1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA fsheh të vërtetën

21 Mars 2012

Opinioni publik botëror u shokua kur në fillim të muajit Mars një ushtar amerikan vrau 16 civilë në Afganistan. Por eksperti John Tirman thotë për DW-në se vrasja e civilëve është e zakonshme dhe rrallë herë e ndëshkuar

https://p.dw.com/p/14Ojy
Fotografi: Jon Sachs

DW: Robert Bales, ushtari që akuzohet për masakrën e Kandaharit në fillim të këtij muaji për momentin ndodhet në qeli në pritje të gjyqit. Si e shikoni ju këtë çështje?

Tirman: Çështja e civilëve të vrarë u kthye akoma më shumë në vëmendien e medias pas ngjarjes së fundit në Afghanistan ku një ushtar vrau 16-të civilë, mes të cilëve nëntë fëmijë. Sigurisht të vjen keq kur dëgjon për një ngjarje të tillë, por unë dua të theksoj se shumë civilë të tjerë nuk janë vrarë në këtë mënyrë mizore. Pjesa më e madhe e tyre kanë humbur jetën gjatë operacioneve që konsiderohen rutinë, si kontrollet e shtëpive, postoblloqet në rrugë, bombardimet në zona të caktuara, etj.

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Leon Panetta, ka deklaruar se Bales mund të dënohet me vdekje. Por si do të veprojë SHBA-ja nëse një grup ushtarësh vrasin civilë të pafajshëm?

Tirman: Ne kemi kulturën e imunitetit. Duke parë shkallën e vrasjeve sipas meje SHBA është përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 200 mijë civilëve në Irak. Ushtria amerikane thotë se misionet e saj kanë në shenjestër terroristët. Ata përdorin këtë fjalë dhe rrallë herë pranojnë se ishte një incident, të paktën në deklaratat e para. Për shembull në masakrën e vitit 2005 në Haditha, në provincën e Anbar, në raportimet e para të marinsave amerikanë flitej për 15-të civilë të vrarë nga një bombë e vendosur në rrugë nga kryengritësit, por në të vërtëtë 24 civilë u vranë nga marinsat, një ushtar humbi jetën dhe civilët nuk u vranë nga ndonjë bombë e vendosur në rrugë. Ky mund të jetë një incident i njohur, por na jep një pamje të qartë se si ushtria shtrembëron në mënyrë rutinore shkakun e vdekjes së viktimave. Unë fokusohem tek kjo ngjare sepse të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në të vërtetë. Të shumtën e rasteve ne nuk kemi informacion tjetër përveç atij që na jep ushtria. Ndoshta një reporter mund të intervistojë disa dëshimtarë në ngajrje, por kjo ndodh shumë rrallë për të mësuar edhe versionin e palës tjetër. Sipas meje ushtria është përpjekur të lidhë vdekjen e viktimave civile me forcat armike. Haditha u zbulua për faktin se një grup i të drejtave të njeriut shoqëroi për në vendngjarje një gazetar, i cili më më pas shkroi për ngjarjen.

Por Calvin Gibbs, oficeri i cili udhëhoqi “skuadrën vrasëse” në Afganistan u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë ushtarake amerikane...

Tirman: Për aq kohë sa nuk shqetësohen për fajësinë, nuk ka as përgjejgësi, përveç rasteve të këtyre mizorive. Por edhe për rastin e Hadithas asnjë nuk do të shkojë në burg edhe pse dihet që në atë incident u vranë 24 civilë, pasi marinsat hynin shtëpi më shtëpi duke hedhur granata kur nuk kishte asnjë provë se në to fshiheshin kryengritës. Pothuajse të gjitha vikitmat që u vranë në atë incident ishin të pafajshme dhe nuk ishin kryengritës, prandaj natyrisht që ti pret që të ketë pasoja për një çështje të investiguar dhe dokumentuar mirë nga ushtria dhe e pasqyruar në media, por asnjë nuk ka dhënë llogari për atë që ndodhi në Haditha.

Pse ndodh kështu?

Tirman: Për pjesën më të madhe të ngjarjeve nëse ka viktima mbrojtësit e ushtarëve do të thonë se ata ishin duke vepruar brenda rregullave të angazhimit të tyre dhe rregullat e angazhimit janë shumë të gjera. Ato nuk janë të publikuara, janë sekrete, por në themel rregullat e angazhimit informojnë ushtarët se kur është e lejueshme përdorimi i forcës vdekjeprurëse. Nga ajo që dimë ne për rregullat është se ato janë shumë të gjera. Kurdoherë që një ushtar ndihet i rrezikuar, edhe pse ndaj tij nuk po qëllohet me armë, ai ka të drejtë të qëllojë për të vrarë, duke përfishrë edhe rastin kur personi tjetër është i paarmatosur. Kjo gjë i'u jep liri veprimi për të vrarë ushtarëve.

Kjo është arsyeja pse ka shumë civilë të vrarë?

Tirman: Përveç kësaj duhet të shtojmë edhe një tjetër problem me sjelljen. Sondazhet e bëra me ushtarët tregojnë se ata janë shumë armiqësorë kundrejt civilëve. Një e treta e ushtarëve i shikojnë civilët si armiq dhe më pas është e qartë se do të ndodhë diçka tragjike kur ata të shkojnë në luftë. Unë mendoj se ka shumë oficerë dhe ushtarë që nuk sillen si duhen. Unë nuk dua të bëj me faj çdo ushtar të Shteteve të Bashkuara sepse mendoj se shumica e tyre bëjnë gjënë e duhur duke mbrojtur civilët dhe sulmuar terroristët. Problemi është se kemi të bëjmë me shumë rekrutë të cilët nuk janë të mirë trajnuar, në disa raste nuk kanë as një diplomë gjimnazi dhe trajnohen për tu bërë vrasës e jo paqeruajtës. Atje përballen me shumë probleme dhe kur kthehen sërish në Afganistan apo Irak frustrohen, pësojnë goditje psikologjike dhe trauma. Pra ka shumë presion, gjë që më pas çon në vrasjen e civilëve.

Cila është mënyra më e mirë për të mbrojtur civilët?

Tirman: Mos shkoni në luftë.

John Tirman është Drejtor Ekzekutiv për Kërkimet Shkencore Parimore pranë Qendrës për Studime Ndërkombëtare. Tirman është autor, bashkëautor dhe redaktor i 12-të librave për marrdhëniet ndërkombëtare, duke përfshirë së fundmi edhe “The Deaths of Others: The Fate of Civilians in America's Wars” “Vdekja e të tjerëve: Fati i civilëve në luftrat e Amerikës”.

Autorë: Dennis Stute / A. Topi

Redaktoi: E. Ahmeti