1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA dëbojnë 35 diplomatë rusë

30 Dhjetor 2016

SHBA e akuzojnë Rusinë se me sulme të qëllimshme piraterike ndaj komunikimit me email të Demokratëve ndikuan zgjedhjet presidenciale në SHBA. Uashingtoni tani reagoi zyrtarisht dhe vendosi sanksione kundër Moskës.

https://p.dw.com/p/2V21T
Washington Präsident Obama im Weißen Haus
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/P. M. Monsivais

SHBA bënë të ditur të enjten se dy komplekse ndërtesash në Maryland dhe në New York, të përdorura nga personeli rus për aktivitete të shërbimeve të fshehta, do të mbyllen. Hyrja për në kompleksin e ndërtesave do t'u ndalohet të gjithë diplomatëve rusë që nga e premtja pasdite, bëri të ditur gazeta New York Times.

Presidenti i SHBA që po largohet, Barack Obama nënshkroi edhe një dekret për shpalljen "persona të padëshiruar" të 35 agjentëve të shërbimit të fshehtë rus. Përfaqësuesve diplomatikë iu dhanë 72 orë kohë për t'u larguar nga SHBA. Sanksionet dhe dëbimet janë përgjigje për "përpjekjet për të dëmtuar interesat e SHBA" nga ana e Rusisë, tha Obama në Uashington. Ato janë përgjigje ndaj "shqetësimit agresiv ndaj zyrtarëve të SHBA dhe operacioneve kibernetike" me synim zgjedhjet e muajit të kaluar në SHBA. "Të gjithë amerikanët duhet të alarmohen nga veprimet e Rusisë", tha Obama në deklaratën e tij.

Ambasada ruse në Washington DC
Ambasada ruse në Washington DCFotografi: picture-alliance/AP Images/J. Scott Applewhite

Sanskionet e SHBA drejtohen kundër Shërbimit Ushtarak Rus GRU dhe Shërbimit të Fshehtë të Brendshëm FSB, të cilat SHBA i akuzojnë si përgjegjëse për sulmet ndaj kompjuterave të organizatave politike. Nga sanksionet janë të prekura edhe tri punonjës të rangut të lartë të GRU dhe tri sipërmarrje, që i kanë mbështetur këto shërbime në operacionet e tyre.

Shërbimet e fshehta amerikane mendojnë se piratët rusë të internetit kanë depërtuar me aprovimin e Kremlinit në fushatën elektorale të SHBA në sistemin e kompjuterave të Partisë Demokratike të kandidates për Presidente, Hillary Clinton. Një sërë emailesh të partisë u publikuan edhe përmes platformës Wikileaks. Clinton u vu në situatë të vështirë prej këtyre veprimeve.

Moska: Sanksionet janë joproduktive

Obama u bëri thirrje aleatëve të SHBA që t'u kundërvihen përpjekjeve të Moskës për "të ndërhyrë në drejtimin demokratik të qeverisë". Presidenti demokrat amerikan bëri të ditur më tej se bashkëpunëtorët e tij do t'i paraqesin së shpejti Kongresit amerikan një raport të hollësishëm për veprimet ruse në fjalë.

Ministria e Jashtme ruse deklaroi në një deklaratë të parë se sanksionet e reja janë joproduktive. Ato vetëm e dëmtojnë rivendosjen e marrëdhënieve bilaterale. Njëkohësisht, Rusia bëri të ditur se do të reagojë "në mënyrë të përshtatshme" ndaj masave ndëshkimore të SHBA. Presidenti i ardhshëm i SHBA, Donald Trump gjithmonë ka shprehur dyshim për raportet e shërbimeve të fshehta. Masa që merr Obama është një dekret presidencial dhe Trumpi mund ta anulojë atë menjëherë pas ardhjes në pushtet në 20 janar.