1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Navid Kermani nderohet me çmimin 'Kleist'

Sönje Storm / Esat Ahmeti18 Nëntor 2012

Gjermano-iraniani është një shkrimtar dhe dijetar i njohur islam. Për romanin e tij "Emri yt" ai nderohet me çmimin 'Kleist' për vitin 2012. Kështu ai vlerësohet si një "vizionar për të ardhmen."

https://p.dw.com/p/16l2V
Fotografi: picture-alliance/dpa

Orientalisti gjermano-iranian Navid Kermani ka bërë emër në dekadën e fundit, si një analist politik në debatet shoqërore për Islamin, integrimin apo ndalimin së fundi të rrethprerjes (synetisë) në Gjermani. Ai është autor i librave të vlerësuar lart për fenë islame dhe si një urë-ndërtues midis kulturave: ai shkruan rregullisht artikuj nga vendet arabe, Irani, Egjipti, Siria. Kermani është nderuar disa herë për punën e tij - për shembull, me Çmimin Hannah Arendt apo së fundi me çmimin "Cicero". Tani për romanin e tij "Emri yt" atij i është ndarë çmimi 'Kleist'. Një çmim me të cilin nderohen "shkrimtarët që nuk i përtojnë rrezikut" dhe të cilët ashtu si shkrimtari Heinrich von Kleist mund të konsiderohen si "vizionarë të së ardhmes", thuhet në faqen e internetit të çmimit 'Kleist'.

Një roman si një topth brumi

Një "topth gjigand brumi" e ka quajtur Navid Kermani romanin e tij: 1200 faqe, ku ndryshojnë vazhdimisht perspektivat dhe stilet. Njëherë lexuesi e gjen heroin e romanit në brekët e përdorura të gruas së tij, njëherë në një konferencë shkencore. Teksti me të cilin është shkruar romani të duket njëherë si ditar, njëherë si dokumentar, ngjarja zhvillohet sa në Këln, sa në Iranin e viteve të '60-ta. "Në këtë brumë janë përfshirë të gjithë përbërsitë së bashku, përbërës të ndryshëm që kthehen në një tërësi", thotë Kermani në bisedë me Deutsche Wellen. "Dhe edhe kjo mund të thuhet për librin tim: ekzistojnë qëllime dhe motive të ndryshme edhe mendime, edhe aktualitete dhe kohëra."

Kopertina e romanit "Emri yt" - Navid Kermani
Kopertina e romanit "Emri yt" - Navid KermaniFotografi: Hanser Verlage

"Emri yt" përshkruan jetën e një burri i cili si Kermani kishte lindur në vitin 1967 në Siegen si djali i një mjeku iranian dhe po ashtu si ai është dijetar i habilituar i fesë islame. Personazhi kryesor i romanit quhet Navid Kermani. Ai nuk duhet të ngatërrohet me Kermanin e vërtetë, autorin e romanit. Megjithatë ngatërrimi është i dëshiruar.

Kermani eksploron tranzicionin letrar mes realitetit dhe fiksionit. Pesë vjet e shoqëron romani egon e tij të vjetër. Ai reflekton luftën e tij kur ai përpiqet të gjejë formën e paraqitjes letrare, regjistron progresin e dorëshkrimit të librit. "Romani duket kështu", thotë Kermani "sikur ai është një ditar, që mbahet në avion, i shkruar në tren, sikur të ishte nga jeta reale, por megjithatë ai është një roman, pra art dhe natyrisht, jo jeta e vërtetë. Kjo është detyra e një romani: për të dhënë imazhin e një tërësie, një lloji të tërësisë".

Një jetë si një roman

Navid Kermani përdor jetën e tij si model të romanit. Ai udhëton rregullisht për në botën arabe - jo si reporter i krizës, por në kërkim të historive përtej raporteve të lajmeve. Ai sjell me vete reportazhe të mrekullueshme të cilat gjithmonë arrijnë një nivel letrar. Udhëtimi i tij i fundit e dërgoi atë gjatë kësaj vere në Siri. Ai ka pyetur njerëzit për jetën e tyre të përditshme në Damaskun e bombarduar, një këpucar, një inxhinier, një mjeke në repartin e reanimacionit Ai thotë për reportazhet e tij: "Reportazhet janë po aq të rëndësishme për mua sa edhe romani apo librat e mi shkencor. Ato zgjerojnë horizontin tonë për atë se çfarë ndodh në vendet e tjera përej titujve kryesor të lajmeve të përditshme. Ato bëjnë që ne të jemi më të ndieshëm për njerëzit për të cilët vetëm flitet në lajme dhe shpesh cilësohen si barbarë."

Portret i Heinrich von Kleist
Portret i Heinrich von KleistFotografi: public domain

Kermani bën ecejake mes disiplinave të gazetarisë, shkencës dhe letërsisë. Romani i tij reflekton gjithë këto si në përmbajtje ashtu dhe në stil. "Unë kam qenë gjithmonë një person politik", thotë Kermani. "Edhe shkrimi i një reportazhi është politik, njëjtë si romani dhe librat e mi shkencorë, unë nuk do t'i ndaja ato."