1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtëpia e Bardhë: Siria shkeli "vijën e kuqe"

dpa/Mimoza Kelmendi14 Qershor 2013

Tashmë vërtetohet që regjimi i Assad-it ka vënë në përdorim gjatë luftës edhe armë kimike SHBA tani e tutje do të mbështesë kryengritësit edhe ushtarakisht.

https://p.dw.com/p/18p9J
Fotografi: NICHOLAS KAMM/AFP/Getty Images

Qeveria amerikane nuk ka më asnjë dyshim që qeveria siriane ka përdorur në sulmet e forcave të saj kundër kryengritësve edhe armë helmuese. "Ekspertët e zbulimit llogarisin se si pasojë e këtyre armëve kanë humbur jetën deri tani në Siri 100 deri në 150 njerëz, edhe pse të dhënat për viktimat janë ende të paplota”, tha Ben Rhodes, zëvendëskëshilltar i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas shërbimit sekret amerikan, ndër armët kimike të përdorura nga regjimi i Assad-it, kanë qenë edhe ato me gaz sarin. “Përdorimi i armëve kimike shkel normat ndërkombëtare dhe kalon qartësisht vijën e kuqe që ka ekzistuar me komunitetin ndërkombëtar prej dekadash”, shtoi Rhodes. Ai shtoi se SHBA tani do të mbështesë kryengritësit edhe ushtarakisht për të përballuar forcat e al Assad-it.

SHBA mbështetje ushtarake kryengritësve

“Regjimi i al-Assad duhet ta dijë se me këto veprime ka bërë që ne të rrisim fushën e veprimit dhe shkallën e asistencës për opozitën, përfshi këtu edhe mbështetje direkte ndaj Këshillit Suprem Ushtarak të kryengritësve. Këto përpjekje do të rriten ndjeshëm hap pas hapi”, thuhet më tej në deklaratën e Rhodes. Por ai saktësoi se ende nuk është marrë vendim nga Obama, nëse do të vendoset një zonë “ndalimfluturimi” në Siri, të cilën e kanë kërkuar me këmbangulje kryengritësit, për të ndalur bombardimet ajrore të forcave të Assad.

Syrien Lage in Aleppo
Pamje nga qyteti AleppoFotografi: picture-alliance/dpa


Kjo deklaratë nga Shtëpia e Bardhë e presidentit Barack Obama është, pas shumë dyshimesh, e para që pranon se forcat ushtarake të Baschar al Assad-it kanë përdorur armë kimike gjatë luftës civile. Vetë presidenti amerikan e kishte cilësuar përdorimin e armëve kimike në luftën civile si kapërcim "të vijës së kuqe" dhe me koseguenca për presidentin Baschar al-Assad.

Më parë ishin dhënë raportime për mundësinë e përdorimit të gazit helmues në vendin e përfshirë nga lufta civile, por të paverifikuara zyrtarisht. Sipas të dhënave të ekspertëve të OKB-s, ka gjasa që këto armë kimike të jenë përdorur të paktën katër herë. Përdorimi i armëve të tilla sipas marrëveshjeve ndërkombëtare kategorizohet në krime lufte.