1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkupi dhe Athina nuk afrohen në qëndrimet për emrin

Fatos Musliu12 Shtator 2013

Maqedonia dhe Greqia vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje recipokisht të pranueshme për çështjen e emrit.

https://p.dw.com/p/19gL8
The photos were taken by me, Fatos Musliu, in the press conference of Mr Metju Nimic, wich was held in Skopje , and they can be used by DW. Press Conference was hodl in the bilding of the Goverment of Macedonija.
Metju NimicFotografi: DW

Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic, pas takimeve të zhvilluara me krerët më të lartë në Maqedoni u prononcua lidhur me takimet e tij të realizuara në Athinë dhe Shkup. Nuk ka zgjidhje mes Maqedonisë dhe Greqisë në lidhje me propozimin e prillit, u shpreh Metju Nimic në Shkup. “Në Athinë ka dy probleme në lidhje me propozimin tim, vendpozicionin e përcaktimit gjeografik dhe vëllimin e përdorimit të emrit të kontraktuar. Në Shkup kam marrë qëndrim, i cili është në pajtueshmëri me pozicionet afatgjata strategjike të vendit”, është shprehur Metju Nimic.

Sipas tij nuk është kontestuese se termi Maqedoni duhet të mbetet në emër, por pala greke insiston në përdorimin e përgjithshëm të emrit të kontraktuar, gjë që nënkupton përdorimin e tij zyrtar në institucione, në marrëveshjet, në OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare. Gjithnjë sipas Nimic, pala greke insiston dhe nuk lëshon pe në qëndrimin për përdorimin e përgjithshëm të emrit, me qëllim që ai të përdoret edhe brenda edhe jashtë Maqedonisë. Ai ka ritheksuar se propozimi, i cili është shqyrtuar nga pala maqedonase dhe greke, përmban termin Maqedoni, por palët negociuese nuk po kuptohen, se në cilin vend duhet të jetë përcaktimi gjeografik i termit Maqedoni.

Matthew Nimitz UN Sondervermittler in Mazedonien
Fotografi: Petr Stojanovski

“Jam i mendimit se emri duhet të përmbajë fjalën Maqedoni, sepse vendi juaj është në rajonin e Maqedonisë, andaj është e logjikshme që të figurojë emri Maqedoni, por Maqedonia nga aspekti i historisë nuk është e kufizuar vetëm në territorin e tanishëm të Maqedonisë, një pjesë e madhe e Maqedonisë tani është në Greqi, andaj patjetër duhet të ketë përcaktim gjeografik, i cili duhet të tregojë dallimin”, ka thënë Metju Nimic.

Nimic: Emri i ri i Maqedonisë pa përmbajtje etnike

Ndërmjetësuesi i OKB-së i ka vlerësuar si të pabaza spekulimet e mediave greke, se si emër është propozuar që Maqedonia të quhet Maqedoni sllovene dhe shqiptare. Sipas ndërmjetësuesit ai gjatë kësaj periudhe asnjëherë nuk ka propozuar që emri i ri i Maqedonisë të përmbajë shenja etnike.

Pas qëndrimit në Shkup ndërmjetësi, Metju Nimic, sërish do të qëndrojë në Selanik, ku duhet ta informojë palën greke për qëndrimet e Shkupit lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit. Pas Selanikut ndërmjetësi kthehet në Nju Jork, ku ka paralajmëruar takimin e shpejtë midis bashkëbiseduesve të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis.