1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri - Maqedoni: Takimi i dy presidentëve në Shkup

20 Nëntor 2017

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në takimin me homologun e tij Ivanov tha: Të dy vendet më tepër duhet të shpenzojnë kohë për bashkëpunimin dhe ndërtimin e së ardhmes se sa për ta gjykuar njëri-tjetrin.

https://p.dw.com/p/2nwho
Albanien Tirana Ilir Meta
Fotografi: Reuters/F. Goga

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta po zhvillon një vizitë dyditore në Maqedoni. Në takimin me presidentin e Maqedonisë Gjeorgje Ivano, Meta theksoi: "Unë besoj që Shqipëria dhe Maqedonia mund të jenë një shembull për të gjithë  sa i përket bashkëpunimit rajonal. Do të shpreh kënaqësinë që faktori politik shqiptar është i orientuar qartë drejt stabilitetit dhe bashkëjetesës dhe drejt integrimit në BE dhe NATO. Si president i Shqipërisë jam krenar për pakicën maqedonase që kemi në Shqipëri dhe vlerat që i jep ajo vendit tonë”, u shpreh presidenti Ilir Meta. Maqedonia si anëtare e NATO-s, nuk është sukses vetëm për vendin, por edhe për tërë rajonin, sepse ajo paraqet faktor për siguri në këto kohëra turbulence, nënvizoi Meta.
Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, theksoi, se Shqipëria dhe Maqedonia së bashku kanë filluar rrugën drejt NATO-s, por pasi Shqipëria u bë anëtare, Maqedonia tani pret mbështetjen e saj në këtë proces. "Maqedonia pret nga Shqipëria ndihmë për t'u bërë anëtare e NATO-s, t'i ndihmojë që të marrë ftesë për antarësim, ndërsa sa i përket BE-së dhe atë që Maqedonia ka bërë deri tani dhe me gjithë ekeperiencën e saj, i është në shërbim të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së", u shpreh presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov. Sipas Ivanov këmbimi tregtar i të dy vendeve aq të afërta nuk është në nivel të kënaqshëm, sipas komunitetit të biznesit, problem kryesor është infrastruktura, gjegjësisht lidhja hekurudhore, si dhe lehtësimi për akses deri tek porti i Durrësit.
 

Meta: Gjykim me standarde evropiane

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta inkurajon autoritetet e Maqedonisë për hetim dhe proces gjyqësor transparent për rastin e Kumanovës. Kreu i shtetit shqiptar Meta deklaroi se nuk mund të bëjë deklarata për çështje të brendshme të Maqedonisë sa i përket çështjes Kumanova, por tha se pret nga autoritetet maqedonase që të respektojnë standardet europiane në gjykim. 

"Nuk mund të ndërhyj në çështje konkrete që kanë të bëjnë me funksionimin e drejtësisë dhe ligjit në Maqedoni, por shpresoj, dëshiroj dhe inkurajoj që fazat e tjera të këtij procesi gjykimi të jenë sa më transparente dhe sipas standardeve europiane", tha Meta. 

Ivanov: Vendimi do të jetë në harmoni me Kushtetutën

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov theksoi, se është duke ndjekur nga afër debatin dhe procedurën parlamentare për projektligjin për përdorimin e gjuhëve. Ivanov tha se për ta dekretuar ligjin, i njëjti nuk duhet të bjerë ndesh me Kushtetutën e vendit. "Në kabinetin tim kanë ardhur një numër i madh i mendimeve të ekspertëve, kështu që kur ligji do të më adresohet mua atëherë edhe do të prononcohem.  Ligji për gjuhët  duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe interesat shtetërore”, deklaroi presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov.

Në takimin mes Ivanov dhe Metës u fol edhe çështja e kryetarit të Pustecit, Edmond Themellko, i cili aktualisht po vuan paraburgimin për shkak të dyshimeve për keqpërdorime zgjedhore në vitin 2013. Dy presidentët konfirmuan, se për Themellkon kanë biseduar që nga dita e arrestimit tij dhe kërkuan t'i mundësohet trajtim sipas konventave ndërkombëtare, pasi ai aktualisht është në gjendje të rëndë shëndetësore.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut