1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Zgjedhje të parakohshme parlamentare në prill të 2016

Fatos Musliu2 Qershor 2015

Zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare në Prill të vitit 2016, ndërkohë duhet të bëhen ndryshime në Kodin zgjedhor dhe listën zgjedhore.Kjo marrëveshje u arrit pas bisedimeve maratonë në rezidencën e BE në Shkup.

https://p.dw.com/p/1FauN
Nikola Gruevski Premierminister Mazedoniens 19.06.2014
Fotografi: MIA

Biseidmet u zhvilluan mes eurokomisarit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Johannes Hahn dhe katër liderëve të partive më të mëdha politike në Maqedoni. "Jemi në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje për krizën politike në Maqedoni. Javën e ardhshme bisedimet me katër liderët e partive më të mëdha politike në Maqedoni do të vazhdojnë në Bruksel", u shpreh eurokomisari Hahn, i cili e dha deklaratën në prezencë të kryetarit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe liderit të opozitës shqiptare Menduh Thaçi.

Pas takimit të martën (02.06)në Shkup, komisioneri Hahn do të udhëtojë për në Uashington, ku në takimet me administratën amerikane dhe në Kongres me një theks të veçantë do të bisedojë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Është paralajmëruar edhe një takim i veçantë me ndërmjetësuesin e OKB për tejkalimin e mosmarreveshjeve rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqise, Metju Nimic.

Opozita këmbëngul në formimin e qeverisë kalimtare

Para fillimit të bisedimeve të sotme në Shkup, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev rikonfirmoi se opozita maqedonase mbetet në kërkesat e saj për dorëheqje të Gruevskit, kryeprokurorit Zvrlevski, menaxhmentit të Radio Televizionit shtetëror dhe të gjithë zyrtarëve të prekur nga afera e përgjimeve. Zaev si të vetme rrugëdalje nga kriza sheh formimin e qeverisë kalimtare.

Mbi 80 shoqata civile përmes një letre publike të drejtuar komisionerit Johannes Hahn kanë kërkuar formimin urgjent të qeverisë kalimtare si mënyra e vetme për dalje nga kriza. OJQ-të përmes kësaj letre kanë kërkuar nga zyrtarët evropianë të ndihmojnë në çrrënjosjen e politikave diktatoriale dhe vendosjen e vlerave evropiane në Maqedoni.

PDSH shton kërkesa të reja në bisedimet e liderëve

Kryetari i opozitës shqiptare, Menduh Thaçi, para fillimit të bisedimeve ka informuar se partia e tij, PDSH, ka përgatitur 7 pika që kanë të bëjnë me çështjen e avancimit të pozitës të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo parti kërkon hapjen e dialogut për statusin juridiko-kushtetues të shqiptarëve, të ketë konsensualitet dhe të eliminohet sistemi i margjinalizimit të shqiptarëve. Gjithashtu kjo parti kërkon që në tryezën e bisedimeve të flitet edhe për ndarjen e re territoriale, për buxhetin proporcional dhe deetnizimin e simboleve shtetërore.

Bisedimet midis liderëve të partive politike me eurokomisarin Hahn kanë qenë hermetikisht të mbyllura për mediat dhe përveç Hahn askush tjetër nuk ka dhënë deklaratë publike për rrjedhën e bisedimeve.