1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290910 USA Telekommunikationsgesetz

29 Shtator 2010

Për t'i kontrolluar më mirë bisedat mes terroristëve ose kriminelëve, qeveria amerikane planifikon ashpërsimin e ligjit për telekomunikimin. Autoritetet argumentojnë se ligji duhet t'u përshtatet zhvillimeve teknike.

https://p.dw.com/p/PPgt
Përgjimet konvencionale pasohen nga përgjime me programe kompjuterike
Përgjimet konvencionale pasohen nga përgjime me programe kompjuterikeFotografi: dpa - Bildfunk

Deri tani në SHBA janë të ndaluara përgjimi i telefonatave përmes sistemit Skype, leximi i mesazheve që dërgohen përmes chat-it në Facebook apo përgjimi i një videokonference që zhvillohej përmes internetit. Përgjimet deri më sot lejoheshin vetëm në rastin e bisedave telefonike klasike apo përmes celularit. Autoritetet amerikane synojnë tani që ligji t'u mundësojë përgjimin e të gjitha llojeve të bisedave apo të komunikimit në chat, shërbime që deri tani janë të mbrojtura prej një sistemi elektronik shifrimi.

Aktualisht kanë filluar bisedimet mes FBI, Ministrisë së Drejtësisë, Shtëpisë së Bardhë, Agjencisë për Sigurinë Kombëtare si dhe institucioneve të tjera. Juan Zarate nga Center for Strategic and International Studies i tha stacionit PBS se ligji nuk është aq i përparuar sa teknika:

"Teknologjia e komunikimit është zhvilluar më tej dhe qeveria nuk ka asnjë mundësi, për të ndërhyrë për përgjime. Ideja që qëndron pas kësaj nisme është që qeveria do të shmangë cepa të tillë në rrjet që nuk mund të përgjohen si një telefonatë e zakonshme.“

Gangsterët e sotëm preferojnë të shkruajnë mesazhe me celular në vend që të telefonojnë, citon gazeta "Washington Post" Peter Modafferi, shefin e kriminalistikës në Rockland County, N.Y. Në 90% të të gjitha rasteve ka prova në formë elektronike, por që ne nuk mund t'i shqyrtojmë dhe t'i përdorim për shkak të ligjit, thotë ai.

Gjoba eventuale për ata që kundërshtojnë përgjimin

Sipas njoftimeve të „New York Times“ informaticienët duhet t'i programojnë tani programet në mënyrë të tillë që organet e sigurisë të kenë mundësi të përgjojnë çdo lloj komunikimi online. Ai që nuk është dakord me këtë duhet të paguajë sipas planeve gjoba. Kevin Bankston i OJQ-së për të drejtat e njeriut Electronic Frontier Foundation është i tmerruar prej këtyre planeve. Ai mendon se ato janë një frenë për novatorizmat:

“A do t'i shkonte Mark Zuckerbergut ndonjëherë në mendje që të zhvillonte në dhomën e tij të konviktit një platformë të tillë si Facebook-u në rast se do t'i duhej të mendonte edhe për mekanizmat e kontrollit apo në rast të kundërt për gjobën? A do të kishte ndonjëherë sukses ´Skype në rast se qeveria do të kishte mundësinë që të përgjonte bisedat? Nuk e besoj.“

Ekspertët tërheqin vëmendjen se përgjimi do të bëhet vetëm pas lejes së organeve të drejtësisë. Por kritikët mendojnë se programe të tilla që lejojnë përgjimin mund të përdoren edhe prej piratëve të internetit, kriminelëve apo spiunëve.

Edhe pse ende nuk është vendosur asgjë, në opinionin amerikan kanë filluar sërish diskutimet se si mund të ruhet barazpesha e drejtë mes sigurisë kombëtare dhe ruajtjes së sferës private.

Autor: Nicole Markwald/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi