1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohen sulmet kundër të huajve në Poloni

Paul Flückiger
2 Gusht 2017

Gati për ditë ka sulme kundër të huajve në Poloni. Opozita ia hedh fajin populistëve të djathtë në pushtet. Qeveria distancohet rrallë nga sulmet raciste.

https://p.dw.com/p/2hZBU
Polen Rassismus FLüchtlinge
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Pleul

Ndodhi në mes të ditës, në qendër të Varshavës: "Mbathja nga Polonia!" thirri një burrë dhe i vuri një pistoletë në kurriz një vietnamezi. Sulmi ksenofob i javës së kaluar përfundoi pa pasoja serioze. Bëhej fjalë vetëm për një pistoletë frikësuese, bëri të ditur policia. Vietnamezi shpëtoi vetëm duke u frikësuar, sulmuesin e pret një proces gjyqësor.

Klimë kundër të huajve

Të huajt poshtëroheshin dhe rriheshin rrallë më parë në Poloni - por tani këto raste janë shtuar në mënyrë alarmante. Ka pasur madje kërcënime me vdekje me sfond ksenofob, si në rastin e një imami në metropolin ekonomik polak të Poznanit. Youssef Chadid ka që në vitin 1996 pasaportë polake, ai është Kryetar i Këshillit të Ligës Myslimane në Poloni. Por kjo nuk e mbron nga emailet kërcënuese dhe nga telefonatat. "Duan të më heqin qafe dhe prandaj më kërcënojnë ditën dhe natën", ankohet Chadid. Ai madje mendon që të shpërngulet në një vend tjetër, po të vazhdojë kjo gjendje.

Në mediet kritike ndaj qeverisë u raportua edhe për rastin e një nxënëseje myslimane nga Berlini, të cilën e pështynë gjatë një udhëtimi me klasën në Lublin të Polonisë lindore. Ajo tregoi se policët polakë vetëm patën qeshur, kur ajo u kërkoi ndihmë. Edhe një patrullë e dytë policore e pati banalizuar këtë rast. Vetëm pas një proteste të Ombusdmanit të qytetarëve, Adam Bodnar, prokuroria nisi një procedurë hetimore: në të nuk bëhet fjalë vetëm për sulmin në vetvete, por edhe për pasivitetin e policisë.

Atmosfera kundër të huajve po keqësohet. Disa sulme madje drejtohen edhe kundër polakëve, të cilët i kujtojnë për arabë, për shkakt të "pamjes së tyre si evropianojugorë", bën të ditur qendra e pavarur e monitorimit për sjellje raciste dhe ksenofobe. "Në përgjithësi vërejmë një rritje të madhe të sulmeve kundër të huajve - si përsa i përket numrit të tyre, ashtu edhe shkallës së tyre", deklaron Konrad Dulkovski, nga Qendra-e-Monitorimit-të-Ksenofobisë. Dulkovski sheh këtu një lidhje të qartë me ardhjen në pushtet të PiS një vit e gjysmë më parë. Sot te kjo qendër mbërrijnë çdo ditë 30-100 emaile me ankesa.

Qeveria nuk ndihmon

Edhe statistikat e policisë së Polonisë nxjerrin në pah një pamje shqetësuese. Kështu, numri i veprave penale me motive raciste ose ksenofobe është gjashtëfishuar që prej vitit 2010. Në vitin 2016 madje zyrtarisht pati mbi 700 vepra penale të tilla.

Politikanë të PiS në pushtet sot, në fushatën elektorale madje e ushqyen frikën kundër migrantëve nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika. Shefi i partisë, Kaczynski madje ushqeu frikë për epidemi si kolera, që do të sillnin refugjatët me vete dhe paralajmëroi për rrezikun e sulmeve ndaj grave polake. Kandidatët kryesorë të PiS e quajtën fenë islame "një rrezik kryesor", duke vendosur një lidhje direkte midis valës së refugjatëve dhe atentateve terroriste në Paris dhe në Bruksel. Kjo ka çuar në pasiguri tek qytetarët.

Por në bazë të të dhënave të Zyrës Qendrore të të Huajve, numri i lutjeve për lejeqendrimi në Poloni, është rritur me 86 përqind që prej vitit 2015. Para së gjithash ukrainasit, indianët, kinezët dhe vietnamezët duan të vendosen në Poloni.