Muka

“Dua të veçoj periudhën e Luftës së Kosovës, kontributin e jashtëzakonshëm të Mimozës dhe përkushtimin professional në mbulimin e zhvillimeve shumë të vrullshme. Libri që kemi sot në duar evokon dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Gjithmonë kam menduar se Gjermania e ka mbështetur në mënyrë sistematike Shqipërinë, por në këtë partneritet të saj, ajo nuk na ka ‘llastuar', ose ‘përkedhelur', siç mund të ketë bërë ndonjë partner tjetër. Miqtë gjermanë gjithmonë na kanë thënë në sy dhe të vërteta, na kanë kritikuar dhe sugjeruar për probleme të ndryshme të tranzicionit. Dhe kjo duhet vlerësuar në këtë bashkëpunim që mes nesh.”

Vullneti dhe ambicia për cilësi në botime

Botuesi i librit, Naim Zoto, u shpreh për DW-në se ky është kooperimi i tretë me autoren. “Më herët kemi bashkëpunuar për librin “Kadare ndryshe” në vitin 2009, një botim që është rishtypur sërish këtë vit, si dhe për librin “Kosova si çështje europiane”që ka dale në qarkullim para dy viteve. Më pëlqen vullneti dhe ambicia që shfaq për cilësi në punimet e saj.”

Buch von Mimoza Cika Kelmendi
"Shansi gjerman dhe shqiptaret"Fotografi: DW/A. Muka

Gjatë ceremonisë promovuese të librit të ri “Shansi gjerman dhe shqiptarët” në mënyrë të pashmangshme diskutimi përfshiu dhe rolin e ndikimin në audiencën shqipfolëse të Deutsche Welles, mbulimit profesional të zhvillimeve nga Shqipëria, rajoni, Gjermania dhe bota, si dhe mbështetjen që është dhënë për kualifikimin e stafeve të mediave lokale. Siç dhe e ka cilësuar shkrimtari i madh Ismali Kadare, “Deutsche Welle për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ka shërbyer dhe shërben si një media që sjell standardet e një vendi të zhvilluar demokratik, siç është Gjermania. DW ka dhënë një kontribut të madh në vetëdijësimin e qytetarëve për demokraci. Ajo mbetet për shqiptarët zëri i së vërtetës dhe zëri i së ardhmes së tyre në familjen e madhe europiane.”