1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moskau Kirgistan

17 Qershor 2010

Trazirat e përgjakshme në Kirgizi duhet t'ia kenë bërë të qartë Bashkimit Evropian, se qeveria e re duhet ndihmuar më shumë, po qe se BE nuk do të riskojë zgjerimin e mëtejshëm të dhunës.

https://p.dw.com/p/NsrC
Fotografi: DW

Pamjet e refugjatëve uzbekë, të cilët raportojnë për vrasje dhe dhunime në qytetet kirgize Osh dhe Xhalalabad, u zgjojnë evropianëve kujtime nga koha e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Refleksi bën të flitet për të ashtuquajtuarat "pastrime etnike". Në raportimin mediatik, trazirat në jug të Kirgizisë, pa u menduar gjatë shpjegohen me tensionet e vjetra etnike mes pakicës uzbeke dhe pjesës mbizotëruese, kirgize - madje edhe me një lloj nënteksti që përgjithësisht kirgizët janë të inkriminuarit, dhe refugjatët uzbekë - viktimat. Por ky imazh nuk është dhe aq korrekt.

Viktimat janë si uzbekët ashtu edhe kirgizët

Të gjitha informacionet nga brenda rajonit të krizës, bëjnë të qartë, që si kirgizët ashtu edhe uzbekët janë bërë viktima të dhunës. Në kohë që shumë uzbekë etnikë kanë marrë arratinë dejt Uzbekistanit, në Osh dhe Xhalalabad shumë kirgizë etnikë fshihen në shtëpitë e tyre apo në lagjet e barrikadizuara.

Si uzbekët ashtu edhe kirgizët i tremben bandës që aktualisht po përhap dhunë dhe tmerr. Ky formacion dhune herë paraqitet si formacion kirgiz, kur viktimat janë uzbekë, dhe herë si uzbekë etnikë, kur ata që kërcënohen janë kirgizë. Ekspertë nga rajoni raportojnë se aktet e dhunës në grupin përkatës etnik filmohen dhe përhapen me celularë me qëllim të shtimit të frikës.

Valë e planifikuar dhune

Shpërthimi i trazirave në ditën e fillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut nuk është edhe aq rastësor. Ka shumë të dhëna që kjo dhunë të ketë qenë e planifikuar prej kohësh, kujtojmë këtu që të pesë incidentet e shpërthimit të dhunës në Osh, filluan në të njëjtën kohë, siç bëri të ditur OKB-ja. Pra nuk bëhet fjalë për "pastrime etnike", të cilat papritur na u mbështetkan nga pjesë të tëra të popullsisë kirgize, madje edhe të qeverisë. Pas këtyre akteve dhune qëndrojnë forca që përmes destabilizimit të rajonit duan të rrënojnë pushtetin e qeverisë së përkohshme të Rosa Otunbajevës dhe projektin e saj për referendumin e kushtetutës. Nëse këto forca kanë lidhje direkte apo indirekte me presidentin e rrëzuar, Bakijev dhe familjen e tij, që në jug kanë fortesën e tyre, apo nëse këto forca kanë lidhje me mafian e drogës, kjo nuk mund të provohet aktualisht.

Më shumë mbështetje për qeverinë kalimtare


Vendimtare është tani t'i ndihmohet qeverisë së përkohshme të Rosa Otunbajevës, dhe të stabilizohet gjendja në jug, me qëllim të rivendosjes së rendit dhe ligjit, kthimit të shpejtë të refugjatëve, dhe zhvillimit të referendumit të planifikuar më 27 qershor. Evropianët, amerikanët së bashku me rusët duhet të bëhen aktivë. Ka qenë një gabim tragjik i bashkësisë perëndimore, mosmbështetja që në prill e qeverisë së përkohshme në Bishkek.

Një duhet të jetë e qartë: Nëse Kirgizia nuk stabilizohet, atëhere ky vend i vogël aziatikoqendror, apo me shumë gjasa jugu i tij, do të kthehet në një territor të pakontrolluar, ku nuk sundon ligji, i cili nuk do të tërheqë vetëm kriminelët, por edhe forcat islamiste, që prej vitesh veprojnë kundër regjimeve autoritariste dhe laike në rajon. Frika e shtrirjes së dhunës nga Afganistani deri në Azinë Qendrore do të bëhej atëherë realitet.

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi: Aida Cama