1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria përballet me rekrutimet në mbështetje të IS

Arben Muka26 Qershor 2015

Sipas raporteve ndërkombëtare Shqipëria mbetet ende një burim për luftëtarë të huaj terroristë që shkojnë në Siri dhe Irak. Sipas ekspertëve autoritetet duhet të marrin masa për riintegrimin e të kthyerve.

https://p.dw.com/p/1Fmf7
Islamischer Staat Logo Flagge Fahne

Prej kohësh në Shqipëri ka më shumë ndjeshmëri ndaj aktivitetit të ekstremistëve për të rekrutuar kontigjente luftëtarë në mbështetje të Shtetit Islamik. Nga muaji mars Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë po zhvillon një proces gjyqësor, ku në bankën e të akuzuarve janë 9 imamë apo të ashtuquajtur imamë. Sipas hetimeve rreth dyvjeçare të prokurorisë dhe shërbimeve inteligjente, grupi ka vepruar kryesisht në mjediset e një xhamie në periferi të Tiranës dhe mendohet se mund të ketë nisur për të luftuar në mbështetje të IS rreth 70 persona nga rrethe të ndryshme të vendit. Ata akuzohen dhe për veprat penale të financimit dhe nxitjes së akteve terroriste.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke folur para para pak kohe në një konferencë në Tiranë, që i kushtohej çështjeve të radikalizmit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm, pranoi që ka një bashkëpunim me vendet partnere, për veprime të përbashkëta ndaj rekrutimit të luftëtarëve në Siri dhe Irak. Për Tahirin ka rëndësi të dorës së parë dhe një plan aksioni të përbashkët qeveri, shoqëri civile, institucionet në tërësi, parlamenti domosdoshmërisht, institucionet e pavarura kushtetuese, shoqëria civile, bota akademike, media, intelektualët e pavarur, sipas tij, për të hartuar një strategji të përbashkët, e cila do të koordinojë energjitë tona lidhur me adresimin e këtij fenomeni.

“Procedimet penale të pak muajve më parë, ndërkohë ndryshimi i ligjit nga parlamenti, ndryshimi i kodit penal nga parlamenti, duke e konsideruar një akt terrorist nisjen për të luftuar një luftë që nuk është lufta e vendit tonë, sigurisht kanë ushtruar trysninë e nevojshme për të parandaluar ose për të tkurrur praktikat e organizimit, rekrutimit dhe nisjes së luftëtarëve të huaj”.

Pa kapacitete në grumbullimin e të dhënave biometrike për shtetasit

Forcimin e ligjit në Shqipëri e konfirmoi dhe raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, publikuar para pak ditësh, mbi situatën globale të terrorizmit. Në raport theksohej se “legjislacioni shqiptar i dënon aktet terroriste, financicmin e terrorizmit, transferimin e fondeve që financojnë terrorizmin, rekrutimin dhe trajnimin e individëve për të kryer akte terroriste, nxitjen, krjimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste”.

Por megjithëse evidentohej se vendi është mbështetës i fortë i përpjekjeve antiterroriste gjatë vitit 2014 dhe u bë pjesë e Koalicionit Global kundër grupit Shteti Islamik, sipas raportit, Shqipëria “është një vend burim për luftëtarë të huaj terroristë që shkojnë në Siri dhe Irak”. Gjithashtu vendi përshkruhet pa kapacitetet për të grumbulluar të dhëna biometrike veç atyre të kartave të identitetit dhe pasaportave që paraqiten në pikat e kalimit kufitar.

“Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë një sistem të ri, i cili u jep mundësi autoriteteve të inkorporojnë funksionet e identifikimit on-line të shenjave të gishtave. Po ashtu Shqipëria është duke marrë teknologji për të përpunuar shenjat e gishtave në të 26 pikat e kalimit kufitar. Teknologjia e kontrollit në kufi do t'i lejojë autoritetet të grumbullojnë të dhëna gjatë hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve- thuhej mes të tjerave në raportin e sapopublikuar të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Ndikimi i Islamit radikal dhe Islamit politik

Arjan Dyrmishi, i cili ka punuar në funksione të rëndësishme në shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës në Shqipëri, drejton aktualisht Qendrën për Studimet Evropiane dhe Sigurinë, si pjesë e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Ai mendon se ka paqartësi në numrin real të rekrutëve që i janë bashkuar IS, por bazuar në raportime të ndryshme, sipas tij, shifra varion nga 60 deri në 150. Dyrmishi nënvizon faktin se duhet pasur në konsideratë dhe përllogaritja e të afërmve, grave dhe femijëve të luftëtarëve që kanë shkuar atje, gjë që e rrit numrin e tyre. Plus këtyre janë dhe kontigjenti i strukturës së rekrutëve, financuesit dhe mbështetësit e tyre, numri i të cilëve nuk përllogaritet, por që këta janë pjesë e pandashme e formacioneve të luftëtarëve, si pjesa logjistike e këtij operacioni. Procesi i rekrutimit është rezultat i një kombinimi faktorësh, thotë Arjan Dyrmishi për Deutsche Welle-n.

“Është rritja e shkallës së shoqërizimit të myslimanëve shqiptarë me Islamin radikal dhe Islamin politik, importuar prej vendeve arabe, i cili parashtrohet si alternativë ndaj modelit të shtetit modern perëndimor dhe parashikon zgjidhje për çështje themelore që preokupojnë myslimanët në nivel individual, nacional dhe ndërkombëtar. Për arsye të izolimit komunist kjo qasje ndaj Islamit ishte e panjohur më parë, ndaj dhe nuk pati përshembull vullnetarë nga Shqipëria në luftën në Bosnjë, edhe pse atje shkuan me mijëra luftëtarë nga vendet e tjera myslimane”.

Për Arjan Dyrmishin nga Qendra për Studimet Evropiane dhe Sigurinë, në nivel individual Islami radikal parashikon zgjidhje për gjithë problemet shpirtërore dhe personale, duke predikuar zbatimin e përpiktë të praktikës Islame. Në nivel nacional Islami radikal dhe politik ofrohet si zgjidhje për problemet socio-ekonomike dhe politike, të cilat preokupojnë shoqëritë moderne sot, duke predikuar instalimin e ligjit islamik, ose ndryshe shariatit. Në nivel ndërkombëtar Islami radikal parashtron krijimin e një shteti islamik, ose kalifatit, që bashkon të gjithë myslimanët nën një shtet dhe që i jep zgjidhje problemeve që pretendohet se u janë shkaktuar nga jo-myslimanët.

“Në mënyrë të përmbledhur, bëhet fjalë për një ideologji të fuqishme, e cila është mjaft tërheqëse pavarësisht nivelit të shkollimit apo gjendjes ekonomike dhe financiare, të cilën si shumë myslimanë të vendeve të tjera edhe shumë shqiptarë e kanë përqafuar. Pjesa që lidhet me udhëtimin nga Shqipëria në Siri dhe Irak mendoj se është më e thjeshta, pasi individët janë radikalizuar nëpërmjet një procesi të gjatë dhe të vazhdueshëm”.

Riintegrimi në shoqëri i të kthyerve

Gazetari investigativ Artan Hoxha, autor i emisionit “Xhungël” në Televizionin News 24, po e ndjek nga afër gjyqin ndaj grupit të 9 të akuzuarve për rekurtimin e luftëtarëve më mbështetje të IS. Ai mbron idenë se kemi të bëjmë vetëm me një pjesë të skemës që krijon “korridore” për të nxjerrë jashtë vendit luftëtarë për Shtetin Islamik. Hoxha shprehet se personat e përzgjedhur si rekrutë, veçse besimtarë myslimanë nga sekti ekstrem i sheriatit, janë gjithashtu dhe nga kontigjente me probleme të theksuara ekonomike, apo dhe nga ata shtetas shqiptarë të arsimuar edhe jashtë vendit. Duke parë se mes luftëtarëve ekstremistë të IS ka shtetas dhe nga vendet e BE-së, SHBA-së dhe Australia, fakti që edhe shqiptarët janë përfshirë në konflikt nuk përbën ndonjë çudi të madhe, thotë Artan Hoxha për Deutsche Welle-n

“Por numri i shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën në luftime, apo janë raportuar si të zhdukur është i konsiderueshëm dhe duhet parë si një sirenë e fortë alarmi për reagim të fuqishëm nga autoritetet, media dhe shoqëria shqiptare. Problem paraqet dhe riintegrimi në shoqëri i atyre dhjetëra personave që tashmë kanë marrë pjesë në strukturat e IS dhe janë kthyer apo do të kthehen në vend. Ata përbejnë aktualisht një shqetësim edhe më të madh mendoj, nëse nuk mbahen në mbikqyrje të rreptë dhe nuk izolohen nga mundësia për të përhapur bindjet e tyre tek besimtarët e tjerë.”

Përfshirja e komuniteteve në programe informimi

Eksperti Arjan Dyrmishi mendon se ka vend për të ndërhyrë në frenimin e fenomenit. Sipas tij, një aspekt është dhënia fund e politizimit të fesë, që ka ardhur duke u përshkallëzuar. Nëpërmjet një sërë veprimesh dhe kundërveprimesh, jemi në situatën kur feja del prej dimesionit individual dhe shpirtëror dhe kthehet në pjesë e konkurencës politike, thotë ai për Deutsche Welle-n.

“Dua të theksoj se çdo mesazh fetar në gojën e politikanëve përkthehet në një mesazh politik. Nga ana tjetër ka një sërë masash institucionale, të cilat duhet të ndërmerren dhe që prekin aspekte të edukimit, përfshirjes së shoqërise civile dhe komuniteteve në programe informimi dhe masave të tjera parandaluese, forcimit të rolit të institucioneve të sigurisë në drejtim të monitorimit më të mirë të individëve dhe organizatave të përfshira në aktivitete radikalizuese”.