1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria do të kërkojë statusin e vendit kandidat për në BE

28 Prill 2009

Sot Kryeministri Sali Berisha do t`i paraqesë zyrtarisht në Pragë , presidentit të radhës të Bashkimit Europian, kryeministrit çek, Mirek Topolanek, kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në BE.

https://p.dw.com/p/HfeC
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana, janar 2008
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana, janar 2008Fotografi: AP

Kërkesa për statusin e kandidatit mbështetet në nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian

Përmes një letre, që kryeministri Berisha do t´i japë sot në Pragë, Presidençës çeke të BE, ai do të kërkojë zyrtarisht që Shqipëria të ketë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kërkesa mbështetet në nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian. Në këtë nen shkruhet se " çdo shtet europian që respekton parimet e lirisë, demokracisë, respektit për të drejtat njerëzore, për ligjin dhe liritë kryesore mund të aplikojë për t´u bërë anëtar i BE"

Anëtarësimi në NATO dhe Marrëveshja e Stabilizim - Asocimit me BE - nxitje për kërkesën

Drita e gjelbër për të patur të drejtën e zbatimit të këtij neni Shqipërisë iu hap pas ratifikimit , një muaj më parë, të Marrëveshjes së Stabilizim - Asocimit me BE nga të gjitha vendet anëtare të këtij Bashkimi dhe hyrjes së saj në fuqi në ditën e parë të këtij muaji.

Anëtarësimi në NATO , samitin e Strasburg/ Kehl-it , rritja e bashkëpunimit ushtarak me BE, përbën momentin e dytë kyç në ecurinë pozitive të procesit të integrimit europian.

Pas këtyre dy ngjarjeve përcaktuese, fjalën e fundit për të bërë sot kërkesën, për kryemnistrin Berisha , duket se e ka thënë Presidenca çeke dhe Komisioni Europian. Në një deklaratë në Tiranë , ai e përshkroi vendimin jo si të njëanshëm por "si një hap plotësisht të bashkërenduar me Presidencën çeke, me vendet anëtare të BE, që mbështesin këtë akt dhe këtë vendim"

Edhe qëndrime të rezervuara lidhur me aplikimin para ratifikimit të Traktatit të Lisbonës

Komisioni Europian riafirmoi perspektivën europiane të Shqipërise në deklaratën zyrtare të përshëndetjes me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim - Asocimit më 1 Prill 2009.

"Nuk është vetëm çështje solidariteti, por është edhe vetë interesi i BE-së që të sigurojë se Ballkani Perëndimor nuk do të shndërrohet në një vrimë të zezë brenda Bashkimit Europian", theksoi në këtë deklaratë komisioneri i zgjerimit, Oli Ren (Rehn).

Riafirmimi i perspektivës europiane të rajonit dhe në këtë kuadër edhe i Shqipërisë është shoqëruar më qëndrime të rezervuara lidhur me aplikimin pikërisht tani për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Komisioni Europian dhe vende anëtare të BE, mes të cilave edhe Gjermania, i patën sugjeruan qeverisë së Tiranës që do të ishte e udhës të aplikonte pas ratifikimit të Traktatit të Lisbonës, kur BE do të ketë zgjidhur një problem të rëndësishëm të brendshëm siç konsiderohet ratifikimi i ketij Traktati.

Zgjedhjet parlamentare - sërish gur prove

Një këndvështrim tjetër ishte ai i aplikimit pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, pasi zhvillimi i tyre konform standarteve ndërkombëtare do të jetë një plus i madh për Shqipërinë në marrjen e një përgjigjeje pozitive nga Komisioni Europian, vendet anëtare të BE dhe Parlamenti Europioan.

Edhe opozita në Tiranë i vlerëson zgjedhjet parlamentare te 28 qershorit si gurin e provës për një përgjigje pozitive ndaj kërkesës së sotme.

" Themelore për integrimin në BE mbeten standartet. Themelore per t´i plotësuar ato janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme." tha kryetarja e grupit parlamentar te PS, Valentina Leskaj.

Në Janar të këtij viti opozita votoi në mënyrë unanime një rezolutë për integrimin e Shqipërisë dhe mbështeti aplikimin që do të bëjë sot në Pragë kryemnistri Berisha. Integrimi në BE përbën prioritetin kryesor në programet politike të së djathtës në pushtet dhe të majtës në opozitë. Ai gëzon përkrahjen e 96 përqind të popullsisë së Shqipërisë prej 3, 6 milion banorësh.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Auron Dodi