1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me çfarë bilanci politik dhe ekonomik hyn Shqipëria në vitin 2013?

Ani Ruci28 Dhjetor 2012

Shqipëria ndonëse pati në 2012 stabilitet makro-ekonomik, dëshmoi një nivel në ulje të demokracisë institucionale dhe humbi për të tretën herë shansin e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

https://p.dw.com/p/17AIF
Author: Ani Ruci, shot in Tirana, 27th november, 2012(DW). 1. Tirana celebrating the Anniversary of Albania 100 years of Indipendence.
Albanien Jahrestag 100 Jahre UnabhängigkeitFotografi: DW/A. Ruci

Stabiliteti makro-ekonomik vazhdoi edhe gjatë vitit 2012 të jetë një nga arritjet e Shqipërisë në fushën ekonomike. Treguesit më të  dukshëm të këtij stabiliteti janë qëndrueshmëria e sistemit bankar dhe vazhdim i investimeve edhe pse ritmet e tyre gjatë këtij viti u ulën. Analisti i pavarur, Aleksandër Çipa, thotë për DW: "Ritmet e investimeve  janë ulur edhe pse Shqipëria gjatë vitit 2012 investoi fuqishëm në infrastrukturën strategjike, por investimet nuk kanë ndaluar. Mendoj se në vitin 2013 Shqipëria do të jetë në një pozicion më të mirë në raport me vendet fqinjë. Por edhe pse hyn në vitin e ardshëm me stabilitet makroekonomik, përcaktues për progresin do të jetë vullneti politik që do të tregojnë udhëheqësit politikë, fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve të 2013-ës", thotë Çipa.

Demokracia institucionale – në ulje

Por skena politike e Shqipërisë gjatë 2012 tregoi se ky vullnet mbetet ende i mangët dhe i pamjaftueshëm për të qenë vektor zhvillimi.  Rikthimi i ballafaqimit antagonist  i politikës  bipolare, mes pozitës dhe opozitës,  solli gjatë këtij viti ulje të  demokracisë institucionale. Kjo u shfaq në një sërë  drejtimesh. "Drejtësia nuk funksionoi në mënyrë ligjore, dukuri e konstatuar nga të gjithë vëzhguesit dhe monitoruesit  social- politikë të realitetit në Shqipëri. Drejtësia konsiderohet prej tyre si një pushtet i kapur, i ndikuar nga politika dhe i nënshtruar. Mjaftojnë dy dosje , ajo e 21 janarit 2011 dhe e Gërdecit, ku drejtësia dështoi të bëjë drejtësi. Ndërkohë është gjykimi i çështjeve që  lidhen me korrupsionin, si një nga detyrimet më të qenësishme që BE-ja i ka vënë Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Në këtë drejtim  viti 2012  shtoi  kulturën e pandëshkueshmërisë dhe paparekshmërisë së njerëzve me mandate deputeti  - edhe pse mandatet me një vendim të Patrlamnetit u hoqën "de jure" ato mbetën "de facto" -  dhe politikanët e korruptuar mbetën të paprekshëm. Rastet e shpërdorimit të detyrës dhe qëndrimeve  abuzive ndaj saj janë shumëfishuar në administratën publike. Standardi që ofron kjo administratë në Shqipëri është në rënie", thotë analisti Aleksandër Çipa.

Picture from Tirana to illustrate the background on the new initiative of two former Presidents of Republic in Albania. 2. Mr. Aleksander Cipa, editor in chief of "Shqip" newspaper speaking for DW Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 27.11.2010 Place: Tirana/ALBANIA
Aleksandër ÇipaFotografi: DW

Viti 2012 shënoi edhe mosmarrjen nga Shqipëria për të tretën herë rradhazi, duke fillar nga viti 2010,  të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. "Një nga arësyet thelbësore të refuzimit të aplikimit për këtë status lidhet pikërisht me cilësinë që ofron  demokracia institucionale në Shqipëri. P.sh. në kronikën politike të jetës parlamenatare të 2012-ës, mungojnë rastet kur shumica parlamentare të ketë marrë në konsideratë një propozim apo amendim ligji të ofruar nga opozita, dukuri që nxiti bojkotet e opozitës dhe dëshmoi për mungesë konsolidimi të kulturës së kompromisit dhe bashkëpunimit mes palëve", vëren Çipa.

Sfida e partive të reja politike dhe zgjedhjet parlamentare në 2013

Viti 2012 shënon edhe pasurimin e skenës politike të Shqipërisë me dy parti të reja: "Fryma e Re Demokratike" e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi dhe  partia "Aleanca Kuq e Zi" e drejtuar nga ish-nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. "Këto parti, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013,  janë risia në skenën politike. Prania e tyre do të bëjë të mundur që  dy partitë tradicionale, PD-PS, të sillen më me përgjegjësi kur është fjala për paketat programore që do t'i paraqesin elektoratit për zhvillimin ekomomik dhe social të Shqipërisë në mandatin e ri si edhe me ecurinë e integrimit europian", mendon analisti Aleksandër Çipa.

Por zgjedhjet parlamentare 2013 nuk janë vetëm pagëzimi në garë i dy partive të reja dhe një formulë më pluraliste në konfiguracionin e  parlamentit që do të dalë prej tyre: Ato konsiderohen edhe si testi që Shqipëria duhet të kalojë për të marrë statusin e vendit kandidat. Shqipërisë i kërkohet që në vitin 2013 të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, konform standardeve ndërkombëtare dhe të lerë pas të shkuarën pothuaj  20 vjeçare të zgjedhjeve të kontestuata nga pala humbëse.