1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri, koha për një vendim politik të BE për statusin e vendit kandidat

Ani Ruci3 Qershor 2014

Në Tiranë greva e urisë e të larguarve nga puna në administratën publike hyri në ditën e saj të 14-të. Çfarë ndikimi mund të kenë zhvillimet aktuale në vendimin për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë?

https://p.dw.com/p/1CB0q
Greva e urisë
Fotografi: DW/A. Ruci

17 vetë po qëndrojnë brenda tendave të bardha, të ngritura pranë selisë së kryeministrisë, në qëndër të kryeqytetit, për të protestuar ndaj largimit nga puna, që sipas tyre ka shkaqe politike. Nertila Qafzezi, drejtuesja e grevës së urisë, thotë për DW:

“Kjo grevë është organizuar nga shoqata ”Për mbrojtjen e të larguarve nga administrata”. Ne jemi pushuar për bindjet tona politike të djathta.”

Greva mbështetet nga Partia Demokratike në opozitë, sipas të cilës numri i të larguarve nga puna është shumë i madh. Por qeveria e kundërshton këtë dhe deklaron se largimet nga puna janë bërë për shkak të reformave, ristrukturimit të administratës publike dhe domosdoshmërisë për të rritur efikasitetin e saj dhe shkuar hap pas hapi drejt standarteve të BE. Burime zyrtare qeveritare thanë për DWse ndër ankimimet e të pushuarve nga puna janë konstatuar vetëm 400 raste largimesh të padrejta, të cilat po shqyrtohen me vëmendje. Nertila Qafzezi thotë se ndihet e braktisur dhe pa shpresë, pasi nuk sheh solidaritet qytetar dhe përvec deputetëve të opozitës “asnjë nga organizatat ndërkombëtare, të pranishme në Shqipëri, nuk ka ardhur të na vizitojë.”

Situatë politike konfliktuale dhe e provokuar

Greva e urisë erdhi në vijim të një acarimi të skajshëm të debatit parlamentar dhe akuzave të opozitës ndaj qeverisë Rama për përfshirje në trafikun e drogës nga ajri. Alfred Lela, analist i pavarur, zv.kryeredaktor i gazetës “MAPO”, e cilëson konfliktuale situatën aktuale dhe pasojë të qëndrimeve të skajshme politike.

Alfred Lela: situata aktuale konfliktuale dhe pasojë e qëndrimeve të skajshme politike
Alfred Lela: situata aktuale konfliktuale dhe pasojë e qëndrimeve të skajshme politikeFotografi: DW/A. Ruci

“Këto qëndrime kërcënojnë vazhdimisht normalitetin në Shqiperi, madje e vrasin atë. Të dyja palët, si opozita edhe mazhoranca, jetojnë brenda një keqkuptimi të madh: e para mendon se nuk i ka humbur zgjedhjet, ndërsa e dyta se mund të bëjë ç'të dojë me zgjedhjet e fituara. Fakti se edhe humbja edhe fitorja kanë qenë bindëse, nuk i bind palët për mekanizmin e madh të demokracisë, që është përkohësia. Në Parlament ka patetikë dhe jo politikë”, thotë Alfred Lela.

Por Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë , thotë për DW se situata konfliktuale nuk është reale, por e provokuar.

“Konflikti parlamentar është i stisur, acarimi i situatës politike është i komanduar dhe artificial. Situata konfliktuale vjen në thelb nga rezistenca e kastës politike, që komandon opozitën zyrtare, për të mos lejuar auditimin e qeverisjes së kaluar dhe ardhjen e një klime të re, asaj të ndëshkueshmërisë dhe ligjshmërisë. Nuk ka shembje as të shtetit, as te ligjit prej narkotrafikut, siç pretendon opozita. Perkundrazi, shteti pas rënies së qeverisjes së djathtë është më i angazhuar, ai nuk është i kapur prej shumicës së re qeverisëse, pasi institucionet e larta kushtetuese drejtohen prej përfaqësuesve, që janë mandatuar gjatë qeverisjes së djeshme të PD, sot në opozitë”, thotë Aleksandër Çipa.

Politika - jo një bankë, ku lahet e shkuara

Rrënjët e frymës konfliktuale në të bërit politikë në Shqipëri duket se shkojnë përtej të sotmes dhe periudhës së tranzicionit të vështirë të Shqipërisë nga diktatura në demokraci.

“Kjo situatë i ka rrënjët tek kultura komuniste e zhbërjes së kundërshtarit, e ‘të jetuarit si në rrethim', e ‘grupeve armiqësore' brenda e jashtë partisë. Fundi i saj do të jetë mesi, që do të thotë politika të qendrës dhe jo e ekstremeve. Fundi gjithashtu do të vijë, kur politika të mos shihet si rrugë pasurimi e promovimi; kur politika të mos jetë një bankë, ku lahen kreditet e pista të së shkuarës së individit. Por, fatkeqësisht, ky fund nuk është e afërt”, thotë për DW, Alfred Lela

Për analistin Aleksandër Çipa, në krijimin e situatave konfliktuale luajnë rol individët.

Aleksandër Çipa: Situata konfliktuale nuk është reale, por e provokuar.
Aleksandër Çipa: Situata konfliktuale nuk është reale, por e provokuar.Fotografi: DW/A.Muka

“Mendoj se në këtë rast kryeprotagonist është kryeministri Berisha. Me gjuhën dhe ngasjen gati të përditshme po rikthen në Parlament agresivitetin dhe konfliktin dhe po kriminalizon gjithe komunikimin dhe ligjërimin politik. Kjo situatë shmanget, nëse kryesimi i opozitës zyrtare futet shpejt në kohë në pistën e konkurimit me ide dhe projekte të reja politike. Në të kundërt, agresiviteti dhe gjuha konfliktuale e opozitës politizon gjithçka dhe bjerr stabilitetin politik dhe atë shoqëror. Besoj që pas muajit qershor në skenën politike, por sidomos në raportet pozitë-opozitë do të ketë një situatë dhe raport të ri.”

Koha për vendim politik të BE për statusin e vendit kandidat për anëtarësim?

Qershori, që sapo ka hyrë, është muaji i shpresës së rradhës për Shqipërinë: pas tre refuzimesh njeri pas tjetrit të aplikimeve për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, këtë muaj pritet rezultati i aplikimit të katërt. A do të ndikojë situata politike aktuale në vendimin e Këshillit Europian?

“Mendoj se BE do të gjykojë temperamentin e konfliktit: a është ai artificial apo i njëmendtë; a është i injektuar, apo viral? Bazuar mbi këtë do të merret një vendim. Por, shpresoj se do të ketë një vendim politik të Unionit në raport me Shqipërinë, per kete ka ardhur koha,. Që do të thotë, si në rastin e NATO-s, të thuhet një ‘po' politike, pavarësisht zjarrmisë së brendshme”, thotë Alfred Lela.

Ndërsa Aleksandër Çipa sheh improvizimin e incideteve të rënda si rrezik, që mund të ndikojë negativisht në vendimin e BE lidhur me statusin.

“Nuk mendoj se situata konfliktuale do të ndikojë në opinionin e KE për Shqipërinë. Ndikon vetëm, nëse në ditët e mbetura nga vendimi i pritur prej Brukselit befas improvizohet, apo gjeneron një situate, apo incident dramatik. Për këtë qeveria e kryeministrit Rama nevojitet jo vetëm të shumëfishojnë syçeltësinë e tyre, por edhe të administrojnë kontrollin e gjendjes dhe të realitetit”, thotë Aleksandër Çipa

Ndryshimi – nga duhet të fillojë?

Pothuajse 25 vjet pas shembjes së regjimit komunist rrënjët e politikës konfliktuale, gjuhës agressive dhe refuzimit të përqafimit të kulturës politike europiane të tolerancës gjenden pikërisht në periudhën e atij regjimi. Një vend, që shpreson të jetë në fund të këtij muaji kandidat për anëtarësim në BE, nga duhet ta fillojë ndryshimin?

“Ndryshimi thonë, fillon së pari nga vetja. Secila palë duhet të hedhë një sy nga interesat e vendit dhe jo ato vetjake, të grupit apo partiake. Na duhen njerëz në politikë, që duan të ndryshojnë diçka në këtë vend, e jo që kërkojnë një punë, para, apo prominencë. Drejtësia është sigurisht e përfolura e madhe dhe me të drejtë. Jemi një vend i korruptuar, ku elitat kërkojnë vazhdimisht pushtetin absolut, i cili, dihet, korrupton absolutisht. Jemi pra në një forma mentis, që duhet ndryshuar. Ndëshkimet, sigurisht, do të ndihmonin”, thekson Alfred Lela.

Ndërsa Aleksandër Çipa mendon se ndryshimi ka si parakusht mospolitizimin e luftës kundër korrupsionit dhe zbatimin me dorë të hekurt të ligjit.

“Ndryshimi nis prej atij që qeveris: së pari ai duhet t'ia dalë mbanë të ndryshojë lojën e kundërshtarit. Shumica parlamentare dhe sidomos qeveria lypset të shuajnë dhe të çbëjnë çdo arsye dhe shkak konflikti, për të cilin opozita jo vetëm që mbetet dhe dëshmon ngasje, por edhe ka nevojë për shkak të gjendjes së saj të brendshme. Kohën nevojitet ta fitojë kryeministri Rama. Struktura dhe institucione të antikorrupsionit, apo organit të akuzës duhet të marrin më shumë rol dhe autoritet vetëveprues për të zbatuar me dorë të hekurt ligjin. Duhet të krijohet një referencë e re integriteti dhe veprimi antikorrupsion, që të udhërrëfehet prej ligjit. Në të kundërt do të ripërsëritet edhe më keq historia e ripolitizimit të luftës kundër korrupsionit dhe ajo e rikapjes politike të drejtësisë për llogari të politikës.”