1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri:Gjendje e jashtëzakonshme prej rreshjeve të dendura

1 Dhjetor 2017

Rreshjet e dendura dhe të vazhdueshme të shiut e kanë sjellë Shqipërinë(1/12/2017) në një situatë rreziku të përmbytjeve masive.

https://p.dw.com/p/2odUM
Albanien Tirana - Hochwasser
Fotografi: Operational Unit for Flooding in Primiership

Shirat filluan dy ditë më parë duke arritur më shumë se 100 mm në 24 orë dhe sipas parashikimit të motit ato do të vazhdojnë deri më 5 dhjetor.  Opozita i kërkon qeverisë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Zyra Operacionale në kryemnistri publikoi të premten (01.12)dhëna për situatën dhe dëmet e deritanishme. Kanë humbur jetën dy persona: një elektricist që po riparonte një shtyllë telefoni në Fier dhe një burrë, që po shoqëronte për në spital nënën e tij të sëmurë që humbi jetën kur autoambulanca për shkak të rreshjeve të fuqishme doli nga rruga. Janë 3 persona të plagosur që po marrin ndihmë mjekësore në spital. 222 banesa janë përmbytur në Fushë-Krujë dhe 2696 hektarë tokë janë të përmbytura në të gjithë vendin. Të gjitha shkollat janë mbyllur dhe mësimi është ndërprerë. Autostrada Tiranë - Durrës, disa akse dhe rrugë kryesore në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug janë të bllokuara nga rreshjet dhe balta. Dy lumenj në Tiranë, Erzeni dhe Lumi i Tiranës kanë dalë nga shtretërit e tyre. Nga lumi Erzen janë përmbytur 20 banesa në Shijak. Ndrësa uji nga Lumi i Tiranës ka arritur në katin e parë të Spitalit të Traumës në Tiranë, i njohur ndryshe si Spitali Ushtarak. Një natë më parë, kur intesiteti i rreshjeve të shiut u rrit në më shumë se 10 mm në orë dhe ky intensitet vazhdoi pa ndërpreje për rreth një orë shikueshmeria në pistë u ul shumë. 4 fluturime - 2 në nisje dhe 2 në mbrritje - nuk mund  të përdornin pistën e aeroportit. Zbritjet e dy avionëve në mbrritje u bënë në aeroportin e Shkupit dhe  të Barit dhe pasagjerët u akomoduan nga kompanitë e fluturimit në hotele. Udhëtimi u krye në mëgjes (1.12)dhe zbritja në pistën e aerodromit "Nënë Tereza" u krye pa probleme. Edhe fluturimi në nisje i kompanise Turkish Airlines për Stamboll dhe kompanisë Ernest për Milano u kryen gjatë ditës. Fluturimi një ditë më parë i Austrian Airlines nga Vienna për Tiranë u anullua.

Lumi Vjosa arrin në 6 metra lartësi dhe del nga shtrati

Zonat më të rrezikuara janë ato pranë brigjeve të lumit Vjosa dhe derdhjes së tij në det. Burime zyrtare nga Komiteti i Koordinimit për Emegjencat Civile dhe Krizat bëjnë me dije për DW, se uji në lumin Vjosa ka kaluar gjashtë metra lartësi dhe ka dalë nga shtrati i tij pranë urës së Mifolit. Zonat pranë lumit Vjosa në bashkinë e Vlorës dhe të Fierit rrezikojnë të përmbyten. Komiteti për Emergjencat Civile dhe Krizat u ka bërë thirrje banorëve të evakohen sa më shpejt bashkë me bagëtinë dhe gjënë e gjallë.

Parashikohen fenomene të pazakonta Hidro-Meteorologjike

Zyra Operacionale në Kryemnistri paralajmëroi popullsinë e rrezikuar që të bashkëpunojë pa vonesa dhe pa hezitime me organet kompetente shtetërore për t'u evakuar sa më parë, pasi moti do të vazhdojë të mbetet i rrezikshëm. "Parashikohen fenomene të pazakonta hidro-metereologjike. Situata shumë kritike, duhet shmangur katastrofa", theksohet në thirrjen e kësaj zyre. Janë vënë në përdorim të gjithë helikopterët e ushtrisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për ҫdo emergjencë. Ushtria po shpërndan ushqime në fshatrat dhe shtëpitë e izoluara, ku ende nuk është arritur të bëhet evakuimi i banorëve. Krahas forcave të ushtrisë edhe ato të policisë janë në qarqet më të rrezikuara, në Fier, Vlorë, Berat, Fushë Krujë, Shijak, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë. Hotelet dhe mjetet e transportit publik dhe privat në këto dy qarqe janë angazhuar në evakuimin e qytetarëve, që banojnë në zonat e rrezikuara nga dalja prej shtratit e lumit Vjosa. Metreologët parashikojnë që sasia e rreshjeve deri të premten në mbrëmje do të arrijë sasinë që zakonisht bie në 30 ditë. Udhëtimet me traget në dy vendet fqinjë- Itali dhe Greqi- janë anulluar.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana