1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së mërkurës për dhunën ndaj emigrantëve në Afrikën e Jugut

AUD20 Maj 2008
https://p.dw.com/p/E3NH
Afrika e Jugut: në foto turmë që ndjek të huaj nga Zimbabveja
Afrika e Jugut: në foto turmë që ndjek të huaj nga ZimbabvejaFotografi: AP

Dhuna kundër emigrantëve që ka shpërthyer prej ditësh në Afrikën e Jugut tematizohet sot nga gazetat gjermane. Në gazetën BERLINER ZEITUNG për këtë temë lexojmë:

"Njerëzit digjen në Johanesburg, dëbohen, masakrohen. Tmerri është i madh, edhe vetë në Afrikën e Jugut. Por shpërthimi i dhunës kundër të huajve nuk të habit. Prej vitesh janë mbledhur në shoqëri konfliktet e pazgjidhura. Ekonomia shkëlqen, por shumë vetë nuk kanë pjesë në këtë rritje, shpërthimi i pasurisë në fqinjësi me kasollet atyre duhet t'u duket gati pervers. Qindra mijëra vetë ndihen të lënë pas dore dhe e shpërthejnë zemërimin tek më të dobëtit: tek emigranti në kasollen pranë. Edhe Gjermania njeh situata dhe skena të tilla: kur turmat e tërbuara të njerëzve kanë dëbuar përmes qyteteve vietnamezët, mozambikanët ose indianët."

Ja edhe HAMBURGER MORGENPOST:

"...Skenat e gjahut ndaj të huajve janë një zhvillim shumë negativ në historinë 14-vjeçare të kësaj demokracie të re, të cilën neve na pëlqen ta paraqesim si demokraci të pastër si kristali. Por e tillë ajo nuk ka qenë kurrë. Sepse pas fasadës së bukur të vendit të pushimeve, "kombi ylber" ka lënguar gjithmonë- nga SIDA, kriminaliteti, dhuna kundër grave e kështu me radhë. Bota i njihte këto deficite edhe në maj të vitit 2004, kur vendosi që kampionati botëror i futbollit të zhvillohet në Afrikën e Jugut. Dhe kjo me plot të drejtë. Sepse, megjithë mangësitë, Afrika e Jugut është ende diçka si një copë e paprishur Afrike, krahasuar me pjesën tjetër të kontinentit. Nëse Afrika ka ofruar ndonjëherë shans për mirëqënie dhe stabilitet, atëherë themelin për këtë ka qenë vënë në Afrikën e Jugut."