1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria në fazë të re në rrugën drejt Bashkimit Evropian

1 Prill 2009

Sot (1 Prill) hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së dhe shfuqizohet marrëveshja dypalëshe Interim. Kjo shënon fillimin e një periudhe detyrimesh më të mëdha ndërkombëtare të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/HOJ3
Poster nga Tirana
Sot (1 Prill) hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së dhe shfuqizohet marrëveshja dypalëshe Interim.Fotografi: Mimoza Dhima

Përgëzime, rikonfirmim i mbështetjes së BE ndaj Shqipërisë por edhe kujtesë për detyrimet e saj ndërkombëtare në rritje. Këto janë idetë kryesore që përshkruajnë deklaratën zyrtare të Komisionerit për Zgjerimin e BE, Olli Rehn, me rastin e hyrjes sot në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së. „Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, thekson Oli Rehn në këtë deklatatë, shënon fillimin e një periudhe gjatë së cilës detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ajo çka pritet nga zhvillimet politike do të jenë më të larta se më parë.“

Komisioneri i zgjerimit, Olli Rehn
Për Komisionerin e zgjerimit Olli Rehn, hyrja sot në fuqi e MSA është një rast më shumë për të sjellë në vëmendje se çfarë stadi paraqet kjo Marrëveshje në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-sëFotografi: picture-alliance/dpa

Për Komisionerin e zgjerimit Olli Rehn, hyrja sot në fuqi e MSA është një rast më shumë për të sjellë në vëmendje se çfarë stadi paraqet kjo Marrëveshje në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.„Marrëveshja e Stabilizim- Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së paraqet një marrëdhënie kontraktore që mbështetet në të drejta dhe detyrime reciproke. Ajo fokusohet në respektimin e parimeve demokratike kyçe dhe të elementeve thelbesorë, që janë në bazë të tregut të njësuar evropian. Një zonë e tregëtisë së lirë me BE, aplikimi i standarteve të BE-së, shoqëruar me disiplina të tilla si konkurenca, pronësia intelektuale dhe refomat për të adaptuar standartet evropiane në fusha të tjera, do t´i japin mundësi Shqipërisë t´i afrohet më shumë perspektivës së saj europiane.“ thekson ai në deklaratën në fjalë.

Rëndësinë e riafirmimit të kësaj perspektive nga politikanët e BE-së, komisioneri Rehn e bëri të ditur dje në Parlamentin Europian. Duke iu drejtuar euro- parlamentarëve ai tha: “Viti 2009 nuk është një vit që mund të shihet bardhë e zi. Ka zhvillime pozitive por edhe shumë sfida. Megjithatë, pavarësisht nga sfidat në kontekstin politik dhe ekonomik, Ballkani Perëndimor po shënon progres. Riafirmimi i perspektivës evropiane të Ballkanit perëndimor e mban atë në shinën e kryerjes së reformave dhe në atë të stabilitetit. Nuk është vetëm çështje solidaritet,i por është edhe vetë interesi i BE-së që të sigurojë se Ballkani Perëndimor nuk do të shndërrohet në një vrimë të zezë brenda Bashkimit Europian.”

Javier Solana dhe Sali Berisha gjatë një takimi të BE-së në Bruksel, 31 janar 2008
Javier Solana dhe Sali Berisha gjatë një takimi të BE-së në Bruksel, 31 janar 2008Fotografi: AP

Në deklaratën zyrtare më rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, Komisioneri Rehn garanton vendet e Ballkanit perëndimor për mbështetjen e BE-së drejt perspektivës së tyre evropiane. "Për të mbështetur reformat e duhura, BE do t`i japë vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Turqisë, një asistencë të parapranimit që arrin në 6,8 miliardë euro në periudhën nga 2009-2012,” bën ai të ditur në deklaratën e përshëndetjes së hyrjes në fuqi të marrëveshjes së SA mes Shqipërisë dhe BE."

Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE në qershor të vitit 2006. Në mars të këtij viti përfundoi procesi i ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama