1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borchardt: Duam bashkëpunim mbi baza partneriteti me autoritetet kosovare

Bahri Cani27 Mars 2013

Misioni i EULEX-it po bën një punë shumë të mirë në Kosovë. Ai është prezent edhe në veri. Misioni duhet të vazhdojë edhe pas vitit 2014, thotë shefi i EULEX-it Bernd Borchardt, në intervistë për Deutsche Wellen.

https://p.dw.com/p/184cL
Fotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Zoti Borchardt, në prag të largimit të tij nga Kosova, paraardhësi juas Xavier Bout de Marnhac, tha se për të kryer këtë mision "Juve ju duhet të keni shumë fat". A keni me të vërtetë nevojë për shumë fat?

Bernd Borchardt: Natyrisht që njeriu ka nevojë për fat. Për taksirat me siguri që nuk kam nevojë. Për fat ka nevojë njeriu gjithmonë në jetë, ndonëse disa gjëra nuk zhvillohen ashtu siç dëshirojmë. Kjo nuk vlen vetëm për shefin e EULEX-it, por për të gjithë....

DW: Natyrisht që të gjithë ne kemi nevojë për fat, por këtu kemi parasysh rëndësinë, vëshitrësinë dhe sfidat e misionit EULEX. Jeni të kënaqur Ju me zhvillimin e situatës dhe me rezultatet e misionit EULEX në Kosovë?

Bernd Borchardt dhe gazetari Bahri Cani.
Bernd Borchardt dhe gazetari Bahri Cani.Fotografi: DW/B. Cani

Bernd Borchardt: Shikoni, është e vërtetë që ne, në njërën anë, po përballemi me pritje të cilat pjesërisht nuk mund t'i realizojmë. Por në anën tjetër po e shoh - gjë që më gëzon shumë - se kolegët e mi po punojnë dhe po bëjnë shumë punë. Ndonjëherë në opinion ka ndoshta mendime më kritike se sa është realiteti. Në deklaratën time të parë në media këtu unë kam shprehur qëndrime kritike ndaj EULEX-it, gjë që reflektonte edhe qëndrimet e mediave evropiano-perëndimore. Por kur erdha këtu dhe e pashë se çfarë është bërë, u impresionova. 330 vendime të gjykatave me pjesëmarrjen e EULEX-it. Ndër to ka dhe vendime kundër personave të nivelit shumë të lartë në këtë vend. Për momentin po vazhdojnë proceset kundër dy ish - ministrave, Fatmir Limajt dhe Bujar Bukoshit. Kjo është impresionuese, sepse e di se sa e vështirë është që të mblidhen dëshmitë dhe provat e duhura, në mënyrë që një gjykatës të mund t'i denojë të akuzuarit. Ja dhe një shembull tjetër për punë të mirë: kur erdha në Kosovë, në veri nisi një valë shpërthimesh me bomba. Janë hedhur mbi 30 granata, bomba dhe koktej-molotov. Policët tanë kanë nisur aksionet dhe patrullat dhe pas dhjetë ditësh kemi pasur vetëm edhe një shpërthim, në një pjesë ku nuk kemi pasur patrulla. Kjo do të thotë se gjërat po lëvizin dhe se kolegët e mi kanë bërë punë shumë të mirë në të kaluarën dhe po bëjnë edhe tani.

DW: Zoti Borchardt, vet ministri gjerman i Mbrojtes Thomas de Maiziere e ka kritikuar EULEX-in në të kaluarën. Ndëkohë që në disa analiza kosovare thuhet se të paktën 11 vende evropiane nuk i kanë dërguar në këtë mision ekspertët e e kualifikuar sa duhet. A jeni të kënaqur Ju me bashkëpuntorët tuaj?

Bernd Borchardt: Qëndrime të tilla kritike kanë të bëjnë me kohën para ristrukturimit të EULEX-it. Asokohe misioni ka qenë më i madh dhe ka prodhuar më pak. Për shembull: Në vitin 2009 kemi pasur vetëm nëntë procese, ku janë ngritur aktakuza nga prokuroria speciale. Vitin e kaluar kanë qenë 45, që do të thotë pesë herë më shumë. Ka dhe shumë të dhëna të tjera, por me rëndësi është që linja e shifrave po shkon gjithnjë e më lart. Kualifikimi i bashkëpuntorëve është parimisht shumë i knaqshëm.

DW: Cilat janë prioritetet në punën tuaj? Cilat janë qëllimet krysore gjatë mandatit tuaj?

Bernd Borchardt: Në kuadër të ristrukturimit kemi shpallur si qëllim bashkëpunimin më të ngushtë mbi baza partneriteti me autoritetet e tjera. Në fillim kemi pasur shumë procese, të cilat janë kryer vetëm prej personelit të EULEX-it. Ndërsa nga fillimi i këtij viti kemi hapur në prokurorinë speciale 17 procese, të cilat po udhëhiqen nga ekipe të përziera, pra EULEX-i dhe kosovarët. Unë dua që gjërat t'i bëjmë së bashku me kosovarët. Poashtu misioni në të kaluarën është marrë më së shumti me lëndën e veprave penale. Por unë besoj se duhet bërë më shumë edhe në fushën e prevencionit, pra parandalimit të veprave penale. Dhe e treta, besoj se në disa gjëra që kanë të bëjnë me veprimin e policisë financiare ne duhet të tërhiqemi nga detyrat ekzekutive. Këtu tani jemi të përfshirë vetëm si këshilltarë. Ne e dimë që kolegët tanë kosovarë janë mjaft të mirë. Ne u ndihmojmë atyre vetëm atje ku është e nevojshme.

DW: Bashkëpunimi mes EULEX-it dhe institicioneve të Kosovës nuk ka qenë gjithmonë i mirë, sepse shpesh janë dëgjuar edhe kërkesa për largimin e këtij misioni nga Kosova. A do të thotë kjo që bashkëpunimi është përmirësuar apo jo?

Bernd Borchardt: Kur erdha në Kosovë unë e kam thënë qartë publikisht dhe u kam thënë institucioneve të Kosvoës se duam një bashkëpunim mbi baza partneriteti. Ne duam që së bashku të mbajmë edhe përgjegjësitë. Përvojat e mia lidhur me bashkëpunimin me autoritett e Kosovës kanë qenë deri tani pozitive. Unë nuk shoh ndonjë problem serioz. Ndonjëherë gjërat zhvillohen më ngadalë dhe jo aq shpejt sa do të dëshiroja, por në përgjithësi bashkëpunimi është i mirë.

DW: A jeni të kënaqur me bashkëpunimin me Brukselin, pasi dihet se Kosovën ende nuk e kanë njohur pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian?

Bernd Borchardt: E di natyrisht që Kosovën nuk e kanë njohur pesë vende të BE-së, por edhe këto vende duan që në Kosovë të përmirësohet funksionimi i shtetit juridik. Ndaj nuk ka probleme të patejkalueshme. Ndonjë herë ka probleme rreth përkufizimit gjuhësor të gjërave, me qëllim që të jemi neutral ndaj statusit të Kosovës, por këto janë vetëm imtësira.

DW: Prej vitit të kaluar po zhvillohet edhe dialogu mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Misioni EULEX është i përfshirë në këtë dialog, sepse është i ngarkuar me zbatimin e disa marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, si për shembull kontrolli i përbashkët i kufirit. A jeni të kënaqur me realizimin e këtyre marrëveshjeve?

Bernd Borchardt: Ka disa marrëveshje lidhur me atë që kosovarët e quajnë kufi e pala serbe linjë administrative, ku edhe ne kemi përgjegjësitë tona. Atje janë të vendosur doganierët dhe policët dhe ne jemi duke i mbështetur ata në mënyrë masive. Për fat të keq, policët kosovarë ende nuk mund të shkojnë të lirë në këtë zonë, përmes rrugëve tokësore. Autokolonat apo veturat tona po pengohen shpesh nga serbët. Ndaj ne presim prej qeverisë në Beograd një ndikim më të madh tek popullata civile serbe në veri që t'i ndërpresë këto aksione.

DW: Një kohë të gjatë EULEX-i ka pasur probleme serioze me praninë në veri. A jeni prezent atje dhe a jeni në gjendje t'i realizoni të gjitha detyrat tuaja atje?

Bernd Borchardt: Ne kemi atje mundësinë të shkojmë në kufi. Kemi një prani masive atje për të ndihmuar shqiptarët dhe serbët dhe për t'i siguruar këta kufij. Problemi është transporti i doganierëve kosovarë. Ne jemi aktiv edhe në disa sektorë të tjerë me prezencë policore, ku janë edhe shumë gjermanë, polakë, sllovenë dhe të tjerë. Kemi edhe mbështetjen e KFOR-it. Ne angazhohemi intensivisht në dy sektorë, por në sektorin e gjykatave kemi mundur të bëjmë shumë më pak deri tani. Ne kemi një gjykatë në pjesën veriore të Mitrovicës, por deri tani nuk kemi mundur të vendosim atje gjykatës shqiptarë apo serbë.

DW: Më parë edhe KFOR-i është ankuar për një bashkëpunim jo tepër të mirë me EULEX-in, me shpjegimin se KFOR-i nuk është këtu për të kryer detyra policore. Si funksionon tani ky bashkëpunim?

Bernd Borchardt: Po, ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ne kemi takime një herë në javë e kur ka nevojë edhe më shpesh. Ne kemi mandate të ndryshme, sepse KFOR-i duhet të kujdeset për sigurinë. Por ka sektorë, ku misionet tona gërshetohen dhe ne mund të bashkëpunojmë shumë mirë. Për shembull, kur duhet të ndihmohet policia në veri në proceset e shpërthimeve me bomba. KFOR-i dhe EULEX-i i ndihmojnë njëri-tjetrit.

DW: Një prej problemeve më të mëdha në Kosovë është korruspioni dhe krimi i organizuar. Mendoni se mund të futen nën kontroll këto, pasi bëhet fjalë për dukuri masive në këtë drejtim?

Bernd Borchardt: Siç e thashë edhe më lart, ne kemi një prokurori speciale për rastet e kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionin e përmasave të larta. Ne kemi 37 vendime të gjykatave, ndër të cilat janë edhe vendimet kundër personave me funsione të larta. Ndër ta është për fat të keq edhe ish-prokurori i prokurorisë speciale. Po zhvillohen edhe proceset kundër dy ish-ministrave. Unë kam takuar edhe udhëheqësin e prokurorisë për korrupsion në Kosovë dhe kemi vendosur që të bashkëpunojmë edhe më ngushtë në të ardhmen. Korrupsion ka në të gjitha vendet në botë dhe është shumë e vështirë që ta spastrojmë atë deri në strofullat e fundit. Me rëndësi është që të vazhdojmë punën dhe që t'i dënojmë fajtorët dhe në këtë aspekt gjërat po shkojnë përpara.

DW: Në Kosovë janë dëgjuar shpesh kërkesa që EULEX-i të largohet për shkak të mosefikasitetit. Në anën tjetër thuhet se Kosova ka nevojë për EEULEX-in, pikërisht për shkak të lidhjeve mes korrupsionit dhe politikës. Edhe sa gjatë ka nevojë Kosova për EULEX-in?

Bernd Borchardt: Mandati ynë zgjat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Se si do të vazhdojë dhe a do të ketë vazhdim të mandatit dhe cili do të jetë karakteri i misionit, kjo varet nga analizat dhe negociatat me financuesit e misionit dhe qeverinë e Kosovës. Ky proces po fillon ngadalë. Gatishmëria për vazhdimin e një misioni pas vitit 2014 ekziston, por ende nuk dihet se cili do të jetë mandati i tij.

DW: Cili është mendimi Juaj, si duhet të jetë mandati?

Bernd Borchardt: Personalisht mendoj se Kosova në veri do të ketë nevojë për mbështetjen e një misioni ndërkombëtar edhe pas këtij afati. Do të ishte e arsyeshme që ky mision të vazhdojë. Gatishmëria për këtë ekziston. Unë kam dhe një mendim të caktuar se si duhet të duket ky mision, por nuk ka kuptim që këtë ta bëj publik para se t'i informojë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.