1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"SHBA-të u angazhuan për Shqipërinë"

Anila Shuka4 Prill 2008

Intervistë e Deutsche Welles në gjuhën shqipe me ekspertin për Ballkanin, Franz-Lothar Altmann, me rastin e zgjerimit të NATO-s.

https://p.dw.com/p/DbJz
Dr. Franz-Lothar Altmann
Dr. Franz-Lothar Altmann

DW: Zoti Altmann, Maqedonia nuk hyri në Nato për shkak të Greqisë, si shikohet kjo në Athinë, ku ju ndodheni momentalisht?

Altmann: Greqia hyri në një situatë nga e cila e ka të vështirë të dalë: Këtu e tëra prezantohet sikur Maqedonia të ketë ende pretendime ndaj Greqisë, duke marrë si shembull që në librat e shkollave të Maqedonisë mund të gjesh hartat e një Maqedonie më të madhe. Kjo ka shërbyer si shembull që Maqedonia po bën një lojë të dyfishtë. Në anën tjetër qeveria në Greqi e ka siguruar shumicën në parlament vetëm me një votë më shumë se opozita. Kjo do të thotë, se në se qeveria do të bënte lëshime, ajo do të shkonte shumë afër rrëzimit. Por unë mendoj, se ky nuk është një argument shumë plauzibël, sepse nga anketimet del që Neo Demorkatia, pra partia qeveritare, udhëheq me një distancë prej 5 ose 6 përqind.


DW: Çfarë do të thotë ky rrefuzim për Maqedoninë?


Altmann: Maqedonia luftoi që të hynte në Nato. Sigurisht që është një zhgënjim i madh dhe mund të ketë pasoja në planin e brendshëm. Qeveria është shumë e dobët, dhe pat shpresuar që të stabilizohej me anëtarësim në Nato. Nuk përjashtohet mundësia që të thyhet koalicioni qeveritar dhe të ketë zgjedhje të reja.


DW: A mund ta shmangte këtë Maqedonia?


Altmann: Unë mendoj se të dyja palët mund të bënin nga një hap pas. Propozimi më i fundit Republika e Maqedonisë (Shkup) mund të përbënte një zgjidhje. Por të dyja palët këmbëngulën në qendrimet e tyre.


DW: Mendoni se ekziston një mundësi reale që Maqedonia tani të orientohet më shumë nga Rusia?


Altmann: Jo aspak, Maqedonia nuk mund të presë asgjë nga Rusia. Përse do të duhet të angazhohet Rusia në Maqedoni kur ajo ka Serbinë si partnere, e cila është për Rusinë shumë më e rëndësishme.


DW: Si mund të dalë Maqedonia nga ky qorrsokak? A mendoni se e vetmja zgjidhje për të është që të ndryshojë emrin?


Altmann: Nuk është e thënë që të ndryshojë emrin si të tillë. Mjafton që ajo të pranojë emrin Maqedoni/Shkup ose Maqedoni (Shkup), atëherë ky nuk do të ishte ndryshim emri, por vetëm një zgjerim i vogël. Për këtë nuk do të ishte e nevojshme të ndryshohej as kushtetuta. Në se Maqedonia e pranon këtë propozim, atëherë presioni ndaj Greqisë do të ishte edhe më i madh.


DW: Para samitit u diskutua, se në se nuk hyn Maqedonia, atëherë do të lihej jashtë edhe Shqipëria. Si mendoni ju, përse nuk u realizua një skenar i tillë?


Altmann: Për këtë u angazhua shumë SHBA-ja. Edhe në fjalimin e tij hapës në samit, Bushi u shpreh shumë qartë në fakt për të tre vendet së bashku. Në se do të hynte vetëm Kroacia, atëherë do të ishte një hap mbrapa tepër i madh. Amerika dëshiron ta ketë Shqipërinë në Nato edhe për shkak të porteve dhe për ta përdorur atë si faktor stabilizues në Ballkan. Pra amerikanët u nisën më tepër nga interesat e vete, se sa nga standardet, se a janë plotësuar ato apo jo.


DW: Një pyetje përmbyllëse: Greqia bllokoi pranimin e Maqedonisë, megjithëse të gjithë të tjerët ishin pro. Çfarë do të thotë kjo për Naton vetë?


Altmann: Këtu nuk ka rrugëdalje. Nato-ja nuk mund të marrë vendime mbi bazën e shumicës, ajo duhet t'i marrë vendimet gjithnjë njëzëri, sado të vështira qofshin.


Franz - Lothar Altmann aktualisht ndodhet në Athinë si profesor mysafir pranë Fondacionit Helenik për Politikën e Evropiane dhe të Jashtme.