1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria shpreson që gjatë presidencës çeke në BE të ketë hop në liberalizimin e vizave

Arben Muka2 Janar 2009

Qeveria shqiptare ka shprehur bindjen se Çekia, gjatë gjashtë muajve të presidencës së radhës në BE do të ndikojë në afrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit drejt këtij Bashkimi

https://p.dw.com/p/GQyV
Qendra e Tiranës
Qendra e TiranësFotografi: Mimoza Dhima

Krahas ambicjes për anëtarësim me të drejta të plota në NATO, Shqipëria gjatë këtij viti pritet të finalizojë objektivin për të bërë zyrtarisht kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE. Ndaj dhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Tirana zyrtare shpreh angazhimin e saj për të patur një bashkëpunim të ngushtë me presidencën çeke të BE. Nëpërmjet një deklarate zyrtare që ka lëshuar të premten në Tiranë Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka uruar Republikën Çeke, që të përballojë me sukses sfidat në këtë mandat të rëndësishëm, kur ajo ka marrë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

"Duke vlerësuar prioritetet e presidencës çeke drejt Ballkanit Perëndimor, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se kjo përqasje do të ndikojë pozitivisht në adresimin e çështjeve konkrete që kanë të bëjnë me afrimin e mëtejshëm të vendeve tona drejt BE-së", thuhet në deklaratë.

Në të shprehet njëkohësisht dhe përkushtimi "për një bashkëpunim të ngushtë dhe të suksesshëm me presidencën çeke, për të bërë të mundur që gjashtë muajt e ardhshëm të shënojnë një hop cilësor drejt procesit të liberalizimit të regjimit të vizave me vendet e hapësirës Shengen, si dhe për të kaluar në një fazë të re drejt integrimit në BE".

Selia kryesore diplomatike në Tiranë ka gjetur rastin që të shprehë dhe falendërimet për periudhën e 6 muajve të kaluar, kur presidenca e radhës së BE-së kryesohej nga Franca. Ajo e ka përshkruar atë si një periudhë shumë të suksesshme, që ndër të të tjera, shënoi "një progres të dukshëm në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian".

AUD