1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria reformat nuk i zbaton për BE-në, por për vete

Arben Muka / Tiranë11 Janar 2013

Në një intervistë ekskluzive për DW-në, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper thotë se Qeveria dhe opozita duhet të mbajnë në vëmendje interesin kombëtar të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/17I3z
Fotografi: DW

DW: Zonja Müller-Holtkemper, nga viti 2012 Shqipëria ka të bartur një mosrealizim: mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Ju keni mendimin se ky vlerësim erdhi për shkak të mosvotimit të tre ligjeve nga parlamenti, apo dhe për shkaqe të tjera? Çfarë pritmërie keni për këtë vit që sapo ka nisur në realizmin e këtij objektivi?

Carola Müller-Holtkemper: "Ne qëndrojmë përkrah Shqipërisë dhe e mbështesim atë në mënyra të shumëllojshme në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Por në rrugëtimin drejt BE-së nuk ka shkurtime. Eshtë në dorën e vetë vendeve që aspirojnë anëtarësimin të dëshmojnë vullnetin politik dhe vendosmërinë për të përmbushur kushtet e rrepta dhe të ndershme të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst secili vend do të vlerësohet në varësi të progresit individual lidhur me reformat: këtu, krahas miratimit të ligjeve, do të mbikqyret edhe stadi aktual dhe i besueshëm i zbatimit të reformave, përfshirë ndërtimin e shtetit ligjor dhe të sistemit të pavarur të drejtësisë, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2012 Shqipëria ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme si dhe ka përmbushur disa prej 12 kritereve kyç. Kjo vlerësohet pozitivisht prej nesh. Mungojnë ende tre projektligje të rëndësishme si dhe ekziston ende nevoja e zbatimit të mëtejshëm të reformave. Eshtë mjaft e rëndësishme të forcohen përpjekjet në këtë drejtim. Por është gjithashtu e qartë, që Shqipëria këto reforma nuk i zbaton për BE-në, por për vete. Rezultatet e tyre shkojnë në të mirë të popullsisë shqiptare në formën e një sigurie ligjore më të madhe dhe të një zhvillimi më të mirë ekonomik dhe social. Ndaj uroj që për vitin 2013, qeveria dhe opozita, pavarësisht zgjedhjeve parlamentare të fund-qershorit, të mbajnë në vëmendje interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të vazhdojnë të angazhohen edhe më tej në realizimin e reformave të nevojshme."

Në bazë të informacioneve që ju keni a përbën problem për autoritetet zyrtare të vendit tuaj shtimi i kërkesave për azil i qytetarëve shqiptarë që përfitojnë nga lëvizja pa viza në zonën Schengen të BE-së?

Carola Müller-Holtkemper: "Liberalizimi i vizave, i arritur në fund të vitit 2010, ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Mundësia për të udhëtuar më lirshëm, lehtëson në masë të konsiderueshme edhe shkëmbimin e shumëdëshiruar edhe prej nesh në sektorë të ndryshëm, qoftë në ekonomi, shkencë, kulturë, turizëm, apo edhe thjesht vizitat tek të afërmit. Gjithsesi Gjermania është një prej vendeve më të prekur prej rritjes së ndjeshme të shifrave të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku duhet thënë se pothuaj të gjitha aplikimet për këtë qëllim në fund të fundit mbeten të pasuksesshme. Autoritetet shqiptare po ndërmarrin përpjekje të mëdha për ta marrë nën kontroll këtë problem, dhe bashkëpunimi mes organeve përkatëse gjermane dhe shqiptare është i mirë. Gjithsesi autoritetet kompetente gjermane janë duke e ndjekur me shqetësim këtë zhvillim."

Viti që sapo ka nisur është një vit elektoral për Shqipërinë. Deri më tani disa çështje të infrastrukturës zgjedhore duken se kanë nisur me kontestime nga palët. Si një ndjekëse e zhvillimeve në vend, si e vlerësoni situatën e deritanishme për përgatitjet e zgjedhjeve të qershorit të këtij viti?

Carola Müller-Holtkemper: "Zgjedhjet e fund-qershorit janë të një rëndësie të veçantë: realizimin korrekt të tyre ne e konsiderojmë si një tregues të pjekurisë së Shqipërisë dhe institucioneve të saj në kontekstin e BE-së. Vitin e shkuar partitë kanë rënë dakord për zbatimin e rregullave të reja. Pikërisht këto rregulla të vetëvendosura duhet të gjejnë një zbatim të tillë, që zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje me standardet evropiane, dhe që rezultati i tyre të pasqyrojë korrektësisht vullnetin e zgjedhësve. Kjo do të thotë ndër të tjera që vendimet e natyrës kryesisht teknike në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve duhet të merren pa ngarkesë emocionale dhe politizim, që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përmbushin detyrat e tyre në mënyrë të pavarur dhe të lirë nga presionet politike, dhe që afatet e parashikuara në kodin zgjedhor të respektohen."

Në raportet mes dy vendeve ka një çështje që publikisht duket se ka problem. E kam fjalën për projektin e interkonjuksionit Shqipëri – Kosovë, ku KfW-ja gjermane nuk gjeti dakordësi me palën shqiptare për procesin e tenderimit të fondeve. Cili është fati i këtij projekti? A ka ndikim ky zhvillim në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Gjermanisë?

Carola Müller-Holtkemper: "Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të mira e miqësore. Kjo natyrisht nuk përjashton faktin, që në çështje të caktuara kemi opinione të ndryshme. Por ne kemi besim se kushtet për një financim nga Banka për Zhvillim KfW do të plotësohen dhe se ky projekt i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën së shpejti do të mund të realizohet."

A ka sektorë të tjerë, ku do të dëshironit një bashkëpunim më të mirë?

Carola Müller-Holtkemper: "Këtë vit do të festojmë 25 vjet të Bashkëpunimit për Zhvillim Ekonomik. Marrëveshja Kuadër për Bashkëpunimin Teknik është nënshkruar më 21 tetor 1988. Vlerësuar që prej fillimit të bashkëpunimit tonë për zhvillim, bashkëpunimi gjerman tekniko-financiar në nivel dypalësh së bashku me kontributin e Gjermanisë në kuadër të asistencës shumëpalëshe arrin në më shumë se një miliardë euro. Sektorët kryesorë, ku përqendrohen projektet tona të dakorduara bashkarisht me qeverinë shqiptare janë energjia, ujësjellës / kanalizimet, mbështetja për sipërmarrjet e vogla e të mesme dhe qeverisja e mirë. Këto janë projekte me impakt pozitiv të drejtpërdrejtë në popullsinë shqiptare. Kënaqësia jonë për këtë bashkëpunim të gjatë e të frytshëm trazohet disi nga konstatimi i përpjekjeve në rritje për t'iu shmangur detyrimit të dakorduar në Marrëveshjen Kuadër për shkarkimin nga tarifat doganore, tatimore dhe tarifave të tjera. Karshi taksapaguesit gjerman është e pamundur të argumentohet, se si për një asistencë të dhënë, në kundërshtim me marrëveshjet kontraktuale, kërkohet që të paguhen edhe taksa doganore, tatime apo tarifa të tjera. Po kështu, përpjekjet për t'ua kaluar detyrimin e këtyre pagesave partnerëve shqiptarë - në pjesën më të madhe struktura shtetërore apo komunale, si ministri, ndërmarrje ujësjellsash – nuk gjenerojnë të ardhura shtesë, por vetëm sa kalojnë financat nga njëri institucion shtetëror në tjetrin. Krahas kësaj është për ardhur të keq, që dy projekte në funksion të përmirësimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, me një rëndësi të madhe për popullsinë rurale të zonave përkatëse, për të cilat u ra parimisht dakord vetëm para pak kohësh, nuk mund të realizohen. Mosrealizimi i tyre argumentohet me nivelin e borxhit publik shqiptar. Në raste të tilla do të ishte e përligjur pyetja për vendosjen e prioriteteve."