1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman mbi vendimin e GM-it për shitjen e Opelit

11 Shtator 2009

"Leipziger Volkszeitung": kujdes nga entuziazmi i nxituar, e ardhmja nuk është e sigurt!

https://p.dw.com/p/Jcmt
Një logo e Opel-it.
Një logo e Opel-it.Fotografi: AP

"Leipziger Volkszeitung" komenton: Për qeverinë gjermane dhe në radhë të parë për Kancelaren Angela Merkel si dhe për rivalin e saj Frank-Walter Steinmeier, vendimi nga SHBA-ja do të thotë sukses. Në Gjermani sigurohen vende pune si direkt në prodhim, ashtu edhe tek furnizuesit. Por entusiazmi i shpejtuar është i rrezikshëm. Në të ardhmen vendimtare do të jetë mënyra se si do ta drejtojnë sipërmarrjen, Magna dhe investuesit rusë. Kompetenca është në Gjermani. N.q.s. ajo do të shpërdorohej sipas modelit të GM, atëherë Opel, herët apo vonë, do të ndodhej në një situatë të ngjashme, si para gati falimentimit të ish-prodhuesit më të madh të automobilëve në botë.

Në "Süddeutsche Zeitung" mbi të njëjtën temë lexojmë: Politikisht Kancelarja dhe rivali i saj nga Partia Socialdemokrate arritën një fitore. Shitja e Opelit Magnës dhe rusëve ka qenë fillimisht ide e Steinmeier-it dhe e shokëve të tij, më vonë pastaj atë e përvetësoi Merkeli. Nga ana ekonomike 'causa Opel' gjithmonë mund të dështojë, muajt e ardhshëm, por edhe më vonë, pas dy apo tre vjetësh. Çfarë mund të ndodhë, sikur pronarët e ri të përvetësojnë vetëm Know-How nga qendra e prodhimit në Rüsselsheim dhe ta çojnë në Rusi? Dhe çfarë mund të ndodhë sikur kriza e automobilëve të thellohet më tej muajt e ardhshëm?

Dhe së fundi citojmë nga "Nürnberger Nachrichten": Me votën e GM pro Magnës, Berlini mezi fitoi. Çdo vendim kundër favoritit të saj, do të kishte qenë një turp për Angela Merkelin dhe kabinetin e saj. Kjo nuk është një dëshmi që politika në botën e globalizuar është akoma në gjendje t'i përcaktojë kufijtë ekonomisë. Sikur GM të kishte dashur ta mbante Opelin, Berlini nuk do të kishte pasur nga t'ia mbante. Që Magna fiton, këtë pala gjermane duhet t'ia dijë për nder vështirësive të brendshme ekonomike të GM. Ka qenë me fat!

Autor: DPA / Angelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani