1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria voton për parlamentin e ri

25 Qershor 2017

Në Shqipëri votohet për zgjedhjen e parlamentit të ri. Votimi deri në mesditë u shoqërua me një episod dhune - goditet me tytën e pistoletës një militant i LSI në Shëngjin.

https://p.dw.com/p/2fLMY
Albanien Parlamentswahlen
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/H. Pustina

Qytetarëve me të drejtë vote në Shqipëri u është bërë thirrje të votojnë për zgjedhjen e parlamentt të ri. Me votën e tyre do të përcaktojnë se cila forcë politike do ta drejtojë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, cili do të jetë kryemnistri i ri që do të përmirësojë ose jo jetët e tyre. Mes tyre 136.239 votojnë për herë të parë.

Zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxha tha për DW se procesi ka filluar në orën 7.00  dhe po ecën jo pa incidente dhe problematika. Sipas informacioneve të KQZ-së në Shëngjin, "në qarkun e Lezhës janë dëgjuar të shtëna armësh  dhe një militant i LSI-së është plagosur me tytën e pistoletës dhe është dërguar në spitalin e Lezhës. Ai është qëlluar nga personave ende të paidentifikuar nga policia jashtë qendrës së votimit. Por procesi i votimit ka rifilluar pas incidentit", theksoi Drilona Hoxha.

Në disa qëndra votimi si në Kamëz nuk janë paraqitur 2 komisionerët e PD-së,  të cilët janë zëvendësuar, kurse në qarkun e Dibrës komisioneri i PD-së në një qëndër votimi ka marrë vulën me vete dhe është larguar. Në Lushnjë në tri qendra votimi është ndërprerë votimi pasi janë tërhequr komisionerët e PD-së, pasi sipas informacioneve të mbritura në KQZ, pretendojnë se ndaj tyre po ushtrohet presion nga komisionerët e PS-së. Në këto kushte KQZ-ja u bëri në mesditë apel komisionerëve në nivel kombëtar në 5124 qëndra votimi: "Të zbatojnë Kodin Zgjedhor dhe ligjet në fuqi pasi KQZ me kopetencat që i jep ligji do të ndërmarrë ndjekje penale për këdo që nuk i respekton ato."

Dy të drejta në një ditë: Festa e Bajramit dhe votimi

Në qendrën e votimit 1715, të ngritur në kopshtin "Nënë Tereza" në Tiranë, votojnë banorët e Njësisë administrative Nr.1 dhe Nr.2, Komisioneri Mithat Gjini, në këtë qendër thotë për DW se procesi ka filluar dhe po vijon pa asnjë incident, deri në mesditë. "Jemi duke zbatuar në mënyrë strikte procedurat e votimit dhe fluksi i qytetarëve po rritet. Festa e Bajramit për komunitetin mysliman në njësitë tona administrative nuk i ka ndaluar banorët e këtij komuniteti të vijnë dhe të votojnë dhe të urojnë njëri-tjetrin, këtu në qëndrën e votimit. Kanë dy te drejta në një ditë: atë të festimit të Bajramit dhe të drejtën e votës. Më duket se kjo e dyta ka qënë prioritet që në mëngjes",thotë Mithat Gjini.

Albanien Parlamentswahlen 2017
Fotografi: DW/A. Ruci

Zgjedhje nën monitorimin e rreptë ndërkombëtar

Pesë mijë vëzhgues ndërkombëtarë afatshkurtër dhe afatgjatë po vëzhgojnë procesin e votimit. BE-ja ka dërguar një mision special mikqyrës, në krye të së cilit është euro-parlamentari Eduard Kukan, që i ka vlerësuar zgjedhjet e së dielës (25.06)"shumë të rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të Shqipërisë drejt familjes europiane, vazhdimin e reformave. Shqipëri aështë një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësimin në BE", vuri në dukje Kukan.

Në garë janë 18 subjekte politike mes të cilave tri forcat kryesore: PS që fitoi zgjedhjet e kaluara të vitit 2013 dhe ka ambicien për një mandat të ri dhe rizgjedhjen e Edi Ramës kryemnistër, LSI që bashkëqeveris me PS, lideri i saj nga Kryetar i Parlamentit tani është Presidenti i zgjedhur që pret të betohet më 24 korrik, PD më e madhja në opozitë. Partitë për herë të parë konkurrrojnë të vetme dhe jo në koalicione. Në Shqipëri, rotacioni i pushtetit në 25 vite e fundit është kryer mes PS dhe PD.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana