1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paketa e re penale për vrasjet - më e ashpra në 20 vitet e fundit

Ani Ruci13 Qershor 2013

Paketa e re ligjore për ashpërsimin e dënimeve synon një efekt: parandalimin e vrasjeve. Komiteti Shqiptar i Helsinkit e kritikon paketën e thotë se krimi nuk luftohet vetëm me rritje dënimesh.

https://p.dw.com/p/18oeo
Ndërtesa e Ministrisë së Drejtësisë në TiranëFotografi: DW

Javën e kaluar në Shqipëri hyri në fuqi Paketa e re Penale për dënimin e autorëve të vrasjeve. Zbatimi i saj pritet të ulë numrin në rritje të vrasjeve në Shqipëri dhe të rrisë sigurinë e jetës së qytetarëve. Sipas raportit të policisë në vitin 2012 u kryen 125 vrasje ose 5 % më shumë se një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri ka një tendencë në rritje e vrasjeve në rrethana rënduese, të cilat nga 46 procedime në vitin 2011, kane shkuar në 72 procedime në vitin 2012. Kurse Komiteti Shqiptar i Helsinkit në raportin për vitin 2012, mbi situatën e respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri konstaton se gjatë vitit 2012, ka pasur një numër të lartë të vrasjeve dhe është rritur krimi brenda familjes. Në mënyrë të veçantë ky raport cilëson “flagrante dhe makabre” vrasjen e 24 grave dhe dëmtimin shumë të rëndë të shëndetit të 4 grave të tjera, si rezultat i krimit brenda familjes.

Paketa e re penale - rrit sigurinë publike dhe garanton jetën e qytetarit

Paketa e re penale shihet si një mjet i fuqishëm parandalues ndaj krimit të vrasjes, që do të sjellë sigurinë publike dhe do të japë një garanci më shumë për jetën e qytetarëve. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi tha për DW se kjo paketë është më e ashpra në 20 vitet e fundit të Shqipërisë dhe të tranzicionit nga diktatura në demokraci.

Eduard Halimi Tirana, 4.4.2013
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në bisedë me Ani RucinFotografi: DW/A. Ruci

“Për vrasjen e policëve dënimi minimal është 38 vjet kurse maksimali 40 deri në burgim të përjetshëm. Për vrasje të tjera dënimet variojnë nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm në vartësi të rrethanave rënduese në të cilat kryhen. Nuk do të ketë më dënim më të ulët se 30 vite burg, deri në burgim të përjetshëm, për këdo që ngre dorë ndaj policëve, vret për gjakmarrje, ngre dorën mbi gruan dhe vajzën. Dhuna seksuale ndaj të miturve duke sjellë vdekjen e tij nuk do të ketë dënim më të vogël se 25 vite burgim. Po kështu edhe mbajtja e armëve të zjarrit nuk do të ketë dënim më të ulët se 7 vite burg, kur nuk sjell pasoja dhe do të jetë pa të drejtë lirimi me kusht. " theksoi Z.Eduard Halimi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit - kritikon paketën e re penale për krimin e vrasjes

Por për ndikimin e paketës së re penale në uljen e numrit të vrasjeve dhe rritjes së sigurisë për pjesën e qytetarëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka rezerva dhe është skeptik. Drejtorja Ekzekutive e këtij Komiteti, Vjollca Meçaj , thotë pë DW se hartimi i kësaj pakete nuk u parapri nga një studim i shkaqeve qe kanë rritur krimin e vrasjes.

Albanien Tirana Situation der Gefängnisse, Hintergründe
Vjollca Meçaj- Drejtore ekzekutive e Komitetit të HelsinkitFotografi: DW/Muka

“Pa studiuar këto shkaqe, pa ndërmarrë masa për t'i përmirësuar, vështirë se ashpërsimi i dënimeve dhe rritja e viteve të burgimit për autorët e vrasjeve do të sjellë rezultatet e dëshiruara. Kjo paketë do të mbipopullojë burgjet në një vend si Shqipëria me fonde të pakta dhe të limituara. Krimit nuk mund t' i kundërvihemi vetëm me ashpërsim të dënimeve. Kush garanton që gjykatat nuk do t'i ulin dhe përgjysmojnë ato, kur nuk ka masa shtrënguese për gjykatësit? Sipas një studimi të qëndrës për Nisma Ligjore dhe Qytetare rezulton se ndër 20 masa të parashikuara nga ligji për gjykatat kur gratë denoncojnë dhunuesin e tyre, gjykatat përdorin vetëm tre të parat. Më pas vjen vrasja e grave nga personi qe ato kanë denoncuar. Në Shqipëri nuk egziston nje qender e specializuar për dhunuesit, ku ata të reabilitohen psikologjikisht. Me pak fjalë paketa e re ligjore nuk mbështetet në një studim paraprak dhe nuk shoqërohet me masa të tjera që prekin rrënjët sociale, ekonomike, burimin real të rritjes së numrit të vrasjeve” thekson Znj. Meçaj.

Ryshfetet - nxjerrin nga burgu të dënuarit për vrasje

Juristi Agim Dishnica, një nga juristë më me përvojë në Shqipëri, e vlerëson paketën e re ligjore si një masë parandaluese që do të ndikojë në uljen e krimit të vrasjes, por e shoqëruar me masa me karakter social, ekonomik dhe antikorrupsion.

Gericht in Tirana Albanien
Fotografi: DW / Ruci

“Ashpërsimi i dënimeve është masa më e thjeshtë dhe jo e vetmja. Pas shtimit të vrasjeve qëndrojnë një sërë faktorësh socialë dhe ekonomikë pa lënë mënjanë nivelin profesional të organeve shtetërore si policia, gjykatësit, prokurorët dhe korrupsionin në rradhët e tyre. Legjislativi duhet të ushtrojë presion mbi gjykatat dhe prokurorët dhe të luftojë me ligj rastet e ryshfeteve, me anë të të cilave të dënuarit për vrasje dalin nga burgu. Rritja e sigurisë publike dhe e jetës së qytetarit nuk mund të vijë automatikisht, me ashpërsim dënimesh me burg kur problem kryesor ështe moszbatimi i ligjeve nga gjykatat dhe prokurorët. Rezultati vjen nga kombinimi i masave shtrënguese me situatën social- ekonomike të qytetarit, me ligje që luftojnë korrupsionin.” thekson juristi Dishnica.