1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet për paqe në Lindjen e Mesme

Pandeli Pani21 Korrik 2013

Pas gati tre vjet pezullimi në bisedimet për paqe në Lindjen e Mesme pritet të ketë përsëri lëvizje, madje që javën e ardhshme.

https://p.dw.com/p/19BCt
Fotografi: Reuters

Ministri amerikan i Punëve të Jashtme John Kerry njoftoi të premten në mbrëmje (19.7.) që negociatori palestinez Saeb Erekat mund të takohet ditët e ardhshme me ministren izraelite Tzipi Livni në Uashington. Pytjes nëse kjo mund të shihet si fillimi i negociatave të drejtpërdrejta midis dy palëve, përfaqësuesi i qeverisë amerikane iu përgjigj me: "po." "Në emër të Presidentit Obama, kam kënaqësinë t'ju njoftoj se ne kemi arritur një marrëveshje që krijon një bazë për rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta për statusin final mes palestinezëve dhe izraelitëve. Ky është një hap i rëndësishëm dhe i mirëpritur përpara." - tha John Kerry.

Kerry und Abbas in Amman 17.07.2013
Kerry dhe Abbas në Aman, 17.07.2013Fotografi: picture-alliance/dpa

Westerwelle: Hap i parë drejt rifillimit të procesit të paqes së Lindjes së Mesme

Në kuadër të takimit të BE-së për të ardhmen e Evropës që po zhvillohent në Mallorca ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle tha se e përshëndet marrëveshjen për rifillimin e bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme. "Ky është një rezultat shumë i mirë i përpjekjeve intensive për ndërmjetësim i Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry dhe mund të jetë një hap i parë për të vënë në lëvizje procesin e paqes. Gjermania dhe partnerët evropianë do ta mbështesin me të gjitha forcat këtë proces." - tha Westerwelle.

Treffen der Syrien-Kontaktgruppe Westerwelle
Guido WesterwelleFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërtimi i ngulimeve të reja arsyeja pse procesi i paqes ka ngecur në vend

Për sa kohë Izraeli do të vazhdojë të ndërtojë ngulime në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, procesi i paqes me Palestinën nuk mund të funksionojë, mendon eksperti për Lindjen e Mesme Michael Lüders. "Arsyeja pse procesi i paqes ka ngecur në vend që nga viti 2010 është se Izraeli vazhdon politikën e ndërtimit të ngulimeve të reja. Dhe për shkak se nga ana amerikane nuk ka asnjë presion mbi Izraelin, kjo as nuk do të ndryshojë." - mendon eksperti për Lindjen e Mesme.

Nëse mbajmë parasysh se Partia Likud, partia më e madhe dhe më të fortë në Izrael që drejtohet nga Netanjahu, tha shumë qartë gjatë fushatës zgjedhore se nën drejtimin e saj nuk mund të ketë asnjë shtet palestinez në perëndim të lumit Jordan, atëherë natyrisht e vështirë t'i përgjigjesh pyetjes se ku duhet të krijohet një shtet palestinez, thotë Michael Lüders.

Westjordanland israelische Siedlung Ofra bei Ramallah
Izraeli nuk heq dorë nga politika e ndërtimit të ngulimeve të rejaFotografi: Reuters

"Problemi është se një pjesë e madhe të opinionit izraelit, territoret e pushtuara, në perëndim të lumit Jordan nuk i konsideron si territore të pushtuara, por si pjesë të tokës së premtuar biblike  të "Eretz Izraelit" pra si zemra e territoreve hebreje. Dhe në dritën e këtij perceptimi, është shumë e vështirë për të gjetur me palestinezët një kompromis territorial." - mendon eksperti për Lindjen e Mesme Michael Lüders.