1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohet presioni ndaj Angela Merkelit

PP (dpa, afp, epd, DW)4 Shkurt 2016

Ka kritika të shumta të qytetarëve gjermanë për politikën e koalicionit të madh në lidhje me krizën e refugjatëve. 81 për qind e të anketuarve mendojnë se qeveria nuk e ka nën kontroll problemin e refugjatëve

https://p.dw.com/p/1Hpnl
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Politika e koalicionit të madh (CDU/CS/ dhe SPD) nën drejtimin e kancelares Angela Merkel në lidhje me krizën e refugjatëve po ndesh në kritika të shumta të qytetarëve gjermanë. Në anketimin e televizionit publik gjerman ARD "Deutschlandtrend" 81 për qind e të anketuarve thanë se kanë përshtypjen se qeveria nuk e ka nën kontroll problemin e refugjatëve. Vetëm 18 për qind ishin të një mendimi të ndryshëm.

Kritika konkrete për tekstin e miratuar me paketën II të azilit të miratuar nga qeveria gjermane shprehu zëdhënësi për politikat arsimore të grupit parlamentar të të Gjelbërve, Ozcan Mutlu. Ai tha për Deutsche Wellen se rregullat e reja të bashkimit familjar nuk janë të dobishme për integrimin. Sidomos shumë refugjatë të rinj që kanë ardhur të pashoqëruar në Gjermani "nuk mendojnë për asgjë tjetër se sa për familjet e tyre dhe për këtë arsye nuk mund të përqendrohen në atë që është me të vërtetë e rëndësishme për integrimin: tek shkolla dhe mësimi i gjuhës gjermane," kritikoi Mutlu. Të mërkurën (03.02), kabineti qeveritar vendosi, ndër të tjera, që ta pezullojë bashkimin familjar për refugjatët me mbrojtje të kufizuar për dy vjet.

Deutschland Merkel Bundestag
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Popullsia e ndarë

Në lidhje me këtë çështje popullsia në Gjermani sipas "Deutschlandtrend" është e ndarë: pezullimin e propozuar për bashkimet familjare ndër të tjera për refugjatët e luftës civile, e konsiderojnë si një masë të saktë vetëm 44 përqind, kurse 49 për qind e refuzojnë këtë plan. Kërkesën për përcaktimin e një sasie maksimale për numrin e refugjatëve, që kërkon CSU-ja prej muajsh të tërë, e përkrahin pothuajse dy të tretat (63 përqind) e gjermanëve, një e treta (33 përqind) është kundër një caku të tillë.

Reduktimin e ndihmave sociale për refugjatët, të cilët nuk duan të integrohen, e konsiderojnë të drejtë 88 për qind e të anketuarve. 78 për qind e përshëndetën vendimin që Algjeria, Maroku dhe Tunizia të shpallen vendeve të sigurta të origjinës, ku refugjatët mund të dëbohen më shpejt.

Deutschland Medizinische Versorgung Flüchtlinge
Fotografi: Getty Images/AFP/C. Stache

Përkrahja e strehimit për refugjatët e luftës ende e lartë

94 përqind e të anketuarve mendojë se është e drejtë që Gjermania strehon refugjatë nga vendet ku ka luftëra civile ose luftëra të tjera. Edhe 76% e pasuesve të partisë ekstremiste të djathtë AfD janë të këtij mendimi. 73% e të anketuarve janë pro azilit në rast përndjekjeje poltike apo fetare. Vetëm 23 përqind e të anketuarve janë të mendimit, se Gjermania duhet të pranojë edhe njerëz që largohen nga vendi i tyre, sepse nuk gjejnë punë.

Shifrat bazohen në një anketim të institutit Infratest dimap të zhvilluar të hënën (01.02) dhe të martën me telefon me 1004 persona me të drejtë vote.