1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania thirrje për shmangje të dhunës

6 Maj 2017

Reagimet pas shtyrjeve të zgjedhjeve bashkiake të 7 majit në Kavajë - përqëndrimi tek dialogu me opozitën dhe në evitimin e trazirave dhe destabilizimit

https://p.dw.com/p/2cWDJ
Albanien Treffen zwischen Premierminister Edi Rama und Oppositionsführer Lulzim Basha
Fotografi: DW/A. Muka

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp  të zhvilluar të premten pasdite ( 5 maj 2017) deklaroi se  i ka sugjeruar citoj " kandidatit të PS në Kavajë të terhiqet nga gara të dielën pasi PD ka përgatitur një plan konkret për të shkaktuar trazira të dielën në Kavajë. "Ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë. Këto janë fakte, por që Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan që me vendosmëri do ta çojmë deri në dështimin e plotë” tha kryeministri Rama. 
 

Nuk ka shtyrje të zgjedhjeve të 18-qershorit

Ai  rikonfirmoi se nuk ka shtyrje të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershortit. "18 qershori është përcaktuar sipas Kushtetutës dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet të garantojnë dhe jo të ndërmjetësojnë të drejtat e popullit sovran”, theksoi kryeministri Rama.

Albanien | Proteste in Tirana
Protesta e 18 ShkurtitFotografi: Getty Images/AFP/G. Shkullaku

Gjermania- Mbështesim shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake të së dielës në Kavajë

Në një deklaratë zyrtare për DW ambasada Gjermane në Tiranë ka shprehur mirëkuptim për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë, të planifikuara për pasnesër, më 7 maj, citoj” për të mbajtur të hapur kësisoj rrugën për bisedime mes qeverisë dhe opozitës në interes të një zgjidhjeje të krizës aktuale politike dhe pjesëmarrjes sa më të gjerë të partive politike në zgjedhjet parlamentare” 

"Ne mbështesim përpjekjet e palëve të përfshira për të vazhduar këtë dialog me qëlllim për të gjetur një zgjidhje në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë . Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin veprime që mund të ndikojë që një protest paqësore të shndrrohet në dhunë” thuhet në deklaratën e ambasadës gjermane për DW.

Në zgjedhjet bashkiake në Kavajë opozita nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë. Tërheqja e kandidatit socialist e bën të pamundur zhvillimin e tyre këtë të dielë.

SHBA - Dhuna nuk ka vend në  procesin demokratik

Mbështetje për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë dhe apel për shmangie të dhunës kanë shprehur sot edhe SHBA. Në një deklaratë të ambasadës amerikane në Tiranë u bëhet thirrje "të gjitha partive politike që të mos angazhohen në akte që mund të nxisin dhunë dhe veçanërisht në akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”, theksohet në deklaratën e ambasadës së SHBA në Tiranë.

Edi Rama
Fotografi: Getty Images/AFP/D. Dilkoff

Vazhdojnë negociatat Rama- Basha që PD të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit

Ndërkohë negociatat Rama-Basha, të ndërmjetësuara nga Presidenti i Republikës, Nishani  për të arritur një kompromis që PD të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit vazhdojnë që prej 2 ditësh. Por negociatat ngecin përderisa palët vazhdojnë të kenë qëndrime të papajtueshme lidhur me pranimin e ofertës së negociatorëve të përzgjedhur nga BE, europarlamentarët McAllister dhe Fleckenstein. Në ofertën e tyre nuk është përfshirë kërkesa nr. 1 e opozitës në protestën e saj: dorëheqja e kryeministrit Rama dhe formimi i një qeverie teknike për ta çuar "vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme". Opozita akuzon qeverinë Rama, ”se do të blejë votat ” me paratë e drogës dhe kanabis”. Oferta e negociatorëve të Parlamentit Europian u pranua nga kryeministri Rama.

Në negociatat e këtyre dy ditëve të fundit , të ndërmjetësuara fuqishëm nga BE dhe SHBA, palët vazhdojnë të kenë qëndrime krejt të kundërta lidhur me krijimin e qeverisë teknike.

Ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel që vizitoi kohët e fundit Tiranën deklaroi se "qeveria teknike nuk eshte e nevojshme” dhe i bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në zgjedhje. Por protesta e opozitës për një qeveri teknike vazhdon dhe ka ka hyrë në muajin e saj të tretë.

BE dhe SHBA janë shprehur se zhvillimi i zgjedhjeve të 18 qershorit dhe rezultati i tyre janë legjitime edhe pa pjesëmarrjen e PD, më të madhes në opozitë në Shqipëri, por kanë paralajmëruar se mospjesëmarrja e PD e bën vulnerabël stabilitetin e vendit.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana