1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA MH17 është qëlluar gabimisht

av (dpa, afp, rtr)23 Korrik 2014

Avioni i Malaysia Airlines është qëlluar aksidentalisht nga rebelët në Ukrainë, pohojnë shërbimet sekrete amerikane. Hollanda përkujton viktimat me një ditë zie kombëtare.

https://p.dw.com/p/1Ch0c
Fotografi: AFP/Getty Images

Siç njoftoi gazeta "Wall Street Journal", punonjës të shërbimeve të fshehta amerikane i kanë paraqitur gazetarëve të disa mediave dëshmi të shumta, se raketa tokë-ajër e tipit SA-11është hedhur nga separatistët prorusë në zonën e kontrolluar prej tyre në lindje të Ukrainës.

Rebelët ndoshta nuk kanë patur qëllim, që të godasin Boeing 777-200 me 298 njerëz në bord. Ndoshta "një ekip i patrajnuar mirë" nuk e ka zotëruar si duhet sistemin e mbrojtes kundërajrore të tipit Buk. Asnjë nga pasagjerët e avionit nuk e ka mbijetuar katastrofën e së enjtes.

Nuk dëshmohet një pjesëmarrje e drejtpërdrejtë e Rusisë


Sipas informacioneve të mëtejshme të shërbimeve sekrete deri tani nuk ka prova se forcat ruse kanë marrë pjesë direkt në goditjen e MH17. Këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA Ben Rhodes tha në kanalin televiziv CNN, se po shqyrtohet më tej, nëse ekziston një "lidhje direkte" me Rusinë. Pavarësisht nga kjo Moska mban përgjegjësi për të shtënat, sepse ajo mbështet separatistët pro-Kremlinit me materiale dhe trajnim dhe është bashkëshkaktare e situatës së paqëndrueshme në Ukrainë. Edhe pas aksident ajror Rusia nuk e ka ndërprerë ndihmën për rebelët.

Ditë zie kombëtare në Holandë
Ditë zie kombëtare në HolandëFotografi: Bart Maat/AFP/Getty Images

193 nga 298 personat në bordin e avionit MH17 vinin nga Holanda. Boeing ishte rrugës nga Amsterdami për në Kuala Lumpur. Qeveria në Hagë e shpalli këtë të mërkurë ditë zie kombëtare. Dy avionë do të sjellin kufomat nga Ukraina në Eindhoven. Atje do të bëhet identifikimi i të vdekurve. Ekspertët e Interpolit kanë filluar me hetimet e para në Karkiv. Trupat e pajetë janë dërguar në qytetin metropol të Ukrainës.

Hetimet vazhdojnë

Me kërkesë të qeverisë së Ukrainës Holanda ka marrë edhe rolin udhëheqës në hetimin mbi aksidentin. E ashtuquajtura kuti e zezë e avionit, që kishin dorëzuar rebelët, do të vlerësohet në Britani të Madhe. Me ndihmën e pajisjeve të regjistrimit do të bëhen përpjekje për të sqaruar, nëse avioni është rrëzuar, pasi është qëlluar.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin premtoi ndërkohë, se do të shfrytëzojë ndikimin e tij ndaj separatistëve për të sqaruar çështjen e goditjes së avionit. "Ne do të bëjmë gjithçka, që kemi në dorë", tha shefi i Kremlinit, sipas agjencive ruse të lajmeve pas një takimi të këshillit të sigurisë kombëtare në Moskë. Duhen mundësuar hetime gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë Putin kërkoi nga perëndimi, që të ushtrojë presion ndaj qeverisë në Kiev, që luftimet në Ukrainën Lindore të pushojnë.