1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtajnmajer: Zgjidhja të gjendet para 10 dhjetorit

Anila Shuka7 Nëntor 2007

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Shtajnmajer u takua të mërkurën në Berlin me homologun serb Vuk Jeremiç. Gjermania mbështet negociatat dhe pret arritjen e një zgjidhjeje brenda 10 dhjetorit.

https://p.dw.com/p/C5Fj
Ministri i jashtëm gjerman, Shtajnmajer
Ministri i jashtëm gjerman, ShtajnmajerFotografi: AP

Mbas një takimi me homologun e tij serb, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer (Frank - Walter Steinmeier) nguli këmbë të mërkurën në Berlin që të kërkohet një konsensus mes serbëve dhe shqiptarëve për statusin e ardhshëm të Kosovës deri më 10 dhjetor. "Përpjekjet për të gjetur zgjidhje mbas 10 dhjetorit vetëm sa do ta destabilizojnë Ballkanin", tha Shtajnmajer të mërkurën në Berlin.

Shtajnmajer u detyrua ta theksonte këtë, pasi mysafiri i tij nga Serbia, Vuk Jeremiç, pat thënë se kërkimi i zgjidhjes së përbashkët mund të vazhdojë edhe pas 10 dhjetorit, si për shembull më datat 11 dhe 12 etj. Mbas ndërhyrjes së Shtajnmajerit, Jeremiç shtoi se vendi i tij do të bëjë gjithçka për të arritur një marrëveshje. "Ne duam të jemi pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit", tha ai.

Vuk Jeremiç ndodhej në Berlin në të njëjtën ditë, kur presidenti i tij, Boris Tadiç pat nënshkruar në Bruksel me Komisionin Evropian marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Shtajnmajeri e përshëndeti këtë akt, por kujtoi se Serbia duhet të vazhdojë bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.

Gjermania mbështet procesin e negociatave

Ministri gjerman i punëve të jashtme e përsëriti, si edhe më parë që shanset që brenda Troikës të arrihet një marrëveshje mes serbëve dhe kosovarëve janë shumë të vogla. Këtë e tregoi edhe raundi i fundit i bisedimeve në Vjenë, tha ai. Por megjithatë ai tha se Gjermania, i mbështet këto bisedime. Prandaj edhe deri më 10 dhjetor do t'u lihet atyre hapësirë.

Një pyetjeje, se a do ta njohë Gjermania pavarësinë e Kosovës, në rast se shqiptarët do ta shpallin atë, Shtajnmajer këtë radhë as nuk e përgënjeshtroi, e as nuk e konfirmoi: "Konferencat e shtypit nuk janë vendi i përshtatshëm për të vazhduar biseda konfidenciale bilaterale, për të cilat kemi nevojë. Dhe konferencat e shtypit nuk janë vendet e përshtatshme, në të cilat ne mund të
zëvendësojmë bisedimet e Troikës."

Në kuadër të mbështetjes së bisedimeve të Troikës, në të cilat BE-në e përfaqëson diplomati gjerman, Volfgang Ishinger, të enjten në Berlin priten të vijnë anëtarët e ekipit të unitetit.