1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria në BE? - Shumëçka varet nga vullneti politik

12 Janar 2012

BE po jo? Jo! Nuk është kjo pyetja, por: BE po, por kur? Teorikisht Shqipëria mund të anëtarësohet në BE në vitin 2020, thotë Bert Kuby, bashkëpunëtor i Departamentit të Shqipërisë në Komisionin e Zgjerimit të BE-së.

https://p.dw.com/p/13iKy
Albanien - Bert Kuby Anëtarësimi i Shqipërisë në BE në 2020 - më shumë teori se perspektivë faktike
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE në 2020 - më shumë teori se perspektivë faktikeFotografi: DW

2020-ta mund të hynte në histori si viti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por në qoftë se gjithçka shkon ashtu si duhet e Shqipëria i përmbush të gjitha standardet e kërkuara nga BE-ja. Këtë datë përllogariti Bert Kuby të mërkurën (11.1.'12) kur njëri nga studentët e albanologjisë së Universitetit Ludwig Maximilian në Munih, e pyeti se kur është data më e hershme e mundshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Studentët (Albschaft) dhe Katedra e Albanologjisë së Mynihut e kishin ftuar zyrtarin e gjerman në drejtorinë e përgjithshme të komisionit të zgjerimit për të mbajtur një referat për stadin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Këto përpjekje kanë filluar qysh në vitin 1992 me nënshkrimin e marrëveshjes së programit PHARE, që është guri i parë në rrugën e aderimit në BE. Bilanci i sotëm, 20 vjet më pas: Shqipëria ende nuk ka arritur t'i realizojë standardet që i duhen për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Sipas Kuby-t, pengesë për arritjen e tyre nuk është mungesa e kapaciteteve e aftësive, por e vullnetit politik brenda vendit.

Standarde të paplotësuara

Kjo u dëshmua sidomos në procesin për heqjen e regjimit të vizave me vendet e hapësirës Schengen: «Aty Shqipëria i arriti standardet e duhura brenda një kohe rekord», tha Kuby. Edhe numërimi i popullsisë ishte një proces i suksesshëm. Në të kundërt, funksionimi i parlamentit, miratimi i disa ligjeve kyçe, reforma zgjedhore, zgjedhja e ombudsmanit, zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve evropiane, forcimi i shtetit juridik, sqarimi i pronësisë së tokave, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, respektimi i të drejtave të njeriut e pakicave janë probleme, për zgjidhjen e të cilave vullneti politik duket më pak këmbëngulës.

Por një gjë është e qartë: Pa vënë në vijë zgjidhjen e këtyre problemeve Shqipëria nuk mund të bëhet kandidate e BE-së. Kjo i është kumtuar qeverisë shqiptare qysh në fundin e vitit 2010, siç e quajnë atë në komision, kur përkundër pritshmërisë së saj, Shqipëria mori përgjigje negative dhe u parakalua nga fqinji më i vogël verior, Mali i Zi.

Megjithëse ky moment tashmë ka hyrë në historinë e marrëdhënieve Shqipëri-BE është quajtur «zgjimi i madh», deri tani përpjekjet e qeverisë për të mënjanuar mangësitë e evidentuara nga komisioni kanë qenë të kufizuara. «Viti 2011 ishte viti i qëndrimit në vend», tha ai më tej. Jo vetëm për shkak të fillimit alarmues me demonstratën masive të 21 janarit, ku gjetën vdekjen katër vetë, por edhe për shkak të zgjedhjeve komunale, tha Kuby. «Vitet e zgjedhjeve janë në përgjithësi vite stagnimi».

2012 – «viti i shanseve»

Bert Kuby, bashkëpunëtor i Departamentit të Shqipërisë në Komisionin e Zgjerimit të BE-së.
Bert Kuby, bashkëpunëtor i Departamentit të Shqipërisë në Komisionin e Zgjerimit të BE-së.Fotografi: DW

Dhe meqë edhe viti 2013, është viti i zgjedhjeve parlamentare, shanset reale të Shqipërisë për të vazhduar reformat e ngecura mbetet në vitin 2012, tha Kuby duke parafrazuar në këtë kontekst komisionerin Stefan Füle, që e quan vitin 2012 «vitin e shanseve». Zgjedhja e presidentit, e cila pritet të zhvillohet këtë vit, nuk bën pjesë në kriteret formale të përcaktuara nga komisioni, por zhvillimi i qetë i saj do të ishte dëshmi për një dialog konstruktiv ndërmjet pozitës dhe opozitës. Gjithsesi, sado i suksesshëm që të jetë ky vit në drejtim të reformave dhe të plotësimit të kërkesave të BE-së, Shqipëria shumë – shumë mund të marrë një vlerësim pozitiv nga në raportin vjetor të komisionit, i cili del në vjeshtë. Kjo do të kishte një vlerë simbolike në vitin simbolik të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Propozimin për t'i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit komisioni mund t'ia parashtrojë Këshillit të BE-së vetëm pasi të jenë zhvilluar me sukses zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

Euforia në rënie

Por edhe statusi i kandidatit vetë nuk ofron më shumë se simbolikë politike, rikujtoi Kuby. Përkundrazi, përfitimi nga fondet e caktuara për vendet kandidate bëhet edhe më i vështirë, sepse standardet që kërkohen si parakusht për të marrë këto fonde janë aq të larta, saqë shumë vende kandidate nuk arrijnë t'i shfrytëzojnë ato tërësisht, tha politikani gjerman. Andaj edhe në përgjithësi vihet re tendenca e rënies së motivacionit për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit sa më shumë që vendi i afrohet BE-së. Kjo rënie e euforisë ndaj BE-së po ndjehet edhe në Shqipëri, megjithëse ende në përmasa të përmbajtura: Ndërsa në gjysmën e parë të 2011ës më shumë se 93 për qind e shqiptarëve ishin shprehur pro anëtarësimit në BE, në gjysmën e dytë kjo shifër ra në 80,7 për qind, raportoi Kuby.

Më dramatike janë shifrat që tregojnë gatishmërinë e evropianëve për të mirëpritur në gjirin e tyre popuj të tjerë nga Evropa Juglindore: Më shumë se gjysma e popullsisë së BE-së (53%) dhe gati treçereku i gjermanëve (73%) janë aktualisht kundër zgjerimit të BE-së, citoi Kuby anketimet më të fundit. E megjithatë ai u tregua i sigurt, se këto shifra nuk kanë të bëjnë me mospranimin e vendeve të Ballkanit në BE: «Që ato do të hyjnë në BE, kjo është diçka e sigurt, pyetja është se kur», nënvizoi ai. Por për momentin askush nuk mund t'i japë kësaj pyetjeje një përgjigje të besueshme.

Nisur nga lajmet aktuale për krizën ekonomike të vendeve të euros, por edhe nga shpejtësia me të cilat vendet kanë kapur reformat, Kuby la të nënkuptojë se viti 2020 si viti i mundshëm i anëtarësimit të Shqipërisë në BE mbetet më shumë një rezultat përllogaritjesh teorike se perspektivë faktike.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: E. Xhani