1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohen masat e sigurisë në Kosovë - rrezik nga terrorizmi

Bekim Shehu25 Nëntor 2015

Në Kosovë janë shtuar masat e sigurisë dhe patrullimet në vendet publike, institucionet shtetërore e ato diplomatike. Sipas analistëve këto masa nuk duhej të shoqëroheshin me mesazhe publike, sepse shkaktojnë panik.

https://p.dw.com/p/1HCNw
Das Logo der so genannten Kosovo Police
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Schrader

Kosova ka shtuar masat e sigurisë në mbarë vendin dhe kjo është parë si masë e nevojshme pas sulmeve terroriste në Paris dhe kërcënimeve të vazhdueshme për sulme të tjera terroriste në shtetet e Evropës. Madje organet e rendit dhe të sigurisë u kanë bërë thirrje publike qytetarëve që të shmangin vendet e frekuentuara, siç janë koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo edhe qendrat tregtare.

"Janë rritur masat e sigurisë dhe gatishmëria operacionale. Janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore, në misionet e rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë", thuhej në një njoftim i dalë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që u mblodh në fillim të kësaj jave.

Kosova pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit

"Kosova është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe ka përgjegjësitë e saj në këtë luftë të përbashkët. Ne do të vazhdojmë bashkëpunim e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, shtetet anëtare të saj, si dhe me partnerët e tjerë, deri në dhënien fund, njëherë e përgjithmonë, të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe ideologjive ekstreme, të cilat po kërcënojnë jetën, sigurinë, mënyrën tonë të jetesës dhe vlerat më humane të njerëzimit”, thotë kryeministri Isa Mustafa.

Por, si shihen nga njohësit e çështjeve të sigurisë këto masa që i ndërmorën organet kosovare të rendit dhe sigurisë.

Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, ligjërues universitar, i tha DW-së, se rritja e masave të sigurisë pas ngjarjeve të Parisit është e domosdoshme, por sipas tij, kjo masë nuk duhej të përcillej me mesazhe që shkaktojnë panik.

"Rritja e masave të sigurisë është një veprim i nevojshëm dhe si pasojë e ngjarjeve të fundit në Paris edhe e domosdoshme. Është me rëndësi prezenca më e shtuar e forcave të sigurisë në institucione dhe në pikat vitale të interesit nacional, në infrastrukturën kyçe dhe në objektet e rëndësisë së veçantë shtetërore, historike dhe politike. Por, e tërë kjo fazë do të duhej, në bindjen time, të mos përcillej me mesazhe panikuese për qytetarët", thotë Burim Ramadani.

Jo panik i panevojshëm tek qytetarët e Kosovës

Sipas analistit të sigurisë Burim Ramadani, mesazhet e tilla ashtu siç bëri qeveria e Kosovës vetëm sa e rrisin frikën dhe mund ta dëmtojnë vet procesin e përballjes me ekstremizmin e dhunshëm. "Mesazhe të tilla vetëm sa rrisin frikën dhe panikun tek qytetarët, në anën tjetër tregojnë një pamundësi ushtrimi të detyrave dhe obligimeve nga udhëheqja civile e sigurisë. Thjesht, vlerësoj se mesazhi publik që Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka dhënë, të hënën e kësaj jave, ka qenë joadekuat. Në fakt, më së shumti këso lloj mesazhesh mund të dëmtojnë vet procesin e madh të përballjes me ekstremizmin e dhunshëm që çon në terrorizëm. Kosova nuk është më e rrezikuar nga terrorizmi se shtetet e rajonit dhe kjo kryesisht bazuar në mundësinë që organizatat terroriste të synojnë që të dëshmojnë prezencën në këto lloj nivelesh edhe në Ballkan. Por, kjo nuk nënkupton se jeta e qytetarëve të Kosovës duhet të bllokohet apo gjysmë-bllokohet", thotë Burim Ramadani.

Rreth 300 kosovar tash e dy vjet i janë bashkuar luftrave në Siri dhe Irak

Mediet e ndryshme vendase dhe ndërkombëtare vazhdimisht kanë shkruar se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës u janë bashkuar organizatave terroriste në luftrat në Siri dhe Irak. Një studim i bërë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, (QKSS), thuhet se deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. Të paktën 30 nga ata kanë humbur jetën në këto luftra.

Një valë masive e arrestimeve në Kosovë ndodhi në gusht të vitit të shkuar, ku Prokuroria Speciale e Kosovës kishte hapur hetimet kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë kishte arrestuar mbi 40 prej tyre. Nga ky grup 32 persona tashmë janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet ndërsa, 7 persona të tjerë të kërkuar ndodhen në arrati. Personat e arrestuar dyshohen për veprat penale, "rekrutim për terrorizëm", "organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste" dhe "mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve".

Për disa nga të akuzuarit sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ekziston dyshimi i bazuar se ata i janë bashkuar për të luftuar grupit terrorist (ISIS) në Siri, disa të tjerë kanë bërë thirrje për t'iu bashkuar grupit terrorist “ISIS”, ndërkaq disa të tjerë kanë rekrutuar njerëz për t'i dërguar në luftën e Sirisë dhe njëkohësisht kanë mbledhur fonde për organizatat që tashmë janë të shpallura organizata terroriste nga Kombet e Bashkuara. Parlamenti i Kosovës në fillim të këtij viti ka miratuar ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës për tu bashkuar në luftëra jashtë vendit. Hapat konkret që janë ndërmarrë për luftën kundër terrorizmit, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, si dhe hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që shpie në terrorizëm, që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.