1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri- tranzicion paqësor i pushtetit

Ani Ruci / Tiranë3 Korrik 2013

Pranimi i rezultatit nga pala humbëse dhe marrja e përgjegjësive janë sinjale pozitive për demokracinë në Shqipëri. Tani maxhoranca duhet të të jetë shumë e përgjegjshme që të përligjë besimin që i dha sovrani.

https://p.dw.com/p/191Kv
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit , në 22 vitet e pluralizmit politik, mund të krahasohen vetëm me ato të vitit 1992. E njëjta fitore plebishitare atëhere për PD, tani për PS; i njëjti pranim i rezultati nga palët dhe një përkim rastësor i numrit të deputetëve në maxhorancat përkatëse: 84 deputetë maxhoranca e djathtë e 1992-it , po kaq edhe maxhoranca e tanishme e majtë. Pas më shumë se dy dekadash, pas zigzakesh, hapash para, hapash prapa , Shqipëria hodhi një hap progresiv thelbësor: realizoi zgjedhje të pakontestuara, pala humbëse pranoi rezultatin. Vëmendja e BE dhe e partnerëve ndërkombëtarë është fokusuar tani në realizimin e tranzicionit të qetë, paqësor të pushtetit. Që ai të fillojë duhet të bëhet çertifikimi juridik i përfundimit të procesit zgjedhor dhe i rezultatit të pakontestuar. Kodi Zgjedhor këtë kompetencë ia jep KQZ.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: DW/Arben Muka

Konstitucionalistja Aurela Anastasi thotë për DW se KQZ vazhdon të jetë në një ngërç, pasi si gjatë procesit zgjedhor ashtu edhe tani ky komision funksionon i paplotë, vetëm me 4 anëtarë në vend të 7 syresh. Çertifikimi juridik i rezultatit kërkon një vendim me 5 vota, qe përbëjnë shumicën e kualifikuar, që KQZ nuk i ka. Në këto kushte është hedhur ideja e çertifikimit juridik të rezultatit nga Kolegji Zgjedhor, që është pjesë e pushtetit gjyqësor, është një gjykatë.

“Kjo situatë përbën problem. Çertifikimi i zgjedhjeve është një kompetencë e KQZ, i cili është intitucion i pavarur i administratës zgjedhore. Çertifikimi i rezultatit me anë të Kolegjit Zgjedhor është i sforcuar. Krijohet një precedent jo pozitiv, në kuptimin e zbatimit të parimit të kompetencës, si e quajmë, ne konstitucionalistët. Përderisa çertifikimi juridik i rezultatit është kompetencë e KQZ kjo kompetencë duhet ushtruar po nga KQZ. Kolegji Zgjedhor ka kompetencën të gjykojë rastet kur ka konflikte dhe ankime ndaj vendimeve të KQZ për rezultatin” thotë konstitucionalistja Aurela Anasatasi.

KQZ- partitokracia, konsensusi politik, prioritar ndaj detyrimit ligjor

Juristja e njohur, Drejtorja Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Hesinkit, Vjollca Meçaj, thotë për DW se veprimtaria e KQZ në procesin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit është prirur fuqimisht nga partitokracia, nga konsensusi politik dhe jo nga plotësimi i detyrimit ligjor, që i jep atij Kodi Zgjedhor për të qënë i aftë të marrë vendime me shumicë të cilësuar.

Në foto, Vjollca Meçaj
Në foto, Vjollca MeçajFotografi: DW

“Ka rrugë ligjore për të plotësuar KQZ që ai të ushtrojë kompetencat e tij dhe të bëjë çertifikimin juridik të rezultatit. Kolegji zgjedhor gjykon ankesat nga çertifikimin i rezultatit prej KQZ. Nëse këtë do ta bëjë Kolegji zgjedhor, procesi zgjedhor nuk do të jetë një proces i drejtë nga pikpamja ligjore, pasi kundër vendimit të Kolegjit Zgjedhor, nuk egziston një instancë tjetër ku individi ose subjektet politike të ankohen. Gjykata Kushtetuese e ka përjashtuar veten nga juridiksioni për te gjykuar ankesat nga Kolegji Zgjedhor, që mbetet kështu instanca e fundit. Kjo e bën Kolegjin Zgjedhor të marrrë pushtet absolut dhe asnjë institucion në demokraci nuk ka pushtet absolut”, thotë Znj. Meçaj.

Çështja shtrohet në parim dhe në këndvështrimin e zbatimit të ligjit, pasi deri tani ka vetëm tre ankimime për rezultatin jo nga subjektet politike por nga individë, kandidatët për deputetë, që i janë adresuar KQZ për t'i zgjidhur. Burime zyrtare nga PS thanë sot për DW se nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të anëtarëve të dorëhequr të opozitës në KQZ, pasi dorëheqja e tyre nuk është miratuar nga Parlamenti që vazhdon të funksionojë..

Kushtetuta e Shqipërisë për tranzicionin e pushtetit

Shperndarja e tij, tranzicion i pushtetit nga e djathta ne të majtën, nis pikërisht me çertifikimin juridik të rezultatit të zgjedhjeve.

Në foto: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani
Në foto: Presidenti i Republikës, Bujar NishaniFotografi: DW

“Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që Presidenti i Republikës, të mbledhë Kuvendin e sapozgjedhur jo më tej se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës por jo më vonë se10 ditë pas mbarimit të këtij mandati, i cili mbaron në shtator. Kushtetuta e ka zgjidhur që edhe nëse Presidenti nuk e ushtron këtë kompetencë, atëhere Kuvendi vetëmblidhet në ditën e10-të të afatit të parashikuar nga Kushtetuta. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë sepse rezultati i zgjedhjeve është pranuar nga të gjitha palët”, thotë konstitucionalistja Aurela Anastasi.

Pas kësaj kryeministri i propozuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve, në rastin konkret lideri socialist Edi Rama, dekretohet nga Presidenti i Republikës, për të formuar kabinetin qeveritar me ministrat që ai i propozon. Pas dekretimit edhe të ministrave nga Presidenti i Republikës Kryeministri dhe qeveria e tij duhet të marrin votëbesimin në Parlament.

“Ky është momenti i kalimit të pushtetit nga një forcë politike në tjetrën. Kushtetuta parashikon që qeveria egzistuese të qëndrojë në detyrë deri në këtë moment kur qeveria e re bën betimin dhe fillon punën”, thekson Znj. Anastasi.

Kontradiktë në Kushtetutën e Shqipërisë lidhur me tranzicionin e pushtetit

Drejtorja Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Hesinkit, juristja Vjollca Meçaj mendon se ka një kontradiktë në nenet e Kushtetutës së Shqipërisë lidhur me tranzicionin e pushtetit.

‘Si juriste shoh një kontradiktë mes nenit 65 dhe atij 67 të Kushtetutës lidhur me tranzicionin politik të pushtetit. Neni 65 thotë që kur “flet sovrani të tjerët heshtin” sovraniteti i përket popullit. Populli foli. Pra, ajo forcë politike që ka humbur zgjedhjet nuk mund ta përfaqësojë më popullin. Neni 67 thotë që Presidenti i Republikës duhet të presë përfundimin e mandatit të Kuvendit paraardhës para se të fillojë mandatin Kuvendi i ri. Është një kontradidiktë në frymën, logjikën e përgjithshme të Kushtetutës”, thotë Znj. Meçaj.

Në foto, Sali Berisha
Në foto, Sali BerishaFotografi: picture-alliance/AP Photo

Është fjala për shtetin e së drejtës

Pranimi i rezultatit nga pala humbëse, PD dhe lideri i saj Sali Berisha, marrja e përgjegjësive dhe fillimi i procesit të reformimit të PD janë sinjale pozitive për demokracinë në Shqipëri.

”Ato tregojnë që Shqipëria e ka kaluar fazën emergjente të demokracisë. Çështja është që të mos ketë kthime pas. Ka një sërë problemesh që duhen zgjidhur, pasi është fjala për forcimin e shtetit ë së drejtës. Kemi koncepte të gabuara për shtetin e së drejtës dhe nuk duhet të krijojmë precedentë të moszbatimit të tij. Maxhoranca aktuale ka shumë përgjegjësi në këtë drejtim. Ajo ka 84 vota dhe bën reforma të mëdha me këto 84 vota. Duhet të të jetë shumë e përgjegjshme që të përligjë besimin që i dha sovrani”, thotë konstitucionalistja Anastasi.