1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Dhuna në familje "plagë e pashëruar për shoqërinë"

8 Shtator 2017

Shqipëri: Reduktimi i dhunës në familje, emergjente infrastruktura për zbatim efikas të ligjeve dhe emancipimi kulturor i shoqërisë. Shoqëria civile manifeston në Tiranë për përmirësimin e situatës së rëndë.

https://p.dw.com/p/2jbMy
Albanien Tirana Demonstration gegen häusliche Gewalt
Fotografi: DW/A. Ruci

Vrasja së fundmi e një gjyqtareje nga ish-bashkëshorti i ka rënë fort këmbanës së alarmit për rritjen e frikshme të dhunës në familje në Shqipëri. Gjyqtarja 39 vjeҫare, Firdes Hafizi, nënë e dy fëmijëve, është gruaja e 9-të e vrarë në Shqipëri nga janar-gushti i këtij viti. Burime nga Policia e shtetit thanë për DW se në Shqipëri ҫdo ditë arrestohen dy meshkuj për dhunën e ushtruar në familje. Vetëm në periudhën janar-gusht të këtij viti janë denoncuar rreth 3.000 raste dhune dhe janë arrestuar 478 meshkuj. Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar 600 kërkesa të grave për urdhëra mbrojtjeje nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët dhunues. Në raportin për vitin e kaluar të Policisë së Shtetit theksohet që 38 përqind e gjithë vrasjeve u shkaktuan nga krimi në familje dhe autorët në 90 përqind të tyre ishin meshkujt. Por është edhe më keq nga sa flasin këto shifra: një pjesë e mirë e rasteve të dhunës nuk denoncohen kurrë. Arësyet janë të ndryshme: frika nga dhunuesi, varësia ekonomike prej tij, mentaliteti dhe formimi kulturor që e sheh dhunën si ҫështje private apo që denoncimin e saj e quan "prishje të emrit të mirë të familjes”.

Shoqëria civile kërkon ndryshim   

Vrasja e gjyqtares Firdes Hafizi është një këmbanë që po bie fort për emergjencën e ndryshimit të situatës. Shqipëria ka një legjislacion të nivelit europian pothuajse të plotë për dhunën në familje dhe politika penale mjaft të ashpra për autorët e saj. Por ndryshe nga ҫfarë pritej, ndikimi i këtyre masave rezulton i dobët, kurse tendenca e rritjes së dhunës e fortë. Një grupim aktiv i  organizatave të shoqërisë civile - kryesisht për të drejtat e gruas, por edhe organizata të fokusuara në procesin e integrimit europian, proceset demokratike, mbështetjen për gratë rurale - organizuan këto ditë, në Tiranë, në sheshin Skëndërbej, një manifestim me pjesëmarrjen e qytetarëve të Tiranës, aktivistëve për të drejtat e njeriut, rinisë, deputetëve si edhe ambasadores së BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin. Në thelb të manifestimit ishte solidariteti me viktimat e dhunës dhe emergjenca për ndryshim e situatës.

Albanien Tirana Demonstration gegen häusliche Gewalt Mirela Arqimandriti
Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive, e qëndrës "Aleanca Gjinore për Zhvillim”Fotografi: DW/A. Ruci

Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive, e qëndrës "Aleanca Gjinore për Zhvillim”, një organizatë jo qeveritare lider në Shqipëri për barazi gjinore dhe progress shoqëror, bashkë-organizatore e manifestimit thotë për DW: " Në Shqipëri ligjeve të mira, të nivelit europian duhet t'u përgjigjet infrastruktura e duhur që kur ato zbatohen të kenë efekt. Infrastruktua është e pamjaftueshme. Duhet të forcohen institucionet publike që kanë detyrë dhe përgjegjësi të parandalojnë dhunën, institucionet që mbështesin viktimat e saj, kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore që t'u mundësojnë të mbijetuarave nga dhuna riintegrimin në shoqëtri, duhet ngritja e një agjencie në nivel kombëtar për ҫështjet sociale. Nuk janë të pakta rastet kur gruaja me urdhër mbrojtjeje nga gjykata, lihet të jetojë në një apartament me ish-bashkëshortin dhunues, kur sipas urdhërit të mbrojtjes ky i fundit e ka të ndaluar me ligj t'i afrohet asaj në një distancë më pak se 100 metra! Viktima dhe dhunuesi janë në një shtëpi me dijeninë e policisë, bashkisë  apo institucioneve të tjera. Pra, ligji nuk ka rezultat pozitiv dhe me këtë vë në rrezik jetën e viktimës. Mungojnë strukturat e vlerësimit të rrezikshmërisë që paraqet për jetën e viktimës ҫdo rast i denoncuar” .

Ndryshimi kulturor rezultat afatgjatë për reduktimin e dhunës 

Në rrënjë të ҫdo akti dhune - që nga ajo fizike, emocionale, seksuale deri në vrasje- është mendësia arkaike/patriarkale ku në thelb burri e sheh gruan e  tij si pronën e vet, si qenie inferiore pa dinjitet, pavarësi, ëndrra dhe dëshira. Mendësi që i bën marrdhëniet e dhunshme dhe shoqërinë jo të shëndetshme. Ndryshimi i kësaj mendësie, ndryshimi në stofin e shoqërisë, në Shqipëri prej kohësh ka mbetur një emergjencë.

Albanien Tirana Demonstration gegen häusliche Gewalt Emma Andrea
Aktorja Ema Andrea, aktiviste për të drejtat e njeriutFotografi: DW/A. Ruci

Aktorja e mirënjohur Ema Andrea, aktiviste për të drejtat e njeriut, pjesëmarrëse në manifestimin e shoqërisë civile të kësaj jave, thotë për DW se ndryshimi për mirë fillon tek njerëzit dhe u shërben po atyre. "Ka shumë që për rritjen e  dhunës në familje ia vënë fajin varfërisë. Por jo. Nuk është varfëria pasi atë e përjetojnë shumë familje shqiptare që jetojnë në paqe, harmoni, respekt të ndërsjelltë. Është varfëria kulturore, padija, inormacioni i pakët, mentaliteti arkaik i meshkujve.  Liria që solli demokracia edhe për vajzat dhe gratë në këto 27 vjet, vazhdon të bjerë ndesh me këtë mentalitet, burra dhe djem me këtë mendësi nuk e përballojnë dot atë. Liria dhe pavarësia e gruas i tremb kësisoj burrash, se u heq pushtetin. Prandaj që beteja me dhunën të fitohet duhet punuar fort, shmë më fort se deri tani për të sjellë emancipimin shoqëror e kulturor. Ndryshimi duhet të fillojë në sistemin edukativ, në shkolla, që në kopështe dhe arsimin parashkollor. Më tej jo vetëm matematikë, fizikë, biologji etj por vëmendje dhe angazhim maksimal për të formuar qytetarë. Në shkollat tona mungon institucioni i tolerancës dhe funksionon ai i ndëshkimit. Ka vetëm gabim dhe ndëshkim. Pa lënë mënjanë dy standardet e edukimit: njërin për vajzat dhe tjetrin për djemtë, ndërkohë që të dy do të jenë qytetarët e ardhshëm. Ndryshimi, emancipimi kulturor i shoqërisë do të prodhojë rezultate të qëndrushme afatgjata në reduktimin e dhunës në familje", thotë për DW aktorja Ema Andrea.

Në këtë ndërmarrje të madhe afatgjatë shoqëria civile në përgjithësi dhe lëvizja për të drejtat e gruas në veçanti ka shumë për të kontribuar. Në muajt në vijim grupimi prej 15 organizatash që zhvilloi manifestimin në sheshin Skëndërbej angazhohet të zhvillojë forume të hapura me qytetarë, aktivistë, institucione shtetërore përgjegjëse për çështjet e dhunës në familje, politikanë, institucione arsimore etj. për të formuluar një paketë nismash konkrete për ta bërë zbatimin e ligjit real/funksional dhe për ta nxitur ritmin e emancipimit kulturor të shoqërisë.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana