1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman mbi EULEX-in dhe shanset për azilkërkuesit

10 Prill 2015

Shtypi gjermanofon i ditës: A ka shanse për sukses misioni i BE-së, EULEX, në Kosovë? A mund ta fitojnë azilkërkusit kosovarë statusin e qendrimit në Gjermani? A po u përmbahet Serbia premtimeve ndaj romëve?

https://p.dw.com/p/1F5sZ
Symbolbild deutsche Presse Presseschau
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Azilkërkuesit pa shanse", e titullon artikullin e së premtes (10.04)Süddeutsche Zeitung, e cila analizon gjendjen e azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit në Gjermani. Numri i azilkërkuesve në Gjermani po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Në mars kanë aplikuar për azil rreth 32.000 persona, që do të thotë gati trefish më shumë se marsin e një viti më parë. "Numri më i madh i azilkërkuesve vjen nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mars ishin 61,6%. Vetëm kosovarët kanë paraqitur në mars gati 12.000 kërkesa për azil, ndërsa një vit më parë kanë qenë vetëm 86 kërksa të kosovarëve. Në vendin e dytë renditen sirianët, e më pas shtetasit e Serbisë dhe të Shqipërisë. Por shanset e azilkërkuesve nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi për azil janë të barabarta gati me zero", Süddeutsche Zeitung.

Ndërsa gazeta zvicerane "Neue Zürcher Zeitung" (NZZ) i referohet gjendjes së misionit EULEX në Kosovë. "Gjashtë vjet pas fillimit, rezultatet e këtij misioni janë modeste. Misioni më i madh dhe më i kushtueshëm i BE-së nuk ka arritur ta përmirësojë shumë gjendjen e shtetit juridik. Po pse?, shtron pyetjen gazeta. Shpend Ahmeti ankohet për "mbështetjen tepër të vogël të këtij misioni" në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit. "Prej ardhjes së tij në pushtet janë inicuar me dhjetra procese për ndërtime ilegale dhe vepra të tjera. Por në vend që prokurorët të rrinë rend para zyrës së tij dhe të kërkojnë dëshmitë, ata shtrojnë pyetje shtesë dhe aktuakuzat shtyhen gjithnjë. As prokurorët e EULEX-it nuk janë aspak më të mirë. Ata hezitojnë në proceset kundër politikanëve të nivelit të lartë. Çështjet juridike kthehen në një problem politik. Është e qartë që misioni nuk po ndërmerr asgjë dhe kjo mund të rrezikojë stabilitetin politik të Kosovës", shkruan NZZ. Gazeta citon edhe ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, i cili "me krenari prezanton rezultatet e arritura në ndërtimin e institucioneve dhe burgjeve". "Por ai është vetëkritik dhe e pranon se rezultatet nuk janë të kënaqshme".

Ndërsa gazeta Süddeutsche Zeitung shkruan edhe për konstatimet e Amnesty International mbi gjendjen e romëve në Serbi. "Tre vjet pas spastrimit të një lagjeje me rreth 1000 romë në Beograd, Serbia nuk e ka zgjidhur problemin e tyre. Komisioni Europian i ka vënë Serbisë në dispozicion 3,6 milionë euro për të mbështetur ndërtimin e vendstrehimeve të tjera. Deri në shkurt të vitit 2015 duhej të ishte ndërtuar një lagje tjetër, por shumica e familjeve të dëbuara rome ende është në pritje që të ketë një strehë mbi kokë. Amensty International njofton se këto familje janë larguar nga qendra në periferi ku ende jetojnë nëpër kontejnerë metali", Süddeutsche Zeitung.