1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA kërcënon një tërheqje të të gjithë trupave nga Afganistani

afp dpa rtr/mck26 Shkurt 2014

Uashingtoni po tregohet i paduruar, sepse presidenti i Afganistanit vazhdon të shtyjë nënshkrimin e marrëveshjes së sigurisë me SHBA. Megjithatë, presidenti amerikan i lë ende një shans të hapur Kabulit.

https://p.dw.com/p/1BFW0
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mosmarrëveshjet mes SHBA-së dhe Afganistanit lidhur me angazhimin e mëtejshëm ushtarak të Amerikës ka arritur kulmin. Presidenti Barack Obama ka njoftuar Ministrinë e Mbrojtjes për mundësitë parapërgatitore të një tërheqje komplet të trupës ushtarake amerikane nga Afganistani deri në fund të këtij viti. Këtë lajm e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë. Për këtë Obama ka informuar me telefon presidentin afgan Hamid Karzai. Arsyeja për këtë është refuzimi në mënyrë të përsëritur nga Karzai për të nënshkruar një marëveshje sigurie me Shtetet e Bashkuara. Ai kritikon faktin që ushtarët amerikanë mund të dalin në gjyq për vepra penale para gjykatave në SHBA, por jo në Afganistan. Uashingtoni e sheh firmosjen e kësaj marrëveshje si të detyrueshme, për të lënë një pjesë të trupave të saj në Afganistan edhe pas tërheqjes në vitin 2014, në mënyrë që të angazhohen në luftën ndaj talebanëve.

Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara janë të hapura për nënshkrimin e marrëveshjes edhe më vonë gjatë këtij viti. Në njoftim thuhet se nëse qeveria afgane e nënshkruan marrëveshjen, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbajnë një forcë të “kufizuar” në Afganistan, pas vitit 2014, që do të fokusohej në trajnimin e forcave afgane dhe udhëheqjen e misioneve antiterror. Bëhet fjalë për deri 8000 ushtarë që do të qëndrojnë veçanërisht për qëllime trajnimi.

Njoftimi i SHBA-së për tërheqjen e trupave nga Afganistani vjen një ditë para takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel. Edhe Aleanca ushtarake kishte kërcënuar me një tërheqje të plotë të të gjithë ushtarëve nga Afganistani deri në fund të 2014. Diplomatët theksuan ditën e martë (25.02) se deri në tetor të këtij viti ka ende kohë për një vendim përfundimtar.