1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria respekton standartet e BE-së për kontrollin e importit të materialeve me radioaktivitet

Arben Muka / Tiranë2 Korrik 2008

Në doganën e portit më të madh në Shqipëri, në Durrës është instaluar për herë të parë një skaner i sofistikuar që dikton nivelin e radioaktivitetit në mallrat që importohen nga jashtë.

https://p.dw.com/p/EUkb
Porti i Durrësit
Porti i DurrësitFotografi: DW


Mbërritja në Shqipëri e mallrave të importuar me nivel të lartë radioaktiviteti është justifikuar deri më tani nga pamundësia e autoriteteve doganore për ti pikasur qoftë për përmbajtjen reale të rrezikut ashtu dhe vendin e origjinës. Ngarkesa të ndryshme ose kanë mundur të futen pa problem në territorin shqiptar, ose janë zbuluar krejt rastesisht dhe janë kthyer mbrapsht nga kanë ardhur.

Në portin më të madh shqiptar, atë të Durrësit, është instaluar ditët e fundit një skaner i sofistikuar i cili percepton dhe vlerëson nivelin e radioaktivitetit për cdo mall që përpunohet në kalatat e tij. Drejtuesi i Doganës se Durrësit Arben Ibro thotë se instalimi i skanerit është plotësimi i standarteve të BE në parandalimin e qarkullimit të atyreve materialeve me përmabjtje të palejueshme radioaktive në territorin e Shqipërisë. "Kontrolli kundër lëndëve radioaktive është 24 orë duke e bërë të pamundur depërtimin e tyre brenda territorit të vendit", thotë Ibro. Programimi i pajisjes është bërë nga ekspertët e BE ne bashkëpunim me ata të Institutit të Fizikës Bërthamore në Tiranë.

Arben Ibro shprehet se në portin më të madh të vendit ka një bashkëpunim të frytshëm mes doganës dhe autoriteteve policore për të parandaluar kalimet klandestine për në territorin italin me anë të trageteve të linjës apo mjeteve të tjera lundruese. Të dzja palët shkëmbejnë informacion të vazhdueshëm për cdo rast të dyshuar të tentativës për kalim klandestin apo për trafik të qënieve njerëzore nga porti i Durrësit për në brigjet italiane.
Për modernizimin e portit të Durrësit dy institucione financiare europiane, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH dhe Banka Europiane e Investimeve, BEI kanë mbështetur ditët e fundit kreditimin me rreth 15 milion euro rikonstruktimin e thellë të terminalit të pasagjerëve. Ky investim pritet të përfundojnë në mes të vitit 2010.