1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria pjesë e "Javës Europiane për Plazhe të Pastra"

Ani Ruci'
27 Mars 2017

Shqipëria merr pjesë në "Javën Europiane për Plazhe të Pastra" ua (27.03) duke iu bashkuar aksioneve dhe veprimtarive, që me këtë rast po zhvillohen në vendet e BE-së dhe ato kandidate për anëtarësim si Shqipëria.

https://p.dw.com/p/2a1jd
Jala Strand in Albanien
Fotografi: DW

Institucione qeveritare, organizata mjedisore, donatorë ndërkombnëtarë, studentë etj.  kanë nisur  pastrimin e plazheve, që shtrihen në 10 bashkitë kryesore gjatë  vijës bregdetare si edhe pranë liqeneve.

Shqipëria ka gjithsej 109 plazhe bregdetare dhe liqenore dhe një vijë bregdetare prej 450 km gjatë deteve Adriatik dhe Jon. Dimri, shirat , prurjet e lumenjve kanë sjellë shumë mbeturina por mbi të gjitha ndotja e tyre është shkaktuar nga vetë banorët e rajoneve pranë plazheve.  Ata kanë hedhur lloj lloj plehrash buzë lumenjve, që kanë përfunduar në breg të detit.  Mungesa e përgjegjësisë qytetare, e kombinuar me papërgjegjshmërinë e pushtetit lokal dhe moszbatimin e ligjeve kanë shkaktuar edhe sivjet ndotje  të konsiderueshme të plazheve. Burime zyrtare nga  Ministria  e Ekonomisë, Sipërmarrjes Private dhe Turizmit, bëjnë me dije për DW se fokusi kryesor i  këtij institucioni qeveritar në angazhimin për plazhe të pastra është "sensibilizimi dhe edukimi i qytetarëve për të mos hedhur mbeturina ku të mundin",  për t'u përgatitur në kohë për sezonin turistik të këtij viti, që fillon në maj dhe vazhdon deri në fund të tetorit duke synuar të  arrihet në një turizëm gjithëvjetor. Të njëjtat burime njoftojnë që vektori i sensibilizimit qytetar është ai ekonomik: rritja e mirëqënies së tyre përmes shtimit të të ardhurave nga turizmi, kur qytetarët mbajnë pastër dhe nuk ndotin mjediset buzë detit dhe liqeneve.

Albanien: Strand von Durres - Warten auf Touristen / leere Liegestühle
Fotografi: DW

 

Infrastrukturë dhe bazë materiale e munguar...

Por ky synim vështirë se arrihet nëse krahas ndërgjegjësimit të qytetarëve për të mos hedhur plehra dhe mbeturina ku të mundin nuk sigurohet infrastruktura dhe baza e domosdoshme materiale:  kosha dhe kazanë për mbeturinat, tabela, tualete publike dhe logjistika e duhur për dërgimin e plehrave çdo ditë nëpër landfillet e qyteteve.

Shqipëria është promovuar në guidat europiane si një destinacion turistik 2017,  ku turistët mund të gjejnë ende plazhe dhe pika pushimi me bukuri natyrore autentike, ku ende nuk ka venë dorë njeriu.  Këto bukuri, historia, kultura, qytetet antike dhe ato nën mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgim i  kulturës botërore,  monumentet që vijnë nga lashtësia etj. e kanë promovuar Shqipërinë në Europë dhe përtej si një vend që nuk duhet lënë pa u vizituar. Me Javën Europiane për Plazhe të Pastra Shqipëria i bashkohet njëherazi edhe direktivës së BE-së për reduktimin e mbeturinave në mjediset pranë deteve dhe liqeneve përemes ndërgjegjësimit të qytetarëve  dhe infrastrukturës së duhur.

Direktivat e BE-së për mbrojtjen e mjediseve bregdetare

Feigenverkäufer am Strand in Durres, Albanien
Fotografi: DW

Shqipëria është vend kandidat për anëtartësim në BE që nga korriku i vitit 2014  dhe shpreson të hapë sivjet negociatat e anëtarësimit me Brukselin. Për të plotësuar Direktivën Kuadër të BE, të Konventës së Barcelonës, për mbrojtjen nga ndotja të mjediseve bregdetare dhe ato pranë liqeneve, Shqipëria po zbaton një përqasje të integruar duke i parë zonat bregdetare, plazhet pranë deteve dhe liqeneve si pjesë të ekosistemit. Në raportzin e publikuar nga Komisioni Europina vitin e kaluar vetëm 25 plazhe kanë ujë krejt të pandotur nga mbeturina, 39 cilësi të mjaftueshme, 31 cilësi të dobët dhe 24, kryesisht në bregdetin e Durrësit janë shumë të ndotur dhe problematikë për shëndetin. Sipas raportit Shqipëria rezulton vendi me ujra të notueshme më të ndotura në raport me vendet e tjera të rajonit. Pastrim i plazheve nga mbeturtinat dhe krijim i infrastrukturës së domosdoshme që ato të mos hidhen në lumenj apo në zonat bregdetare është një prioritet jo vetëm në kuadër  të plotësimit të direktivave të BE-së, por edhe si parakusht i zhvillimit me ritme të shpejta i turizmit, si dega kyçe për rritjen ekonomike.