1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së hënës mbi ligjin për armët

VFB16 Mars 2009
https://p.dw.com/p/HCxh
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas vrasjes në Amok në Vinenden në Gjermani është rihapur diskutimi lidhur me të drejtën e armëmbajtjes. Kjo temë gjen jehonë në shtyp.

Gazeta "Express" komenton:

"Armët nuk vrasin njerëz, njerëzit vrasin njerëz, kështu argumentojnë dashamirësit e armëve çdo herë, kur diskutohet për ligje më të ashpra për armët. Ata harrojnë, që disa masakra të tmerrshme (e ndonjëherë edhe aksidente tragjike) ndodhin vetëm, sepse dikujt pa asnjë problem i ka rënë në dorë një armë. Natyrisht masakrat si vrasjet në amok në Vinenden nuk mund të parandalohen me siguri njëqindpërqind. Megjithatë duhet bërë ç´është e mundur për të penguar aksesin tek armët për personat që nuk e kanë këtë të drejtë. Kjo është një sfidë jo vetëm për ata që posedojnë armët, të cilët duhet të kujdesen, që mjetet e tyre të zbavitjes të mos shkaktojnë dëme. Por edhe kontrollet shtetërore, ashtu siç propozon Kancelarja Merkel dhe policia, janë të drejta. Sepse ç´vlerë do të kishin ligjet e rrepta, nëse nuk kontrollohet respektimi i tyre?"

Në të njëjtën linjë komenton edhe "Westdeutsche Zeitung":

"Ligjet për mënyrën se si duhet vepruar me armët e zjarrit dhe municionin, se si mund të posedohen dhe se si duhet të ruhen ato janë të mjaftueshme. Vetëm se duhet të mbikqyret respektimi i tyre. Kontrollet, siç propozon Kancelarja, janë instrumenti i duhur. Ajo që mungon, është personeli i pamjaftueshëm tek autoritetet e policisë. Rasti në Vinenden tregon në një mënyrë fatale pikat e dobëta: Kushdo që armën e zjarrit e ruan në sirtarin e komodinës e përveç kësaj nuk i vë dryrin vendit ku ndodhet muncioni, kryen akt penal duke mos respektuar ligjin. Çdo mirëbesim duke menduar pozitivisht përbën papërgjegjshmëri."