1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkarje nga e djathta në Evropë - shkaqet dhe pasojat

Greta Hamann27 Maj 2014

Partitë populiste të djathta fituan mjaft vota në zgjedhjet e BE-së. Në Danimarkë dhe Francë, ata përbëjnë edhe forcën më të fortë. Por ndikimi i tyre ka të ngjarë të mbetet i ulët.

https://p.dw.com/p/1C7KK

Evropa, jo faleminderit: rreth 140 nga 751 deputetët e Parlamentit të ri të BE-së do të jenë të tillë që nuk e duan apo edhe e refuzojnë BE-në siç funksionon ajo sot, pra si lidhje shtetesh. Në shumë nga 28 vendet e BE-së partitë populiste të djathta dhe ato euro-kritike arritën të fitonin mjaft vota.

Më i dukshëm është suksesi i partisë franceze të ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar (FN). Partia anti-evropiane dhe ksenofobe e Marine Le Pen fitoi rreth 25 për qind të votave, 18 përqind më shumë se në zgjedhjet e fundit të BE-së, dhe tani ka 22 vende në parlament. Në Britani partia anti-evropiane UKIP kryeson dhe fitoi 27 për qind (24 vende) duke ia kaluar edhe partisë në pushtet të David Cameron. Partia populiste e djathtë FPë fitoi në Austri 20.5 për qind të të gjitha votave në vend. Edhe vendet skandinave zgjodhën disa parti të djathta në parlament.

Rezultatet e zgjedhjeve duhen parë në kontekstin kombëtar

Politologu Tim Spier nuk i sheh rezultatet e zgjedhjeve në mënyrë aq drastike sa paraqiten ato aktualisht në shumë media. Ai nuk sheh një heqje të përgjithshme dore nga Evropa. "Sigurisht këto shifra duhet të na bëjnë të mendohemi." Por rezultatet duhet gjithmonë të shihen megjithatë në kontekstin kombëtar, thotë Spier, i cili merret në Universitetin e Siegenit me studime në fushën e populizmit të djathtë. Edhe politologu Klaus Goetz mendon se zgjedhjet për Evropën nuk janë të njëjta si ato kombëtare. Në këto zgjedhje votuesit janë të prirur më tepër që të protestojnë.

Politologu Tim Spier
Politologu Tim SpierFotografi: privat

Jo grup i madh parlamentar i të djathtëve ekstremë

Edhe pse në parlamentin e ri do të ketë mjaft deputetë kritikë ndaj Evropës, nuk pritet të ketë një grup parlamentar të të djathtëve ekstremë. Partia britanike Ukip dhe ajo daneze Partia Popullore Daneze thanë se nuk do të hyjnë në një aleancë të madhe anti-evropiane me Front National nga Franca. Sipas politologut Tim Spier Front National do të përpiqet të hyjë në alenacë me partinë PVV të holandezit Geert Wilders dhe të djathtët nga Austria dhe Suedia. Por edhe në rast se krijohet një lidhje e tillë ta do ta kenë të vështirë të realizojnë interesat kombëtare në një parlament transnacional, mendon eksperti Tim Spier.

Marine Le Pen dhe Geert Wilders
Marine Le Pen dhe Geert WildersFotografi: picture-alliance/dpa

Zgjedhësit janë të pakënaqur

Në rast se duam të parandalojmë që njerëzit t'ua japin votën e tyre partive ekstreme, ata duhet të jenë më mirë nga gjendja ekonomike, mendon politologu Tim Spier. Më shpesh për partitë më radikale votojnë njerëzit që jetojnë nën nivelin e përgjithshëm të mirëqënies në vendin e tyre. Rezultatet aktuale treguan gjithashtu se njerëzit po ndjejnë edhe ndikimin social të krizës financiare të euros. "Ne nuk mund ta konceptijmë më veten vetëm si një bashkim ekonomik, por edhe si një bashkim shoqëror. Por kjo është një detyrë prej Herkuli, që nuk është e thjeshtë të realizohet" - mendon Tim Spier.