1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtohet retorika e luftës në Rusi

Roman Goncharenko5 Dhjetor 2015

Goditja e avionit ushtarak rus nga forcat ajrore turke në kufi me Sirinë po nxit retorikën e luftës në Rusi.

https://p.dw.com/p/1HHo5
Fotografi: picture-alliance/dpa/Y. Kochetkov

Grupi i mirënjohur rus Va-Bank prezantoi të mërkurën një video të re muzikore. Ajo quhet "Dhe pastaj Berlini" dhe është një version i përpunuar i këngës "First we take Manhattan" (Së pari marrim Manhattanin) i këngëtarit kanadez Leonard Cohen nga vitet 1980. Teksti rus përmban mesazhe politike aktuale. Aty përmenden sanksionet perëndimore, Krimea dhe diktatori sovjetik Stalin, për të vazhduar me refrenin: "Ne do të marrim Manhattanin, dhe pastaj Berlinin."

Që nga aneksimi i Krimesë fantazitë për pushtime dhe luftra janë bërë pothuajse të përditshme në Rusi. Ato i dëgjon nga politikanë, gazetarë dhe ekspertë. Në rrjetet sociale qarkullojnë fotomontazhe apokaliptike, të cilat prezantojnë një luftë të ardhshme me Evropën dhe SHBA-në. Në një foto të tillë mund të shohësh tanke ruse në Parisin e shkatërruar, me nënshkrimin: "udhëtime turistike me tanks në Evropë".

Bomba atomike në TV

Vazhdimisht bëhen kërcënime edhe me armë bërthamore. Kjo është diçka që deri tani qe shmangur në Rusi. Si ditë e thyerjes së tabuve konsiderohet 16 marsi 2014, kur në territoret e pushtuara nga trupat ruse në gadishullin ukrainas të Krimesë u zhvillua referendumi. "Rusia është vendi i vetëm në botë që është me të vërtetë në gjendje ta shndërrojë SHBA-në në hi dhe pluhur atomik", tha në televizionin shtetëror prezantuesi i mirënjohur Dimitri Kiseljov.

Russland Atom-U-Boot Jekaterinburg
Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Fedoseyev

Që atëherë topuzi bërthamor tundet në mënyrë të përsëritur. Sidomos populisti i djathtë dhe zëvendëskryetari i Parlamentit Vladimir Zhirinovski kërcënon herë Kievin, Berlinin apo Uashingtonin se do t'i bëjë shkrumbë e hi. Kohët e fundit ai ka luajtur me idenë për të hedhur një bombë në Detin e Zi përpara Stambollit. Prej saj metropoli turke do të fshihet nga faqja e dheut prej një vale të madhe, tha Zhirinovski të martën gjatë fjalës së tij në parlament.

Sociologu Denis Volkov nga Instituti i mirënjohur për Anketime Levada Center në Moskë i konsideron deklarata të tilla si përpjekje për të testuar opinionin publik. "Shumë më serioze është kur Putini thotë në një dokumentar, se Rusia do të ishte e gatshme të përdorë armë bërthamore për shkak të Krimesë", tha eksperti për DW-në.

Në pritje të luftës

"Pritja për luftë" ndihet këto ditë fjalë vërtet kudo, thotë gazetari dhe blogeri nga Moska Aleksei Pluschtschew. Kjo ndjenjë përhapet kryesisht në media, tha Pluschtschew për DW-në.

Goditja e avionit ushtarak rus nga forcat ajrore turke në kufi me Sirinë, në fund të nëntorit duket se po e nxit më tepër retorikën e luftës në Rusi. Gazeta e njohur "Novaja Gazeta" paralajmëroi për rritjen e rrezikut të një konfrontimi të vërtetë bërthamor. "Ata që bëjnë thirrje për përdorimin e armëve bërthamore për hakmarrje, dhe jo si instrument frikësimi, janë kriminelët e vërtetë", shkruante të enjten gazeta kritike ndaj Kremlinit. Ajo apeloi tek lexuesit e saj që të nënshkruajnë një peticion online ku kërkohet një ligj që do ta konsideronte si vepër penale kërcënimin publik me armë bërthamore. Një peticion i tillë duhet të marrë 100,000 nënshkrime në mënyrë që qeveria ta marrë në shqyrtim.

Moskau Russische Interkontinental Rakete Atomwaffen Russland
Fotografi: Getty Images/AFP/N. Kolesnikova

Shumica e rusëve janë kundër luftës

Të shqetësuar janë shprehur madje edhe disa gazetarë besnikë ndaj Kremlinit. Uljana Skojbeda p.sh. e gazetës bulevardeske "Komsomolskaja Pravda", e cila është ithtare e zjarrtë e Putinit, shtroi në një artikull online pyetjen "A na duhet vërtetë kjo luftë?"

Skojbeda shprehu mendimin e shumicës së rusëve. Sipas një anekete në muajin nëntor të institutit Levada Center lufta është shqetësimi më i madh i qytetarëve rusëve. Dy të tretat e të anketuarve (59%) mendojnë se në dhjetëvjeçarin e ardhshëm do të ketë luftë mes Rusisë dhe IS-it. Një ndër katër rusë (28%) mendojnë se do të ketë një konflikt të armatosur me NATO-n. Sociologu Denis Volkov thotë se shumica nuk do luftë, por se ka edhe rreth 20% të ashtuquajtur skifterë, që janë për veprime radikale dhe agresive ndaj Ukrainës, Perëndimit, SHBA-së dhe Turqisë.

Sipas Jens Siegert, drejtues i zyrës së Fondacionit Heinrich-Bëll në Moskë në Rusi nuk janë shumë të përhapura fantazitë e luftës. Por propaganda shtetërore nxit prej mbi dhjetë vjetësh imazhin e Rusisë si "një kala e rrethuar", thotë Siegert për DW-në.

Putini kërcënon Turqinë

"Televizioni i kontrolluar shtetëror e nxit frymën histerike në një masë të tillë që ajo dikur do të shkaktojë ndonjë dëm," paralajmëron blogeri Pluschtschew. Në raste të tilla qeveria vështirë se ka ndonjë shans për të ndryshuar shpejt kursin e saj pa zhgënjyer "mbështetësit e saj entuziastë". Konflikti me Turqinë Rusia nuk do të mund ta përfundojë "pa një poshtërim të fortë të armikut".

Russland Putin und Militärs Armee Manöver
Fotografi: Reuters/Ria Novosti/A. Nikolsky

Në këtë drejtim u shpreh edhe Putini të enjten në fjalën e tij për gjendjen e kombit. Duke iu drejtuar udhëheqjes turke lidhur me konfliktin për avionin e qëlluar rus shefi i Kremlinit tha se ata do të pendohen. "Ne e dimë se ç'duhet të bëjmë", tha Putin, pa dhënë detaje.